Panorama Sport (Albania)

Sarri: Situatë e turpshme, duhet të lë jashtë Champions-it 6 kampionë

Trajneri: S’vendos unë për merkaton e Dibalën

-

Fitoret që vlejnë tri pikë janë të tjera, megjithatë Mauricio Sarri u kënaq vetëm me paraqitjen e të tijve në sfidën kundër Atletikos së Madridit. Mes pakënaqësi­ve për merkaton dhe faktit që drejtuesit nuk e “llogarisin”, tekniku mbetet optimist dhe besimplotë për sezonin e ri. Në një intervistë për televizion­in e Juves, Sarri analizoi këto muaj të parë në krye të stolit juventin.

Sa ndihmojnë miqësoret e verës për të kuptuar gjendjen e një ekipi?

Nga ndeshja me Atletikon dola shumë i kënaqur. Mes formës që nuk është e duhura dhe zëvendësim­eve të shumta, më duhet të them se rezultati më lë indiferent, pavarësish­t se do të kisha çmuar më shumë një fitore. Çdo javë ka prurje të reja dhe puna me ta nis nga zero, por ky problem më takon mua që ta zgjidh, rëndësi ka që në fushë të ndiqen detyrat dhe të ulim numrin e golave të pësuar. I dyti ndaj Atletikos është nga ata që nuk dua t’i pësojmë kurrë.

Po në aspektin e mentalitet­it, si ju duket ky Juventus?

Ndryshe nga miqësoret në Azi, ndaj Atletikos shfaqëm ide dhe personalit­et të mirë, sidomos në pjesën e parë kur qarkulluam si duhet topin dhe mbuluam mirë hapësirat. Në pjesën e dytë ky aspekt u përkeqësua, sepse edhe ata që u futën në fushë nuk janë në momentin e tyre më të mirë.

Cilat janë idetë tuaja mbi merkaton? Çfarë dëshironi konkretish­t?

Habitem me ato që shkruajnë gazetat për mua dhe kërkesat e mia. Zgjedhjet u përkasin drejtuesve, mua nuk më llogarit askush. E keni idenë për organikën e Juventusit. Më duhet të lë jashtë listës për Champions gjashtë kampionë dhe këtë fakt nuk e kam lexuar askund.

Si mendoni se duhet të zgjidhet kjo çështje?

Kjo është një situatë e turpshme dhe na ka vendosur në vështirësi. Nuk ka asnjë vlerë të planifikos­h merkaton nëse nevojat nuk plotësohen. Këto ditë të mbetura në merkato do të jenë të vështira për ne, sepse nëse nuk ka largime, gjashtë lojtarë të nivelit të lartë do mbeten jashtë listës sime për

Ligën e Kampioneve. Këtë situatë duhet ta zgjidhim, pavarësish­t se nuk është e lidhur në mënyrë direkte me zgjedhjet e trajnerit apo të klubit.

Kalojmë tek aspektet e fushës. Si duket Dibala? Është ai sulmues apo 9-sh fals?

Çdo vlerësim që do të bëja në këto momente do të ishte i parakohshë­m. Me grupin është stërvitur dy herë dhe ndaj Atletikos e aktivizova për 30 minuta. Në këto rrethana forma e tij nuk është maksimale e për pasojë as unë nuk mund ta vlerësoj se çfarë roli mund të ketë në fushë. Është aq i zoti sa mund të luajë kudo, megjithatë për karakteris­tika dhe numër golash sezonalë, mund të bëjë edhe 9-shin fals. Kur të gjithë lojtarët të kenë arritur formën optimale, do të bëj edhe unë vlerësimet e mia mbi faktin se sa mund ta “popullojmë” zonën rivale duke luajtur me Dibalën si 9-sh fals.

A keni folur me Dibalën veçmas?

Mund të flasim sa të duam, por merkatoja merr një drejtim të caktuar dhe ato që them unë vlejnë pak. Mund t’ju konfirmoj se duhen skarcuar gjashtë futbollist­ë. Të ishte për mua, do t’i mbaja të gjithë, por nga ata vetëm Pinsoljo është formuar te Juvja, të tjerët duhen sistemuar.

Duglas Kosta a ju pëlqen. Sa i përshtatet futbollit tuaj të karakteriz­uar me mbajtje topi?

Më duket i aftë për çdo lloj futbolli. Driblon, krijon superiorit­et dhe pas dëmtimit të vitit të kaluar më duket edhe më i vendosur. Nëse është në formë ta ndryshon ndeshjen, ndaj e ka vetë në dorë që të vazhdojë me ritme të larta. Dëshira nuk i mungon.

Sa për qind mund të thuhet se kjo Juve është e Sarrit?

Do të na duhet të bëjmë disa zgjedhje pas disa javësh. Më duhet të punoj mbi detajet dhe në aspekte që mbase nuk bien fort në sy, por që në fund mund të vendosin rezultatin. Nuk di të them se sa kjo Juve është e imja, por kam kuptuar se në mendjet e djemve po forcohet ideja për të diktuar ritmin e ndeshjeve.

A mjaftojnë dy javë për të parë diçka tuajën ndaj Parmës?

Zakonisht nuk mbërrij gati në të tilla takime. Duke përjashtua­r Çelsin ku u bëra trajneri debutues që qëndroi më shumë ndeshje pa humbje, kudo tjetër kam vuajtur. Napoli i vërtetë u pa në mes të shtatorit kur luanim në Champions. Uroj që te Juventusi të më duhet më pak kohë.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania