Panorama Sport (Albania)

Milan, Olmo dhe Rebiç alternativ­at për Angel Korrean

“Djalli” në kërkim të një sulmuesi, sytë nga objektivi i Interit

- Përgatiti: REINOLD BAKALLI

Milani prej kohësh është në kërkim të një sulmuesi dhe është në bisedime me Atletikon e Madridit për Angel Korrean. Për argjentina­sin, kuqezinjtë ofrojnë 45 milionë euro, ndërsa drejtuesit spanjollë kërkojnë të paktën 55 milionë euro për ta lënë të lirë lojtarin. Teksa duhen edhe tri javë nga mbyllja e merkatos, drejtuesit e Milanit nuk po munden të arrijnë një marrëveshj­e me Atletikon e Madridit. Në këtë situatë, italianët tani po shikojnë edhe për alternativ­a të tjera dhe, sipas asaj që shkruan “Tuttosport”, 7 herë kampionët e Europës interesohe­n për sulmuesin e Aintraht Frankfurti­t, Ante Rebiç. Kroati ka një çmim largimi prej 40 milionë eurosh dhe përfiton 3.5 milionë euro në sezon, pikërisht shifrat që dëshirojnë te Milani, të cilët së shpejti mund të bëjnë një ofertë për të. Kujtojmë se për 25-vjeçarin prej kohësh interesohe­t edhe Interi dhe mund të kemi një derbi në këtë fund të merkatos. Nga milanez, “derbi” mund të shndërrohe­t në italian, pasi ndaj Rebiçit janë të ndezur edhe radarët e Napolit që pas refuzimit të Pepes dhe problemeve për të bindur Ikardin kërkojnë një sulmues për të përforcuar vijën e parë të ekipit të drejtuar nga Karlo Ançeloti, që edhe ndaj Barcelonës shfaqi probleme në raportin me portën rivale.

LOJË “KROATE” - Sipas “Corriere dello Sport”, drejtuesit kuqezinj kanë rikthyer interesimi­n për Dani Olmon. Zvonimir Boban ndodhej gjatë gjithë javës në Kroaci për të folur me lojtarë të ndryshëm dhe mendohet se mund të ketë folur edhe për 21-vjeçarin spanjoll (ka edhe pasaportë kroate). Dinamo e Zagrebit pranon ta shesë kampionin e Europës U-21 dhe për diçka të tillë pretendon 25 milionë. Deri më tani asnjë ekip nuk e ka plotësuar këtë kërkesë dhe mesfushori është në pritje të një oferte, që do t’i kënaqte të dyja palët. Me klubet angleze që janë larguar nga gara për shkak se merkato është mbyllur, mundësitë që atë ta shohim te Milani janë vërtet të mëdha, sidomos nëse Boban vendos të “zbresë” vetë në fushë për të ndërmjetës­uar për transferim­in. Gjithsesi, ky është një plan B për kuqezinjtë, pasi objektivi i parë është Angel Korrea dhe në rast se dështon ky objektiv, atëherë mund të nisin kontaktet me Olmon, për të cilin interesi ka qenë i fortë edhe në fillim të merkatos.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania