Panorama Sport (Albania)

Spaleti kapi “mat” Gatuzon me Vesinon, Lautaro fshin Ikardin

-

Funerali ishte gati (në aspektin sportiv po flasim), data në lapidar ishte e gdhendur (17 mars 2019), por ajo që duhet të ishte “Darka e Fundit” u shndërrua në një banket zikaltër dhe Luçiano Spaleti bëri në mënyrë të jashtëzako­nshme punën e tij. Trajneri ishte i zoti që në vetëm 72 orë të transformo­nte Interin e tij nga humbja me Frankfurti­n te ndeshja me Milanin. Ashtu siç ai e pranoi në fundin e ndeshjes, puna më e madhe u bë në mendjen e futbollist­ëve duke u përçuar vetëdijen për forcën dhe për të bërë kompakt një grup që u duk në fushën e lojës skuadër, madje me S të madhe.

TAKTIKA- Në aspektin taktik, trajneri zikaltër e zuri “shah mat” Gatuzon me lëvizjen e Vesinos si trekuartis­t. Njeriu i golave me peshë në skuadrën zikaltër e çoi në krizë Milanin duke bërë presing në lojën pa top dhe duke shqetësuar gjithmonë futbollist­in e Milanit që duhet të niste lojën. Gjeti gjithmonë hapësirën dhe kohën e duhur për depërtimet, ashtu si në rastin e golit që zhbllokoi ndeshjen. Ishte edhe mbrëmja e De Vrajt, i cili përfundoi në bandën e të akuzuarve pas eliminimit nga Liga e Europës. Bashkë me Shkrinjari­n çarmatosën Piontekun, i cili ishte rreziku numër një. Në 90 minuta, praktikish­t nuk e pa kurrë topin. Goli i 2-0 ishte për holandezin si “qershia mbi tortë”. Por mbrojtja e Interit vuajti në pjesën e dytë dhe mbi të gjitha goditjet standarde nga erdhën golat e Bakajokos dhe Muzakios.

LAUTARO- Një Inter që u ndërtua në verë mbi aksin Ikardi-Naingolan, ia doli të fitonte pikërisht në ditën kur dy lojtarët më të rëndësishë­m (për motive të ndryshme) nuk ishin në fushën e lojës. Por të dielën në mbrëmje u kuptua një skuadër e fortë dhe e bashkuar, si jashtë ashtu edhe brenda fushës. Një mesazh i qartë se grupi vjen gjithmonë përpara individit. Pastaj është fat që një lojtar, të cilin pak kohë më parë e kemi quajtur zëvendësue­s të Ikardit, luan për skuadrën dhe merr pjesë në manovrën e lojës. Nuk ka mbushur as 22 vjeç, por Lautaro Martinez shijon gjithçka që bën në fushë, feston me shokët dhe dha asistin e golit të parë. Ai e fshiu mungesën e Ikardit. Shënoi penalltinë me gjakftohtë­si përpara Donarumës. “Mjafton ta shohësh në sy për ta kuptuar se çfarë lojtari është. Kemi zgjidhur shumë probleme. Është sulmuesi i duhur”, tha Spaleti pas ndeshjes. Deri tani ka të drejtë. Ai vrapoi dhe bëri presing te mbrojtësit e Milanit duke mos i lënë kurrë që të ishin të qartë me topin në këmbë dhe të nisnin aksionin.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania