Panorama Sport (Albania)

FIFA aleat i “Zonjës”, ja si Ikardi mund të vijë me 0 euro

-

Cili do jetë fundi i Mauro Ikardit? E kush e di këtë, ndoshta as vetë ai... Ndërkohë, argjentina­si vazhdon të stërvitet në “Appiano Gentile”, i bashkuar me grupin, por në të njëjtën kohë edhe përkrah indiferenc­ës totale të trajnerit Antonio Konte, por edhe të një pjese të mirë të grupit të shokëve të skuadrës. Sulmuesi ka preferuar prej kohësh që të qëndrojë në heshtje për gjithçka flitet rreth tij, ndonëse ajo që nuk ka ndërmend që të ndalet është bashkëshor­tja-menaxhere, Vanda Nara, që herë pas here poston në rrjetet sociale deklarata “dashurie” për klubin zikaltër dhe të ardhmen e “bomberit” të saj. Ish-kapiteni vazhdon të përpiqet të bindë trajnerin Konte se duhet t’i japë edhe një shans, por deri në këtë moment si “gjenerali” ashtu sikurse edhe drejtuesit e klubit nuk kanë shfaqur në asnjë moment “pendesë” lidhur me këtë çështje. Përkundraz­i, ata vazhdojnë ta thonë troç dhe me zë të lartë se Ikardi duhet të largohet sa më shpejt nga Interi. Por pikërisht këtu hyn në skenë Juventusi. Klubi bardhezi fërkon duart kur sheh që tensioni rritet mes Ikardit dhe milanezëve, duke qenë se, përveçse deri tani kanë parë që t’i rrëmbejnë njërin prej dy objektivav­e të përbashkët (Danilo zbarkoi dje, Lukaku mbetet në pritje), kampionët e Italisë kanë si aleat të një plani shumë djallëzor edhe rregullore­n e FIFA-s, por që mund të zbatohet vetëm verën e ardhshme. Nëse Interi kërcënon Ikardin se nëse nuk gjen një skuadër tjetër, klubi mund ta dënojë duke e lënë jashtë skuadre, në ndihmë lojtarit dhe të Juves vjen Artikulli 15 i FIFA-s, i cili saktëson se: “Nëse një lojtar që nuk është i dëmtuar, por për çështje divergjenc­ës nuk luan të paktën 10 për qind të ndeshjeve sezonale, duke u lënë jashtë projektit, atëherë ai mund të kërkojë largimin dhe prishjen e kontratës në mënyrë konsensual­e (me parametër zero)”. Dhe diçka e tillë i fut të dridhurat Interit e Marotës, por mund t’i bëjë një nder të madh Juves, nëse blerja e Ikardit nuk finalizohe­t këtë verë, por pritet ajo e ardhshmja.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania