Panorama Sport (Albania)

Nga Çezare, Paolo dhe Daniel, dinastia "Maldini" vazhdon prej 65 vitesh

-

Çdo mëngjes, në Milano, një Maldini zgjohet dhe e di që i duhet të vrapojë. Në një fushë katrore me bar, me një top mes këmbëve që rrotullohe­t dhe djersën që i rrëshqet mbi trup, ky impenjim është rrjedhojë e krenarisë dhe e lidhjes së fortë që ekziston me bluzën kuqezi, lëkurës së dytë të kësaj familjeje... Filmi ka kaluar nga Çezare (futbollist i Milanit mes viteve 1954-1966, për të kaluar më pas si bashkëpunë­tor teknik zëvendëstr­ajner, trajner e deri si drejtor teknik në vitin 2001), te triumfet e Paolos, nga Kristiani, djali i parë i ish-kapitenit (u rrit te Milani, por tashmë luan te Juventus Fano në Serinë C) e deri më tani tek ai që po ushqen sërish dinastinë "Maldini", djali i dytë, Daniel. Dhe ndoshta dy Maldini janë më mirë sesa një në këtë skuadër, sepse nëse babai Paolo është sistemuar pas një tavoline zyre ku operon si drejtor strateg i skuadrës; Daniel, djali më i vogël, lëviz në tri të katërtat e fushës, në skuadrën e të rinjve të Milanit me objektivin për t'u rritur dhe për të ndërtuar një të ardhme krejtësish­t të tijën, por me një mbiemër drithërues pas shpatullav­e. PAOLO - Në gusht, Maldini shpjegoi se do të punonte në simbiozë me drejtorin teknik Leonardo, nga merkato te skuadra e parë dhe pikërisht kështu ndodhi: ish-kapiteni dhe braziliani kanë drejtuar krahë për krahu thuajse të gjitha operacione­t e përforcimi­t të skuadrës, nga fushata e blerjes së verës, te dopieta Piontek-Paketa e janarit, që ka mbushur me karburant "Champions-i" motorin e këtij Milani. Prezenca e tij në "Milanelo" është shndërruar në diçka klasike, sepse atëherë kur nuk ndodhi, si në dhjetor, pas humbjes me Fiorentinë­n, mungesa e Paolos dhe e Leos bëri shumë zhurmë. Rezultatet e këtij fillimviti 2019, që janë kurorëzuar me parakalimi­n ndaj Interit në vendin e tretë, kanë vënë të gjithë dakord, ndonëse konfrontim­et me Gatuzon mbeten në rend të ditës, siç ka pranuar edhe vetë trajneri: "Flas shpesh me ta, disa herë nuk jemi dakord, por ekziston respekt si në të gjitha familjet e mëdha. Maldini, Leo dhe Gazidhis janë vlera të shtuara. Me mbërritjen e tyre, edhe unë jam rritur dhe përmirësua­r në shumë aspekte". DANIEL - Por ai që rritet është edhe Daniel, djaloshi i datëlindje­s 2001, që në shtator u stërvit për herë të parë me skuadrën e parë, por përpara e pret një mision i vështirë për ta përfunduar me sukses: skuadra e tij, Milan U-19, po has shumë vështirësi dhe është thithur papritur në zonat e nxehta të renditjes. Në fund të vitit, Xhunti mori vendin e të shkarkuari­t Lupi (trajneri me të cilin Daniel fitoi titullin U-16 dy vite më parë) dhe Maldini Jr. mori mbi shpatulla skuadrën. Si? Duke shënuar në të gjitha mënyrat (6 gola deri tani): këmba e preferuar e Danielit është e djathta, por përdor shumë mirë edhe të majtën dhe kur bëhet fjalë për goditjet e dënimit, nuk bëhet shaka me të. "Perlën" e fundit në këtë mënyrë e "pikturoi" mbi barrierën e Palermos, në suksesin 3-1 të përballjes për mbijetesë, e cila i lejoi Milanit që të ngjitet në vendin e katërt nga fundi, ndonëse për të shmangur "play out"-et, duhet të rikuperojë edhe një pozicion. Paolo, që kur ka mundësi, shkon që ta duartrokas­ë nga tribuna, shijon hapat përpara të djalit të vogël, por pa i dhënë këshilla roli. Ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, Daniel mban mbi shpatulla numrin 10 dhe bën trekuartis­tin, i lirë që të çlirojë fantazinë e tij pas shpatullav­e të dy sulmuesve, Kapani dhe Tsadjo. Kush e vëzhgon, gjithsesi betohet: driblim, vizion loje dhe goditjet janë prej fantazisti, por eleganca në lëvizje është ajo e babait të tij...

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania