Panorama Sport (Albania)

“Duam të arrijmë në finale, nuk ishte hakmarrje ndaj Partizanit”

-

Realdo Fili është i fundit nga ish-ët, që arrin të ndëshkojë Partizanin. Në prononcimi­n që dha pas ndeshjes për “SuperSport”, sulmuesi pohoi se kishte besim para takimit se do të fitonin ndaj të kuqve dhe objektiv kishte golin. Fili nuk e shikon hakmarrje ndaj Partizanit, por me suksesin e djeshëm e shikon më të favorizuar Luftëtarin për t’u kualifikua­r në gjysmëfina­le të Kupës. Sa e keni shijuar këtë moment ku shënuat ndaj ish-ekipit, Partizanit? Kam shpresuar që do të fitonim. E kisha objektiv shënimin e golit. Më vjen mirë që shënova. Luanit si sulmues i parë... Në fakt, për herë të parë në këtë rol kam luajtur me Partizanin. Mundem ta bëj nëse trajneri ma kërkon, por bëj çdo rol. E njoh mbrojtjen e Partizanit dhe ramë dakord me trajnerin që ta bëja këtë pozicion dhe më vjen mirë që zbatova detyrat. I druheni ndeshjes së kthimit? Ky rezultat na shkon për shtat. Normalisht, nuk do të luajmë për të mbrojtur apo mos pësuar. Do të kërkojmë të marrim maksimumin. Në pozitat ku jeni sot, është më e vështirë të mbijetosh apo të fitosh Kupën? Objektivi ynë është të arrijmë sa më larg, në finale. Kjo s’do të thotë se lufta për mbijetesë do të jetë në plan të dytë. Do të jemi të përqendrua­r në të dyja pozicionet. Trajneri Gega tha se edhe ata kanë shanse kualifikim­i aq sa ju para ndeshjes... Për sa u përket fjalëve të Gegës, dua të them se ky rezultat na rri neve më shumë për shtat. Goli që shënuat, a ishte hakmarrje ndaj Partizanit, që nuk ju besoi? Kam kaluar mirë te Partizani. Nuk ishte hakmarrje. Të gjithë kanë pritur shpërthimi­n tuaj, a do të ndodhë te Luftëtari? Koha më ka kaluar, pritej diçka më shumë nga unë. Shpresoj që këtu të shpreh vlerat e mia, sepse deri tani nuk e kam bërë, për shumë faktorë. Jam i lumtur këtu, shpresoj të ndihmoj ekipin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania