Panorama Sport (Albania)

Formulë e dështuar, kur gara mbyllet dy muaj para fundit

- Besar Bozgo

Formula e Kategorisë së Parë që po aplikohet prej disa sezonesh, gjithmonë e më shumë po rezulton e dështuar dhe skandaloze. Fundjavën e kaluar u zhvilluan ndeshjet e radhës, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë si miqësore. Për sa u përket dy grupeve të "play-off"-it ku luhet për të përcaktuar dy skuadrat që ngjiten në Superiore, vetëm në njërin grup ka garë. Në Grupin A duket se gjithçka ka përfunduar dhe Vllaznia ka siguruar praktikish­t rikthimin në elitë. Kur ekipeve u kanë mbetur edhe nga gjashtë takime deri në fund, shkodranët janë 11 pikë larg ndjekësve më të afërt, Erzenit dhe Korabit. Trajnerët e këtyre ekipeve e kanë deklaruar hapur se nuk kanë më synime këtë sezon dhe se kanë nisur punën për ndërtimin e skuadrave për kampionati­n e ardhshëm. Një kampionat që mbyll llogaritë dy muaj përpara, ndërsa përcaktohe­t një prej ekipeve që sezonin e ardhshëm do të jetë në elitë, kjo tregon se gjendja është skandaloze. Ndërsa në Grupin B nga pesë ekipe, vetëm dy janë ende në garë, Bylis dhe Besa ku diferenca mes tyre është tri pikë. Skuadrat e tjera kanë deklaruar se nuk kanë më objektiva. Për sa u përket ndeshjeve, pjesës më të madhe të tyre u dihet fundi, ndërsa janë krijuar aleancat mes skuadrave. Besa e ka autostradë ndaj Lushnjës që ka nisur të aktivizojë të rinjtë. E njëjta histori edhe në Ballsh ku Bylis fiton me Orikumin 2-1. Përtej deklaratav­e në media apo betimeve solemne se skuadrat që kanë dalë nga objektivat do të luajnë pastër deri në fund, realiteti tregon tjetër gjë. Ekipeve që u duhen pikët, i sigurojnë ato me lehtësinë më të madhe. Në Grupin A, Vllaznia fiton 1-0 ndaj Dinamos. Në këtë takim është sërish braziliani Xhunior që bën heroin dhe i siguron 3pikëshin skuadrës në një takim të rëndësishë­m. Ndërsa në sfidën tjetër, Erzeni mundet në Lezhë nga Korabi me rezultatin 2-0. Duket se garë ka vetëm në grupet e "play-out"-it, por edhe këtu, jo të gjitha skuadrat janë në lojë. Në Grupin A, Vora është ekipi më i rrezikuar për të rënë, ku diferenca me skuadrën më të afërt është pesë pikë. Vorakët kaluan të parët në avantazh në sfidën ndaj Veleçikut, por nuk arritën të rezistonin dhe u mundën 2-1. Koplikasit nga ana tjetër, kanë hedhur një hap të rëndësishë­m drejt mbijetesës. Në sfidën tjetër, Burreli i ka shpëtuar humbjes vetëm në minutën e 90të ndaj Ilirisë. Në Grupin B, Pogradeci dhe Apolonia thuajse e kanë siguruar mbijetesën. Liqenorët janë të parët në grup me 19 pikë, ndërsa fierakët me 16. Tomori, Elbasani dhe Turbina janë ekipet që do të luftojnë deri në fund për t'i shpëtuar rënies në Kategorinë e Dytë dhe ndeshjes "play-out". Fierakët regjistrua­n të dielën fitoren më të thellë në kampionat duke mundur verdheblut­ë me rezultatin 4-1. Një sfidë ku vendësit kanë dominuar dhe kanë siguruar praktikish­t mbijetesën. Në ndeshjen tjetër, Pogradeci ka mundur Turbinën me rezultatin minimal 1-0. Një gol i Peres ka mjaftuar për liqenorët që tashmë duket se kanë mbyllur llogaritë me këtë sezon dhe duhet të mendojnë për kampionati­n e ardhshëm. Një kampionat ku 70% e skuadrave kanë dalë nga objektivat, në një kohë që ekipeve u kanë mbetur edhe gjashtë takime deri në fund.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania