Panorama Sport (Albania)

Dovi shtang në finish Markezin

Italiani, në delir pas suksesit të djeshëm: Realizova një parakalim vërtet të çmendur

- ARTIN LLESHAJ

Andrea Doviciozo fitoi dje Çmimin e Madh të Austrisë në Moto GP, duke rigjetur suksesin që i mungonte tashmë që prej garës së parë sezonale. Italiani i Dukatit realizoi një kryevepër të vërtetë, duke e ruajtur gjatë ritmin e rivalit Markez, për ta kaluar më pas atë në mënyrë spektakola­re pranë finishit, gjatë kthesës së fundit. Një vend të tretë mjaft të bukur arriti të merrte Kuartararo i Yamaha Petronas, ndërsa Valentino Rosi u rendit i katërti duke përfunduar jashtë podiumit. Gjithsesi, edhe pas kësaj gare, Markez vazhdon ta ruajë vendin e parë, me një diferencë të rëndësishm­e pikësh +58 nga kundërshta­ri i tij Andrea Doviciozo. Por edhe një herë tjetër cirkuiti Spilberg vazhdon të mbetet një tokë ku dominon Dukati, ndonëse këtë radhë triumfi mund të quhet një meritë e gjitha e Doviciozos. 33-vjeçari i skuadrës italiane u tregua fenomenal duke e mbajtur ritmin e spanjollit të Hondas gjatë gjithë garës dhe duke e penguar atë në çdo tentativë për shkëputje. Atëherë kur dukej e pamundur, Dovi e shtang kampionin në fuqi, pikërisht në kthesën numër 10, duke realizuar një xhiro vërtet drithërues­e. Ndonëse Botërori vazhdon të jetë një utopi, për shkak se avantazhi i Markezit është i madh, Dovi dhuron një provë force. Megjithatë, Dukati zyrtar nuk feston plotësisht, pasi piloti tjetër, Danilo Petruçi, e përfundoi garën në vendin e nëntë, pas një fundjave vërtet për t'u harruar për të. Një garë tepër pozitive ishte ajo e skuadrës Yamaha, e cila vinte në Austri e vetëdijshm­e që do vuante shumë diferencat e motorit me Hondan dhe Dukatin. Por arrin të marrë një vend të tretë më Kuartararo­n, ndërkohë që me motorin zyrtar siguron vendin e katërt me Rosin dhe atë të pestë me Vinjalesin. Moto GP do të rikthehet më 25 gusht,

me Çmimin e Madh të Britanisë.

ANDREA DOVICIOZO Shumë i lumtur dhe i buzëqeshur u paraqit Andrea Doviciozo pas triumfit të arritur në Çmimin e Madh të Austrisë. "Këtë fitore ia dedikojmë sigurisht mikut tonë,

Luka Semprini (zyrtar i shtypit në skuadrën Dukati, i ndarë nga jeta disa ditë më parë) dhe të gjithë skuadrës, që po bën një punë të shkëlqyer", shprehet Doviciozo. "Të fitosh në këtë mënyrë, të jep një kënaqësi të madhe dhe shumë besim për garat e ardhshme. Ishim disi me fat në zgjedhjen e gomave 'soft'. Në kthesën e fundit bëra diçka të çmendur. Nuk e kisha në mendje dhe as që e mendoja se mund ta provoja diçka të tillë. Por thashë me vete të shkojë si të shkojë, gjithsesi i dyti do të dilja. Por veprova dhe e realizova shumë mirë", thotë më pas italiani. Në fund, i pyetur se në cilin pozicion e rendit këtë sukses, ndërmjet të gjitha fitoreve që ka arritur në karrierë, ai përgjigjet: "Kjo e sotmja (e djeshmja) mund të quhet ndër më të mirat, e mund të luftoj edhe për vendin e parë", përfundoi piloti i Dukatit.

 ??  ?? Momenti i parakalimi­t të Doviciozos ndaj Markezit
Momenti i parakalimi­t të Doviciozos ndaj Markezit
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania