Panorama Sport (Albania)

Hamilton i tregon “targën” Ferrarit

Piloti i Mercedesit fenomenal, Fetel vetëm i treti, ndërsa Lëklerk niset i pesti

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Luis Hamilton është thjesht një bishë e uritur dhe këtë e tregoi edhe dje në Australi. Sezoni 2019 i Formula 1 starton ashtu si mbaroi, me supremacin­ë e kampionit të botës në fuqi, që sivjet u paraqit në teste duke treguar një masë muskulore të shtuar dukshëm (2 kilogramë më shumë kundrejt një viti më parë), por muskujt ai i tregon mbi të gjitha në pistën e Melburnit, ku thjesht ka shtypur të gjithë rivalët e tij. Në të njëjtën kohë, piloti britanik i Mercedes-Benz largon të gjitha dyshimet dhe ndjesitë negative që kishin dhënë tri javët e testeve në Spanjë, sepse ashtu siç ai kishte nënvizuar, e rëndësishm­e është të jesh i shpejtë në pistë kur gjërat nisin të bëhen serioze, jo në teste.

KUALIFIKUE­SET

Gjithsesi, duke kaluar te provat e djeshme zyrtare, në fund të tyre Luis Hamilton mundi të festojë, madje i gjithë Mercedesi, duke parë edhe kohën e dytë të Valteri Botasit, ndërsa Ferrari thjesht është e detyruar që t'u shohë edhe një herë tjetër targën dy "veturave" nga Shtutgarti. Kampioni i botës në fuqi e ndali kronometri­n me kohën fantastike 1'20''486, ndërsa finlandezi i "Shigjetave të argjendta" siguroi radhën e dytë të nisjes, duke qenë 112 të mijtat më i ngadaltë se "kapiteni" i tij. Po Sebastian Fetel? Shumë larg pritshmëri­ve... Piloti gjerman që dukej së bashku me shokun e tij të skuadrës si favoriti për fitimin e "pole position" në Melburn, nuk ka mundur që të shkojë më lart sesa vendi i tretë, madje me Ferrarin që u duk shumë larg Mercedesit, sepse 702 të mijtat janë një hendek tepër i madh, i cili mund të ndikojë mbi të gjitha në garë. Ndërkohë, Ferrari tjetër e debutuesit Çarls Lëklerk (965 të mijtat larg kohës më të shpejtë) pritej që të nisej e katërta, por në sekondat e fundit ka qenë Maks Vershtapen me Red Bull që ka marrë këtë pozicion (+ 0.834 sekonda nga Hamilton). Ndërkohë, dhjetëshja më e mirë e nisjes u kompletua nga Groszho, Magnusen, Norris, Raikonen dhe Perez.

FLET HAMILTON

Në përfundim të provave zyrtare, pasi përshëndet­i tifozët dhe veçanërish­t fansat e tij, Luis Hamilton është prezantuar disi i surprizuar përballë gazetarëve, duke pranuar se nuk e priste një diferencë të tillë me Ferrarin: "E kisha nënvizuar që gjatë testeve dhe duke parë se si u ndanë kohët, jam realist kur them se prisja një Ferrari më të shpejtë. Diferenca mes nesh duket shumë e madhe dhe kjo na ka habitur, ndonëse në javën e fundit skuadra ka bërë realisht një punë fantastike dhe kjo 'pole' është merita e tyre. Gjithsesi, gara është një histori krejt tjetër. Kalova Senën dhe Shumakerin? Nuk e dija këtë gjë. Për mua është një krenari që, duke vendosur 'pole position'-in e tetë radhazi, kam kaluar dy perëndi të këtij sporti, si Airton dhe Mikael", përfundoi Hamilton.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania