Panorama Sport (Albania)

Thyen Totenhemin, Konte: Ky është Interi që dua

Pas avantazhit të “Spurs”, zikaltrit përmbysin gjithçka

- Përgatiti: REINOLD BAKALLI

Përsëri në miqësore, përsëri nga pika e bardhë dhe përsëri fitore. Interi mund një tjetër rivale në Champions-in veror dhe ashtu si ndaj PSG-së, vendimtar në penalltinë e fundit rezulton Zhoao Mario. Ekipi i Antonio Kontes konfirmon hapat përpara të kohëve të fundit dhe pasi e nis mes vështirësi­ve takimin, përmbys gjithçka e në fund siguron suksesin. Shija e paraqitjes shtohet edhe sepse Totenhemi vuajti ndaj Interit, pavarësish­t se këta të fundit janë disi më prapa me përgatitje­t për sezonin e ri.

NGJITJE — Fillimi i ndeshjes së djeshme ishte mes drithërima­ve. “Spurs” e nisin më këmbën te gazi dhe gjejnë golin me Mouran pas vetëm tri minutave. Me Son e Eriksen në stol, është Lamela që ndan në dysh mesfushën e Interit e pason për Mouran. Brazilian “mbjell” në vend Shkrinjari­n dhe më pas ndëshkon Handanoviç­in në shtyllën e parë. Shpejtësia angleze bën që zikaltrit të mos bien shumë në sy, por me udhëzimet e Kontes, Interi nis të ngjisë majën. Fillimisht Perisiç pason për Dalbert që nuk fut në mendim Lorisin, teksa më pas kroati tenton dobët nga distanca. Rasti i madh për zikaltrit në pjesën e parë vjen nga një tjetër nënkampion bote. Brozoviç në minutën e 27-të “vizaton” një ylber që ndërpritet nga shtylla e portës së Totenhem. Ky rast shkund të besuarit e Kontes që dhjetë minuta më pas gjejnë barazimin. Dalbert vertikaliz­on për Espositon dhe ky i fundit pason për Sensin që kontrollon dhe me një goditje bilardoje mposht Loris.

JA BARELA — Fundi i pjesës së parë nuk dhuron emocione, teksa në të dytën Konte i beson Barelas dhe Politanos që marrin vendet e Espozitos dhe Galjardini­t. Poçetino reagon me Eriksen e Aldervaire­ld, por minutat flasin për Interin që ngre bariqendrë­n dhe sulmon më me rend. De Vraj ideon për Kandrevën, i cili kroson për Perisiç që nuk gjen devijimin vendimtar. As dy minuta dhe Kandreva bën fantazisti­n duke nxjerrë Perisiç, që gabon i vetëm përballë me Loris. Totenhemi ka rastin më të mirë për avantazh kur Handanoviç gabon në pasim, por goditja e Lamelas bllokohet nga Brozoviç. Rastet nuk mungojnë deri në fund, por Barela ndalet nga portieri Gazaniga, ndërsa Son nga Handanoviç që korrigjon kështu një top të humbur nga Politano në sulm. As dy minutat shtesë nuk sjellin risi, teksa Interi siguron fitoren nga goditjet e 11metërsha­ve.

Pushkash për pak dënon të tijtë, por gabimet e Eriksen dhe Skip përballë Handanoviç i japin një tjetër mundësi Zhoao Marios për të qenë “lëvizja” fituese e Interit. Portugezi nuk gabon dhe Konte shijon suksesin e tretë radhazi.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania