Panorama Sport (Albania)

Rozberg “thumbon”: Vershtapen, më i mirë se Luis Hamilton

FORMULA 1/ Vazhdon lufta ndërmjet dy ish-shokëve të skuadrës

-

Momenti kulmor i duelit ndërmjet Luis Hamilton dhe Niko Rozberg ishte viti 2016, atëherë kur dy pilotët ishin shokë skuadre te Mercedes, duke e vijuar betejën për titullin kampion deri në garën e fundit. Ai që doli fitimtar ishte Niko Rozberg, pas një sezoni praktikish­t perfekt, ndërsa Luis Hamilton pa gjermanin teksa i rrëmbente titullin për vetëm për pak pikë e për disa probleme të shfaqura në njëvendësh­en e tij. Në atë kohë, Rozberg gjatë ditëve të para të dhjetorit në mënyrë të papritur vendosi të tërhiqej nga Formula 1, duke e braktisur këtë sport për shkak të stresit të shumtë që i kishte sjellë sezoni që i dha titullin (të vetmin) në një betejë me një pilot kalibri si Hamilton. Në atë sezon, dueli ndërmjet dy pilotëve kishte arritur majat, një rivalitet i madh që i ktheu në armiq. Nuk mund të ndodhte ndryshe, duke parë se në mes ishte një titull botëror. Që pas tërheqjes së gjermanit, Hamilton ka arritur të fitojë dy Botërorë radhazi (2017, 2018), ndërkohë që ka prenotuar edhe të tretin (2019). Megjithatë, ndonëse Rozberg qëndron larg Formula 1, që prej fundit të 2016ës, ditët e fundit rivaliteti duket se është ndezur sërish. Shkak është bërë një deklaratë e Rozberg para se të zhvillohej Çmimi i Madh i Hungarisë, ku shprehet se Maks Vershtapen e ka kaluar Hamiltonin dhe është ai piloti më i mirë në F1. Rozberg gjithashtu shtoi se Hamilton e ka kaluar momentin e tij më të mirë dhe tashmë aftësitë e tij janë në rënie. “Mosha më e mirë për një pilot është 30, 31, 32. Më pas me kalimin e viteve aftësitë e tua fillojnë të bien”, ishte shprehur gjermani në një video të postuar në blogun e tij.

Hamilton: S’më intereson, për mua flasin rezultatet

Ndërkohë nuk vonoi shumë as përgjigjja e Hamiltonit ndaj deklaratav­e të ish- shokut të skuadrës. “Nuk e kam parë kurrë blogun e tij dhe nuk e di se kush mund ta ndjekë, por mund të them se nuk ka asnjë lidhje me atë që unë bëj. Nuk më intereson aspak, pasi çdokush ka mendimin e tij”, thotë fillimisht Hamilton. “S’më intereson aspak nëse ka të drejtë apo jo. Mjafton të shikosh vetëm rezultatet që unë kam arritur ndër vite, të cilat flasin vetë. Jam 34 vjeç dhe ndihem në topformë kur drejtoj. Njerëzit e shohin që nuk kam humbur aspak në shpejtësi”, përfundon britaniku.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania