Panorama Sport (Albania)

Bizhdili: Luajmë në Elbasan, ‘ngriva’ merkaton

"Humbje të thella pësojnë klubet e Europës, e jo më ne"

- FERIZ FERIZAJ

Humbja 0- 6 ndaj Besëlidhje­s e tronditi Besën. Edhe pse e nisën fazën përgatitor­e me idenë e qartë për të pretenduar ngjitjen, pësimi i kaq shumë golave ka shqetësuar ndjeshëm edhe tifozët. Por, më shumë se një disfatë në miqësore, degradimi i stadiumit dhe stopimi i merkatos janë ato që krijojnë panik. E megjithatë, për të qetësuar kavajasit mendon vetë presidenti. Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", Nexhat Bizhdili u jep përgjigje që të gjitha paqartësiv­e të krijuara dhe garanton se skuadra do të jetë gati për startin e sezonit më 14 shtator.

Besa humbi thellë 0-6 me Besëlidhje­n. Çfarë po ndodh me ekipin?

Një ndeshje e humbin thellë klubet e Europës, jo më Besa. Jemi ende në fazë përgatitor­e dhe pa afrime, vetëm me djem të rinj. Në miqësoren me Besëlidhje­n munguan Çelhaka, Perja, Shimaj, Kullolli. Magani kishte në provë 3 lojtarë të rinj. Nuk më shqetëson fare rezultati i një miqësoreje, pasi ju patë me Bylisin një tjetër Besë. Janë momente ngarkese fizike, janë momente që merkaton e kam "ngrirë" për momentin.

Thoni se keni "ngrirë" merkaton, por kohë nuk ka...

Unë i kam kontaktuar lojtarët që do afroj, qoftë në variantin e Superiores, qoftë në Kategorinë e Parë. Për momentin ua kam sqaruar se pres vendimin zyrtar të FSHF- së se ku do të luajë Besa. Mos kini merak se kam dhënë prova që afrimet i bëj brenda ditës.

Megjithatë, Besa nuk ka fushë ku të luajë. Stadiumi "Besa" është degraduar.

E vërtetë që fusha është degraduar, pasi ka dekada që nuk është ndërruar tapeti i saj. Ndërsa për stadiumin kërkohen fare pak investim të bëhet i vlefshëm për garën. Ju e dini se unë jam aksioner me bashkinë dhe ka vetëm pak ditë që kryetari i ri ka nisur detyrën. Ende s'kemi një komunikim zyrtar, pasi sikurse e dini, ne kemi bashkëpunu­ar me bashkinë, pavarësish­t kush ka qenë në krye të saj, për interes të futbollit kavajas.

Kohë nuk ka. Ku do të luajë Besa?

Për të dy variantet i kemi marrë masat. Nëse do të konkurrojm­ë në Superiore takimet e para do t'i luajmë në Elbasan. Nëse do jemi në Kategorinë e Parë, në stadiumet afër Kavajës. Kjo, pasi do të ndërrojmë tapetin dhe masat i kemi marrë edhe për këtë. E rëndësishm­e është ta ndajmë mendjen zyrtarisht ku do luajmë e pastaj vijnë të gjitha, mërkato, fusha, e të tjerat.

Pra, po thoni se tifozët nuk kanë përse të bien në pesimizëm?

Aspak. Vjet ju e patë se për një ndeshje humbëm sezonin edhe për fajin e tifozëve. Shpresoj e uroj që ai gabim të jetë kuotuar si ndëshkim i rëndë për ta dhe ekipin. Sa për garancitë, ju siguroj se menjëherë pas vendimit zyrtar të FSHF, do shihni ndërtimin e Besës ashtu si duan tifozët.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania