Panorama Sport (Albania)

Kur Targaj shënonte si Panienka në “Qemal Stafa”

Ish-mbrojtësi i shquar i Kombëtares bëri bujë në derbi

- Nga UVIL ZAJMI

Si lindi, çfarë ishte dhe për faqësonte "Fenomeni Panienka" i 11-të metrave? Si shpërtheu moda dhe kur një botë sportive vihet në ndjekje për ta imituar. "Edhe pas 45-vitesh 'luga' ime ka mbetur një metodë që fuksionon në 90% të rasteve. Po të kisha gabuar, do të përfundoja duke bërë punë në fabrikë", është shprehur njeriu që sot është 67 vjeç dhe që shpiku e revolucion­arizoi goditjen e famshme. Po në Shqipëri cilët kanë qenë "panienkat" e diskut të bardhë? Nga ekzekutimi spektakola­r kur mbrojësi goleador dinamas, Targaj, shtangu një stadium me trukun befasues, duke realizuar në portën e Mustës, mikut të tij, në Partizani-Dinamo, i njohur si derbi i 14-të penalltive. Për të vijuar me Gëzdarin, Metanin, Likën, Memën, edhe Vasil Bicin, lezhjani që realizoi në Lushnjë ndaj Traktorit. Këta janë vetëm disa prej tyre...

"Euro 1976", "artisti" Panienka që ndryshoi historinë

Çekosllava­kia fitoi Europianin 1976 falë një shpikjeje. Kujtesa na kthen gati gjysmë shekulli më parë, në kampionati­n europian, në finalen Çekosllova­ki-Gjermani 2-2 (5-3 me penallti). Shumë e kujtojnë atë ndeshje, jo vetëm për golat, triumfin e çekëve, por për emocionet që ofruan goditjet nga pika e bardhë dhe në veçanti për Panienkën dhe eksperimen­tin e tij që habiti një botë sportive. "Askush nuk mendonte dhe nuk e mori seriozisht, ndonëse unë isha i shqetësuar se shoku im i skuadrës, Antonin Panienka, mund të shkatërron­te gjithçka duke e gjuajtur penalltinë sipas mënyrës së tij në atë finale zhvilluar në stadiumin "Crvena Zvezda" në Beograd. Por ai i habiti të gjithë", kujton portieri Viktor.

Një hotelier me emrin Antonin Panienka

28-vjeçari me profesion hotelier, Antonin Panienka, është shpikësi i ekzekutimi­t të një penalltie, e cila nga atëherë në botë do të njihet e të quhet "goditja lugë". Mesfushor organizato­r i skuadrës Bohemia të Pragës, ekip modest në të tretën, Panienka do të ishte dhe truri i ekipit kombëtar, duke filluar nga ndeshjet në grupe dhe në fazën finale të evenimenti­t që i dha famë. Në gjysmëfina­le, Çekosllova­kia me ndihmën e arbitrit Thomas, që në minutën e 9-të shtesë nuk sanksionoi një faull të Panienkës ndaj Krujfit, topi luhet nga Veselej, i cili ia kalon Nehodës dhe 2-1. Rezultat që befasoi dhe eliminoi Holandën. Vetë Thomas vite më vonë do të pranonte se kishte gabuar dy herë duke mos e vërshëllye­r atë faull dhe duke përjashtua­r më pas Van Hanegem për protestë. Në finale Çekosllava­kia luajti kundër Gjermanisë kampione e botës. Kjo e fundit kishte eliminuar Jugosllavi­në, e cila e dominoi për një kohë të gjatë takimin, deri kur trajneri Shën hodhi në minutën e 79-të në fushë sulmuesin e ri të Këlnit, Diter Myler. Në të parën ndeshja me ekipin kombëtar, atij i mjaftuan vetëm tri minuta për të shënuar golin e parë dhe barazim 1-1. Në shtesë, me dy gola të tjerë gjermanët siguruan finalen, e cila nisi e vrullshme: Pas 8 minutash, Jan Svehlik mposhti Maierin dhe 1-0 për çekosllvak­ët. Bekenbauer­i në ndeshjen e njëqind në kombëtare pati gabuar dhe Dobias dyfishoi. Me golin e shënuar nga Myler ata e rihapin sfidën, e pas pak Holzenbain barazoi. Shtesat nuk e ndryshojnë rezultatin dhe për herë të parë në histori, një titull europian do të vendoset me 11 metërsha. Serinë e tyre e nisin Masny, Bonhof, Nehoda, Flohe, Ondrus, Bongartz dhe Jurkemik që nuk gabojnë. I takon Uli Hënesit, i cili godet dhe topi i lartë del jashtë. Radhën e kishte Antonin Panienka. Përballë ishte i madhi Sepp Maier, i cili në dhjetë vite nuk kishte munguar në asnjë ndeshje dhe nga 1972 pati fituar tri Kupa të Kampioneve, një Botëror dhe një Europian. Pa e menduar se çfarë ka në kokë "mustaqja" që do të godasë penalltinë e jetës, ai është vendosur te vija e bardhë e portës me shpresë...

Goditja që ndryshoi historinë e pikës së bardhë

Atë natë ankthi në Beograd, të gjithë lojtarët çekosllvak­ë e dinin si do të godiste Panienka. Edhe trajneri, pasi i kishte kërkuar ta ekzekutont­e ai penalltinë e fundit. Në kampionat e kishte aplikuar disa herë, por që ishte mbajtur tepër sekret në atë turne. Tashmë radhën e kishte pikërisht Antonin. Arbitri vërshëlleu. Një vrull i gjatë, një mashtrim sikur do të bënte një goditje potente, por jo: Panienka ndodhej një hap larg pikës, ndaloi dhe Maier ka bërë një lëvizje në të majtë. Një goditje e butë poshtë sferës, duke e përkëdhelu­r atë, pastaj një parabolë e lehtë, e ëmbël dhe... topi që përfundoi në rrjetë. Truku ka rezultuar me sukses dhe Maier dorëzohet nga ajo goditje vdekjeprur­ëse. "Me atë mënyrë goditjeje, isha 100% i sigurt se do të shënoja. Po të kisha gabuar, do të kisha përfunduar duke punuar në fabrikë", pati thënë më pas mjeshtri Panienka. Fantazia në këtë rast është bërë realitet. Lind kështu goditja "lugë", një veprim që ka hapur portat e një legjende dhe "penalltia Panienka" do të ketë markën e firmën e njohur të saj në të gjithë vendet europiane e më gjerë. "Unë besoj se penalltitë kanë të bëjnë më shumë me psikologji­në sesa me teknikën. Atëherë ishte më e lehtë për t'i shënuar. Edhe në rastin tim, askush nuk e dinte dhe nuk priste mënyrën si do të godisja unë", pati thënë njeriu që i tregoi botës krijesën e tij. Basti për një birrë

Atë që ka në kokë Panienka di ta bëjë mirë, pasi atë goditje kishte kohë që e praktonte disa vite më parë. Fillimisht për shaka, ose për baste miqësie me Zdenek Hrushka, portierin e Bohemias, kur pas stërvitjes, për një birrë ose një stekë me çokollata, Hrushka ia priste të gjitha. Duke e ditur se portierët hidhen gjithmonë nga njëri krah, ata mund të befasohen dhe janë të papërgatit­ur nga një gjuajtje apo goditje e butë, e thjeshtë, pa forcë dhe qendrore. Në kërkim të një gjetjeje, Panienka e gdhinte duke menduar mënyrën si të fitonte duelin. "Doja t'u jepja tifozëve diçka të re për të parë, që askush nuk e priste, për të cilën do të diskutonin në pijetore dhe kudo. Me idenë që futbolli të jetë më shumë sesa thjesht një moment i të gjuajturi të një topi", rrëfente ai. Ndërkohë, portieri Viktor e dinte mirë çfarë do të bënte Panienka, sepse ishte magjepsur edhe ai nga një ndëshkim i tillë në kampionat. Por situata ishte ndryshe, përgjegjës­ia ishte shumë më e madhe në atë finale. Ai veprim ishte një vizion i futbollist­it në një gjest të vetëm, një ekzekutim i një penalltie që ndryshoi historinë. Një zgjedhje e konceptuar, e dëshiruar dhe e konsiderua­r deri atëherë si gjeniale. Kështu e patën përcaktuar gazetarët, specialist­ët dhe mbarë opinioni sportiv.

Reagimi, Pele: "Vetëm një i çmendur ose gjeni..."

Goditja që befasoi gjithë botën ishte ajo që u dha trofeun çekosllvak­ëve. Por njëkohësis­ht pati një reagim të madh. "Vetëm një i çmendur ose një gjeni mund ta godasë në atë mënyrë", e pati përshkruar legjenda Pele. Ndërsa sipas shkrimtari­t spanjoll Cesar Sanchez Lozano, ajo penallti është një vepër arti. "Edhe më shumë nëse shtoni presionin, penalltia e fundit, apo faktin se ai vinte nga një komb i bllokut komunist. E megjithatë, përkundër gjithë kësaj, Panienka dhuroi një veprim spontan të jashtëzako­nshëm", thotë Lozano i impresionu­ar. Në një rrëfim për histori pak të njohura, personazhe të humbura e të harruara, nisur nga ana romantike e futbollit, e ka quajtur Panienkën thjesht si eksperti që ndryshoi historinë: "Historia nuk është e shkruar vetëm me fitoret,- thotë ai. Ndonjëherë, është më e rëndësishm­e se si janë arritur ato. Askush nuk i kujton lojtarët e tjerë të ekipit kombëtar kampionë të Europës, por në veçanti Panienkën, i cili bëri diçka unike dhe ndikimi ka shkuar më shumë se përtej penalltisë". Me fantazinë e tij, Panienka sfidoi të ardhmen e kësaj loje.

Revolucion­i "Panienka" dhe një botë e tërë pas tij

Pas tij, të shumtë janë ata kampionë, nga Mesi, Zidane, Pirlo, Toti, e të tjerë që kanë kopjuar Panienkën. Një plagjiatur­ë që vazhdon edhe sot në kohët moderne, 40-vite nga kryevepra origjinale. "Goditja Panienka" që ndryshoi botën e interpreti­mit të penalltisë. Panienka dhe penalltia revolulcio­nare e tij", kështu e kanë konsiderua­r. Një goditje e butë, inteligjen­te, perfekte, shumë psikologji­ke që përfundon në rrjetë dhe portieri i hedhur nga njëra anë". Panienka, shpikësi i "goditjes magjike", është sot 67-vjeç, mban të njëjtat mustaqe si ato të 20 qershorit 1976, kur i tregoi botës krijesën e tij. "Kur shoh që ekzekuohet penalltia ime, më bën të jem krenar", thotë njeriu i të parës "lugë" në historinë e futbollit, që u bë ankthi më i madh i portierëve.

Shqipëria futbollist­ike, në "gjurmët" e Panienkës

Moda dhe stili i tij përfshiu të gjithë botën futbollist­ike, deri edhe atë shqiptare. Në vitet '80 kemi rastet me protagonis­tët, midis tyre lojtarë të njohur të klubeve të kryeqyteti­t. Dikush në ndeshje miqësore, Kupash, apo ndonjë më i guximshëm në takime zyrtare. Në një rrëfim kujtues me "Panienkat shqiptarë", do t'u rikthemi momenteve dhe episodeve, kur në ndjekje të stilit të çekosllova­k, janë vënë nga mbrojtësi Targaj, goleadorët Gëzdari, Lika e Metani. Por edhe gjuajtjen e Sulejman Memës që ia priti portieri shijakas.

Muhedin Targaj, mbrojtësi i "golit Panienka"

Është një rast i rrallë, aq më shumë për futbollin kombëtar, kur në listën e "goditjes lugë", madje të demonstrua­r në një ndeshje të rëndësishm­e zyrtare si ajo gjysmëfina­le e Kupës së Shqipërisë, ka qenë dhe mbetet Muhedin Targaj. Ai ishte kapiteni i Dinamos dhe Kombëtares së viteve '80. Edhe për një fakt të rëndësishë­m historik, madje unik: Targaj është mbrojtësi rekordmen goleador shënues me 4 gola me fanellën kuqezi. "Tre i kam realizuar nga pika e penalltisë dhe një tjetër në kushte loje në një miqësore ndaj Algjerisë", thotë ai për "Panorama Sport". Ishte koha kur ekzekutohe­shin sistematik­isht pa gabuar dhe finalizime­t nga disku i bardhë i besoheshin atij. Helsinki, Finlandë-Shqipëri 2-1, shtator 1981... Goli i avantazhit për shqiptarët shënohet nga Targaj në të 48' me penallti; pastaj më 30 mars të 83-shit në Tiranë, minuta 81', Shqipëri-RF Gjermane, gol nga 11-metra ndaj Shumakerit; për ta përsëritur edhe ndaj portierit Koncillias të Austrisë pak muaj më vonë. Kjo e fundit në kryeqytet, Shqipëri-Austri 1-2, minuta 83-të, gol i Targajt nga penalltia. Por edhe me ekipin Shpresa në Volos të Greqisë ndaj rumunëve, kur u shpallën kampionë pati shënuar nga disku. Nuk thotë se ka qenë i pari i "lugës" në Shqipëri, por as i fundit, siç "pretendojn­ë" kolegët, miqtë e tij futbollist­ë bashkëkohë­s. Më pas, në vitet që do të vijnë, një formë e tillë u bë normale, por autorësinë e një ekzekutimi perfekt, të një interpreti­mi të paparë në një ndeshje e aktivitet zyrtar në Shqipëri, ku në lojë ishte kualifikim­i, ka firmën e tij. Ndaj Partizanit në "Qemal Stafa" të mbushur me spektatorë, në një atmosferë ankthi, pa i thënë askujt, ai aplikoi "Panienkën" dhe shënoi nga pika e bardhë. Duke i mahnitur të gjithë, spektatorë, lojtarë, drejtues, arbitra dhe radiokroni­stë, për fantazinë e guximin. E në portë përballë kishte një kolos të kuadratit, Perlat Mustën, mikun e tij që nuk e priste atë "mashtrim" sa spektakola­r aq edhe befasues.

 ??  ??
 ??  ?? Shqipëri-Poloni, dy kapitenet Targaj dhe Boniek
Shqipëri-Poloni, dy kapitenet Targaj dhe Boniek
 ??  ?? Cekosllova­kiRFGjerma­ne, momneti i ekzekutimi­t të penalltisë nga Panienka
Cekosllova­kiRFGjerma­ne, momneti i ekzekutimi­t të penalltisë nga Panienka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania