Panorama Sport (Albania)

Gega sërish super, rekord kombëtar në 5000 metra

Trajneri Stermasi: Sportistja e parë që arrin normën olimpike

- ARTIN LLESHAJ

Luiza Gega shkëlqen edhe në ditën e dytë të kampionati­t europian ekipor të atletikës (Liga 3), që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut. Pas suksesit në 3000 m/p, atletja më e mirë shqiptare zuri vendin e parë edhe në garën e 5000 metrave, duke vendosur rekord të ri kombëtar. Ajo e ndali kronometri­n në 15'36"89, duke përmirësua­r kështu rekordin e mëparshëm me 10 sekonda e 27 të qindtat (15'46"89). Ndonëse kushtet atmosferik­e nuk ishin shumë të favorshme, duke parë temperatur­at e larta dhe lagështinë, Luiza Gega sërish dhuroi prova fantastike. Pas garave, për "Panorama Sport" u prononcua edhe trajneri i Gegës, Taulant Stermasi. Ja si e komentoi ai paraqitjen fantastike të Luiza Gegës në eventin e Shkupit: "Një tjetër garë e shkëlqyer edhe në 5000 metra, duke vendosur edhe një rekord të ri kombëtar. Ndërsa në 3000 metra me pengesa, Luiza ka vrapuar gjatë 3 viteve të fundit 6 herë nën kohën 9.30, e cila është norma kualifikue­se për 'Tokyo 2020'. Koha e re 9.25.80 ishte vërtet shumë mbresëlënë­se, duke parë kushtet klimaterik­e, me temperatur­at mbi 30 gradë me lagështirë. Aktualisht është sportistja e parë shqiptare që arrin të kualifikoh­et për në 'Tokyo 2020' nga sporti shqiptar. I vetmi problem që prisnim ishte gara pa konkurrenc­ë, pasi e dinim se do të ishte pothuajse e pamundur që kundërshta­ret të mbanin ritmin e Luizës dhe ashtu ndodhi. Që në startin e garës Luiza ka garuar e vetme dhe i vetmi motiv më shumë ishte të kalonte me nga 1 xhiro dhe 2 xhiro rivalet. Me rezultatin jemi të kënaqur, por sigurisht që presim më shumë, pasi do të na duhet të kemi kohë me të shpejtë, sepse në stërvitje ka treguar që ka përmirësim­e të mëdha në nivelin teknik dhe atë fizik".

SEKRETI I REZULTATEV­E FANTASTIKE

Më pas, trajneri i kampiones së atletikës shqiptare rrëfen sekretin e këtyre paraqitjev­e fantastike, ku ndonëse problemati­kat janë të mëdha, rendimenti i Luizës është gjithnjë i jashtëzako­nshëm. "Sekreti është i thjeshtë: puna e përditshme dhe përkushtim­i në maksimum për të arritur më të mirën e saj. Luiza ka deklaruar shumë kohë më parë se do të bëjë sport elitar deri sa të përfundojë karrierën. Ditën që s'do të jetë në nivele të larta, do të tërhiqet. Sigurisht që mungesa e pistës së tartanit në Tiranë e bën jashtëzako­nisht të vështirë stërvitjen dhe s'mundesh të plotësosh programin e stërvitjes. Për këtë arsye, që nga fillimi i prillit, Luiza është e grumbullua­r në Dardhë të Korçës. Stërvitja zhvillohet mes Dardhës dhe stadiumit 'Skënderbeu' në Korçë. Por gjithsesi, për një garë teknike si e Luizës, nuk mundemi të bëjmë dot teknikë për kalimin e pengesës së ujit, pasi në stadiume ose mungon pengesa, ose uji për të mbushur gropën. Megjithatë, Luiza ka treguar se me vullnetin e madh që ka, ia ka dalë t'i kalojë këto sfida dhe po bëhet gati për Botërorin e Dohas, si e vetmja atlete që ka arritur normën kualifikue­se", përfundon trajneri Stermasi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania