Panorama Sport (Albania)

Perisiç te Bajerni, peng apo "lirim"

-

Për momentin, sipas kontratës, Ivan Perisiç mbetet një lojtar i Interit. Huazimi te Bajerni i Mynihut do të skadojë verën e ardhshme, qershorin e 2020ës. Dhe, në akordin mes klubeve figuron vetëm "e drejta" e blerjes për 25 milionë euro. Zbarkimi i tij në Gjermani, megjithatë, për tifozët zikaltër ngjason më shumë me një lamtumirë. Dikush e konsideron peng, megjithatë një pjesë, ndoshta shumica, po merr frymë lirisht, pasi gjatë këtyre sezoneve në Milano, kroati ka pasur më shumë nota negative sesa pozitive në nivel paraqitjes­h.

NGA VOLFSBURGU PËR 20 MLN

Zbarkoi në Itali, pas një negociate të gjatë me Volfsburgu­n, gushtin e 2015-ës. Interi e mori nga klubi gjerman për 18 milionë euro plus bonuse, për një total prej thuajse 20. Repertori i tij teknik bindi trajnerin e asaj kohe, Roberto Mançinin. Edhe sot nuk diskutohet: sprinte, rikuperime, driblime, krosime, goditje me të dyja këmbët, rikthime në mbrojte. Por, edhe gola. Pra, si Perisiç sot qarkullojn­ë shumë pak lojtarë. E thonë edhe statistika­t. Në bilancin e tij zikaltër numërohen 163 ndeshje, 40 gola dhe 37 asiste.

SEZONET PRO

Në katër sezonet, paraqitjet e tij më të mira i dhuroi ndoshta në sezonet 2016-'17 dhe 2017-'18. Dy vite kur kaloi në shifër të dyfishtë si në gola (11) po ashtu dhe asiste (11). Së bashku me Mauro Ikardin përbënin forcën sulmuese të skuadrës. Ishte gjithmonë ai, me argjentina­sin, idhulli i tifozërisë zikaltër. Rrugës diçka shkoi keq. Jo rastësisht ka qenë pranë largimit në dy merkatot e fundit. Megjithatë, pa ofertën e duhur, ka qëndruar tek Interi. Ndoshta edhe kundër dëshirës.

E LARGOI KONTE

Me ndryshimin në stol nga Luçiano Spaleti tek Antonio Konte dhe me fundin e sezonit të kaluar pozitiv, kroati mendohej të kishte blinduar pozicionin në skuadër. Por, trajneri i ri e ka... "ngelur në klasë": "Po punojmë, - u shpreh, - por përgjigjet e Perisiç nuk janë të duhurat. Nuk mendoj se është i duhuri për rolin që i kërkoj". Kështu, Ivani ndryshoi ambient. Interi, në çdo rast, qëndron në dritare dhe e vëzhgon.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania