Panorama Sport (Albania)

Skandali, FSHF fal fushën ku u dhunua Skënderbeu

U ankuan për policinë, por licencojnë stadiumin ku u rrah Vangjeli me shokë

- OLSI AVDIAJ

Tirana do të luajë në Fushë-Krujë me Kastriotin. Pikërisht kështu. Në vendin ku u rrahën lojtarët kampionë të Shqipërisë. Papritmas federata "e ka licencuar" sërish fushën stërvitore. Që tani e tutje, FSHF nuk ka më të drejtë morale (ligjore nuk e ka pasur asnjëherë) të kërkojë policinë në stadiume. Federata Shqiptare e Futbollit ndërpreu kampionati­n prej dhunës në Kamzë dhe bërtiti për ditë me radhë që të rikthehej policia në stadiume. U zhvillua edhe një takim me kryeminist­rin dhe u diskutua gjerësisht për këtë gjë. Por ja që zyrtarët e FSHFsë janë të pandreqshë­m, sepse kur vjen puna për të respektuar ata rregullore­t, nuk rezistojnë më shumë se sa 1 javë për t'i shkelur ato me të dyja këmbët. Le t'i marrim gjërat me radhë...

VENDIMI SKANDALOZ I FSHF-së

Ndeshja e nesërme Kastrioti-Tirana me shumë gjasë do të luhet në stadiumin "Redi Maloku". Stadium që u bë i famshëm këtë vit jo vetëm për baltën që e karakteriz­on kur bie shi, por për faktin se në hyrje të tij u rrahën lojtarët e Skënderbeu­t ende pa hyrë mirë në dhomat e zhveshjes. Impianti nuk plotëson asnjë kusht për t'u licencuar në Superiore dhe kjo ishte thënë e stërthënë qysh në fillim të edicionit. Federata nuk pyeti dhe më pas ndodhi skandali në fillim të muajit shkurt. FSHF, pasi bëri shou me dënimet që dha duke mbajtur pezull për disa javë krutanët, vendosi t'i rikthejë ata që të luajnë në Fushë-Krujë. Aq "i errët" është si vendim, saqë askush në federatë nuk ka kurajën të pranojë zyrtarisht se "Redi Maloku" është licencuar sërish për ndeshje të Superiores. Shefi i garave hesht. Shefi i zyrës së licencimev­e hesht... Por, ndërkohë janë njoftuar klubet e Kastriotit dhe Tiranës që ndeshja do të luhet aty. Të kuptohemi qartë: nuk është faji i Kastriotit për këtë që po ndodh. Përkundraz­i, drejtuesve të këtij klubi duhet t'u njihet merita që bëjnë gjithçka për skuadrën e tyre dhe arrijnë të luajnë ndeshjet ku dëshirojnë ata. Problemi është gjetkë: te standardet e federatës.

POLICIA

TË MOS TËRHIQET...

Rrahja e lojtarëve të Skënderbeu­t në fillim të shkurtit u nënvlerësu­a në mënyrë skandaloze nga FSHF. Ai ishte sinjali i parë se tensioni diku do të mbërrinte në një pikë kulminante. Më pas, kur shpërtheu dhuna në Kamzë, federata iu përvesh policisë, duke fajësuar atë të parën që nuk është në stadiume. Pasojat e asaj ngjarjeje i dimë të gjithë: Kamza zbriti dy kategori më poshtë dhe u cenua i gjithë sezoni futbollist­ik. Po, po i gjithë sezoni. U cenua rëndë gara në kampionat, por edhe në Kupë. Skënderbeu e kaloi turin pa luajtur fare. Tani pyetja më e rëndomtë është: çfarë mësimesh nxori federata nga ngjarjet e FushëKrujë­s dhe ajo e Kamzës? A ishte vetëm faji i policisë apo edhe i saji që licencon impiante pa asnjë kriter? A ka të drejtë më FSHF të ngrejë zërin për policinë kur i shkel vetë rregullat? Vendimi i djeshëm i federatës minoi thuajse plotësisht mbledhjen e pak ditëve më parë me qeverinë për të pasur pak më shumë rend në stadiume.

KLUBET KANË PËR DETYRË TË REAGOJNË

Tirana është e para që duhet të ngrejë zërin me forcë. Jo vetëm sepse FSHF nuk respekton rregullat, por sepse në këtë rast bardheblut­ë janë edhe më të diskriminu­ar. Laçi luajti me Kastriotin në fushë asnjanëse, pse Tirana në këtë ndeshje jetike duhet të rikthehet në një fushë stërvitore që nuk i përmbush standardet? Për fat të keq, klubi më i madh në Shqipëri nuk dëshiron ose nuk ka më fuqinë që t'i përvishet federatës për këto vendime selektive. "Panorama Sport" kontaktoi me zyrtarët bardheblu dhe ata refuzuan të mbajnë një qëndrim kritik ndaj këtij hapi mbrapa që bëhet në dëm të sigurisë në stadiume. Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër është që edhe klubet e tjera nuk duhet të rrinë indiferent­e. Skënderbeu, Teuta, Luftëtari dhe Flamurtari, kanë gjithë të drejtën e zotit t'i kërkojnë llogari federatës për veprimet e saj. Këto janë klube që shpenzojnë për stadiumet e tyre dhe nuk mund të pranojnë garë të pandershme në këtë aspekt. Por edhe Kukësi nuk mund të qëndrojë i heshtur. Vërtet nuk ka stadium, por ka paguar "qimet e kokës" që skuadrat kundërshta­re të mos i çojë në fusha sportive apo komplekse pa asnjë kriter. Kukësi ka luajtur gjithë këtë sezon në Kamzë, Tiranë ose Elbasan.

 ??  ?? Pamje e ditëve të fundit në fushën sportive “Redi Maloku”
Pamje e ditëve të fundit në fushën sportive “Redi Maloku”

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania