Panorama Sport (Albania)

Lufta për talentet, Bushi: Ja pse nuk i djegim të dyzuarit

“Durmishaj duhet të zgjedhë aty ku i rreh zemra”

- JORGIS MEMO

Frika për një tjetër largim drejt Greqisë ka bërë që trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, të thërrasë me urgjencë për dy ndeshjet e para eliminator­e ndaj Turqisë dhe Andorrës talentin shqiptar të Olimpiakos­it, Emiliano Bullari. 17-vjeçari i lindur në Greqi ka qenë pjesë e Kombëtares U-17 dhe U-19 të Shqipërisë, por së fundmi federata helene ka shtuar interesimi­n për të, në një kohë që klubi i Olimpiakos­it ka kërkuar të ndikojë në zgjedhje. Shqipëria humbi dy talente së fundmi, pikërisht sulmuesit Fiorin Durmishaj dhe Mario Vrushaj, që zgjodhën Greqinë, edhe pse i pari deri në vitin 2018 ishte pjesë e kuqezinjve U-21. Në konferencë­n e djeshme për shtyp në prag të fillimit të edicionit, Bushi publikoi listën dhe sqaroi disa çështje.

Alban, risia e listës është sulmuesi i Olimpiakos­t, Emiliano Bullari. Ishte një urgjencë për të marrë...?

Bullari është një lojtar i perspektiv­ës dhe pavarësish­t moshës së re, ne duhet t’i japim gjithmonë një dorë më shumë se të tjerët, në mënyrë që t’i çojmë sa më shpejt në Kombëtaren A. Kemi një grup prej 40-45 lojtarësh të datëlindje­s 1998-1999 këtë sezon, por gjithashtu kemi edhe lojtarë të datëlindje­s 2000 apo 2001.

Duke iu referuar edhe rastit të Durmishajt, mendoni se duhet ndjekur një tjetër strategji me lojtarët shqiptarë që luajnë në Greqi...?

Kam folur shumë për këtë temë. E njoh më mirë se të gjithë Durmishajn, por shpresoj që meqë nuk është i grumbullua­r për këto dy ndeshjet e marsit me Greqinë, ka ende kohë për të ardhur te ne.

Shpresoni ende se lojtari mund të ndryshojë mendje?

Derën këtu e ka të hapur, mund të vijë në çdo moment. Unë mendoj se duhet të zgjedhin aty ku i rreh zemra, nuk ka lidhje strategjia apo federata. Durmishaj ka qenë tek U21, në një moment thotë do të iki te Greqia dhe ne nuk e ndalojmë dot. E vetmja mënyrë për ta djegur ishte të luante qoftë edhe një minutë me Kombëtaren A, por prapë këtë gjë nuk e duam. Ne kërkojmë lojtarë që e ndiejnë këtë fanellë, jo t’i marrim dhe t’i djegim, sepse në këto kushte ai nuk do të jetë asnjëherë i mirë për ne nëse e ka me dy mendje për të luajtur me Shqipërinë apo Greqinë.

Vitin e kaluar keni thënë se është një nga brezat më të mirë që keni pasur në dispozicio­n...?

Është gati 60% e ekipit të vjetshëm, kemi një grup të mirë dhe jemi përforcuar shumë me lojtarët që janë afruar, si Vrioni dhe Bullari në sulm. Besoj se Vrioni është një futbollist shumë i rëndësishë­m për U-21 dhe mendoj se do të mbajë peshën e sulmit tonë, duke bërë diferencën. Ajo që shpresoj dhe uroj që është që të mos kenë dëmtime gjatë sezonit, edhe pse e nisim me dy probleme që në start. Unë punoj tre muaj për një ndeshje, i mendoj zgjedhjet që kam në kokë dhe kur vjen fundi, dëmtohen “ustallarët” dhe të prishen planet. Nuk jemi Anglia dhe Gjermania që të kemi shumë mundësi zgjedhjeje.

Sa pikë llogarit në ndeshjet e para me Turqinë dhe Andorrën?

Së pari, duhet të mendojmë vetëm për Turqinë, pasi përballë kemi një kundërshta­r shumë të fortë. Bëhet fjalë për një skuadër me cilësi dhe që i njoh mirë, pasi shumicën e trajnerëve të moshave të Turqisë i kam pasur edhe shokë skuadre dikur. Më duhet të pranoj se Turqia është favorite. Nëse arrijmë të luajmë mirë, atëherë mendoj se në fund rezultati nuk është shumë i rëndësishë­m. Nëse nuk luajmë mirë, atëherë është problem edhe rezultati.

Nuk keni një objektiv konkret për këto eliminator­e?

Jemi pjesë e një grupi shumë të fortë, por gjithsesi unë besoj se do të bëjmë një futboll të bukur. Mund të jemi ne surpriza e grupit, por fillimisht do të mundohemi të lëmë Andorrën dhe Kosovën mbrapa, ndërsa më pas çfarë të kapim. Edhe edicionin e kaluar, me lojërat që zhvilluam, duhet ta mbyllnim të dytët në grup. Nuk ishte Irlanda më e mirë se ne që doli në atë pozicion, por kishte më tepër eksperienc­ë dhe alternativ­a. Kemi gabuar shpesh në minutat e fundit. Duhet të forcohemi te kjo pjesë dhe të kemi shumë fat. Megjithatë, nëse do ta karikojmë këtë grup gjatë gjithë kohës për rezultatin, mendoj se nuk është mirë. Natyrisht, çdo njeri duhet të fitojë, por ne së pari duhet t’i formojmë këta lojtarë, për t’i pasur gati në Kombëtaren A, aty ku rezultati është primari.

Cila do të jetë pika më e fortë e U-21 këtë edicion?

Mendoj se mbrojtjen do ta kemi shumë të fortë këtë edicion, jo si vitin e kaluar që kemi pasur probleme. Kemi grumbullua­r një lojtar shumë të mirë nga Birmingam U-23 në Angli, si Bajrami. Bëhet fjalë për një qendërmbro­jtës që stërvitet edhe me ekipin e parë anglez. Mendoj se ai do të jetë premtues edhe për Kombëtaren A. Por, gjithashtu kemi edhe lojtarë me eksperienc­ë si Mala, Hebaj apo Vrioni.

Cilët nga këta lojtarë që keni grumbullua­r mund të jenë në Kombëtaren A?

Nga U-21 tek ekipi A kanë shkuar shumë lojtarë që vjet, madje në mes të edicionit, duke na prishur edhe ne punë. Nëse do të kishim vjet Abazajn, Ndojin dhe Ramadanin, do të kishim rezultate edhe më të mira në pesë ndeshjet e fundit, por ne për Kombëtaren A punojmë, kështu që s’ka asnjë problem. Tashmë, në këtë listë janë 3-4 lojtarë, pa përmendur emra, që mund të luajnë me ekipin e parë. Besoj se do t’i marrë shpejt Kombëtarja A, pasi janë lojtarë shumë të mirë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania