Panorama Sport (Albania)

Onuh shou, dopietë dhe të kuq për 8 minuta

Turbina "flakë" në Kavajë, por nuk e shmang dot humbjen

- FERIZ FERIZAJ

Darlington Onuh i bën të gjitha, shënon dy gola dhe merr dy të verdhë për 8 minuta lojë. Dhe gjithçka ka ndodhur në fundin e ndeshjes. Sulmuesi nigerian i Besës i ka dhënë tri pikë të çmuara ekipit të tij, por nga ana tjetër iu desh që të linte fushën pas të kuqit që mori në të 88-ën. Kavajasit e kanë mbyllur me fitore fazën e dytë, por duhet thënë që kanë vuajtur shumë përballë Turbinës. Cërrikasit kanë bërë rezistencë dhe kjo duket qartë nga 11 të verdhët dhe 1 i kuq.

Ndeshja - Miqtë kishin ardhur me ambicie për të marrë diçka në Kavajë. Besa, edhe pse me mungesën e Çelhakës dhe Bibës, nga ana e saj ka hyrë në fushë vetëm për maksimumin. Dikson, Çekiçi e Ejoh tentojnë disa herë kuadratin mik, por portieri Hasanbelli grushton. Kjo mënyrë loje e vendësve u jep mundësi të arta miqve për kundërsulm. Në të 23-ën, Bakiu në hyrje të zonës godet, por pret Miraka. Ndërsa verdhezinj­të janë të gjithë në sulm, miqtë përsëri rrezikojnë, këtë herë me Bërdufin, që del i vetëm përballë Mirakës, por ky i fundit eviton një gol të sigurt. Me këtë dominim të Besës, por dhe me një kundërsulm të rrezikshëm të miqve, mbyllet pjesa e parë. Verdhezinj­të kthehen në fushë më të qartë dhe nisin të "bombardojn­ë" portën mike. Turbina detyrohet të mbrohet fort përballë krosimeve të njëpasnjës­hme të verdhezinj­ve drejt zonës, sa në ballore aq edhe në krahë, por portieri mik në 3 raste eviton gola të sigurt. Magani kryen dy zëvendësim­e për të finalizuar shumë raste. Mihani e Onuh, por edhe Thaçi ndryshojnë efikasitet­in e lojës. Kapiteni Mihani "thërret" armën e tij më të mirë, goditjet e dënimit në minutën 80. Ai lëshon një predhë të vërtetë, ku Hasanbelli vetëm sa e grushton dhe Onuh tashmë afër shënon. Ky gol thyen besimin e miqve për surprizën dhe Onuh shënon përsëri brenda zonës, pas vetëm 3 minutash. Për çudi, pas këtij goli ndodh një përplasje pa shkak mes lojtarëve, që shtyjnë me duar njëri-tjetrin dhe gjyqtari Emirjon Sino nuk fal askënd dhe ndëshkon plot 4 futbollist­ë, ku Onuh me të verdhën e dytë merr të kuqen dhe rrjedhimis­ht del nga fusha e lojës. Fundi i lojës nuk sjell më asgjë dhe për kavajasit nis festa.

 ??  ?? Besa duke festuar fitoren ndaj Turbinës
Besa duke festuar fitoren ndaj Turbinës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania