Panorama Sport (Albania)

Luis Hamilton pa rivalë, fiton lehtësisht në Francë

Botas e Lëklerk plotësojnë podiumin, Ferrari dobët

- ARTIN LLESHAJ

Luis Hamilton fitoi dje Çmimin e Madh të Francës dhe regjistroi suksesin e gjashtë në Botërorin e këtij sezoni në Formula 1. Britaniku i Mercedes dominoi plotësisht në pistën "Pol Rikard" dhe arriti për herë të katërt radhazi të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit, në një garë që praktikish­t nuk dhuroi emocione. Vendi i dytë shkoi për Valteri Botas, i cili nuk mundi dot të rivalizont­e me shokun e skuadrës dhe e kaloi finishin +18.1 sekonda, më vonë se kampioni në fuqi. Në podium u ngjit gjithashtu edhe Sharl Lëklerk, ku piloti i Ferrarit ishte disa të dhjetat më i ngadaltë se Botas. Ndërkohë, Sebastian Fetel nuk mundi të shkonte më shumë se vendi i pestë, duke përfunduar pas shpatullav­e të holandezit Maks Vershtapen. Kështu edhe një herë tjetër gara rezulton një lojë fëmijësh për britanikun Hamilton, i cili starton pa rrezikuar asgjë dhe e mban qetësisht pas vetes kolegun Botas, ku ky i fundit nuk arrin të shfaqet agresiv. Në Francë mungoi spektakli dhe skuadra Mercedes korri dopietën e saj të gjashtë në këtë sezon

dhe triumfin e tetë në po kaq gara të zhvilluara. Hamilton përsëri tregon një nivel superior, duke e likuiduar për herë të katërt radhazi kolegun e ekipit dhe tashmë e shikon veten të shkëputur plot 36 pikë në renditje nga finlandezi. Ndërkohë shpresat në skuadrën gjermane

për të thyer rekordin e 11 fitoreve radhazi gjatë startit të sezonit janë shumë të mëdha. Ky rekord aktualisht vazhdon t'i përkasë skuadrës MekLaren, e cila në vitin 1988 mori 11 suksese me pilotët Sena dhe Prost. Për sa i përket Ferrarit, vazhdon ecuria aspak pozitive, ku makina

SF90 nuk u shfaq për asnjë moment në lartësinë e duhur për të konkurruar me rivalët. Megjithatë, Lëklerk u tregua i zoti, duke mbajtur pas vetes në start, një Vershtapen agresiv. Më pas e mbrojti më së miri vendin e tretë, e në fund me një xhiro fantastike, rrezikoi që të

rrëmbente edhe vendin e dytë, pasi Botas kishte probleme me gomat. Ndërsa Fetel pas provave katastrofi­ke ku u rendit i shtati, arriti të përfundojë garën në vendin e pestë, ku në fund ia doli të dhurojë edhe xhiron më të shpejtë me gomat soft dhe mori 1 pikë shtesë. Sigurisht

që kjo nuk ishte përgjigjja dhe reagimi që pritej nga ishkampion­i i botës pas zhgënjimit që pati në Montreal. Numrat e këtij sezoni tashmë janë alarmantë dhe një tregues i qartë për pilotin e "kokëkuqes", që e shikon veten plot 76 pikë larg nga kreu i tabelës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania