Panorama Sport (Albania)

Pollozhani: Si na hodhi poshtë Idrizi për... 5 minuta

“Financat dihen, por kërkoi të na diktonte merkaton”

- ERMAL SIKA

Largimi në ditën kur skuadra do të niste stërvitjen i ka rënë si rrufe në qiell të hapur Artim Pollozhani­t. I emëruar drejtor sportiv nga administra­tori Sinan Idrizi, 37-vjeçari që luajti në dy sezonet e fundit me fanellën kuqezi, nuk e mendonte asnjëherë që brenda një dite do të prishej projekti që kishte në kokë prej dy muajsh. I kishte thënë edhe Idrizit se nëse ka dyshime që nuk e bënte dot këtë detyrë, ishte i gatshëm të tërhiqej. Këtë Pollozhani e tregon në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”. Ish-drejtori me kohën më të shkurtër në detyrë te vlonjatët, tregon se nuk e kuptoi se çfarë ndodhi kur ditën e fundit administra­tori Idrizi nuk pëlqeu idetë e tij. Pollozhani thotë hapur se Xhevahir Sukaj dhe ndonjë tjetër nuk ishte në planet e tij dhe të trajnerit Gerd Haxhiu. Ish-drejtori zbulon se vetëm sulmuesi Vatnikaj dhe mbrojtësi kosovar, Lirim Mema ishin lojtarët e propozuar prej tij, por jo të tjerët e afruar së fundmi. Shqiptari nga Maqedonia bëri të ditur se ishte në unison me trajnerin Haxhiu për çdo vendimmarr­je, prandaj dhe u larguan të dy.

Pollozhani, pse u larguat nga Flamurtari, çfarë ndodhi?

Së pari, unë dua t’i falënderoj për këto dy vjet që kam qenë te Flamurtari të gjithë ata që më kanë mbështetur. Të jem i sinqertë, nuk e mendoja se do mbyllej kështu. Nuk ia vlen të merremi me këtë çështje, pasi kështu është futbolli. Kisha idetë e mia që presidenti­t Idrizi i pëlqenin, por doli në fund që nuk i pëlqyen ato ide.

A mund të na thoni konkretish­t se çfarë nuk shkoi?

Nuk shkoi ajo që pavarësish­t emrave, unë kisha ide të tjera si të formoja ekipin. Dhe me shumë gjasa këto ide që unë kisha nuk i pëlqyen presidenti­t. Me sa duket, ai kishte ide të tjera.

Vetë Idrizi ka thënë se jeni ndarë për shkak të mosaprovim­it për afrimin e një lojtari të njohur, që mendohet se është Sukaj. Sa e vërtetë është kjo?

Nuk është puna për të folur me emra. Nuk kanë të bëjnë emrat, por mënyra e punës. Përderisa më jep lirinë që unë ta ndërtoj ekipin, atëherë më të lërë mua që ta bëj, përndryshe nuk kam se për çfarë të duhem. Kjo më bëri të mërzitem shumë,

pasi i kushtova kohë dhe rëndësi shumë që të ndërtoja diçka, por nuk fund nuk arrita. E them edhe njëherë se nuk kanë rëndësi emrat, por për atë projekt që unë doja, Sukaj apo dikush tjetër nuk bënin pjesë në planet e mia. Unë kam ndenjur në atë klub 2 vjet, ndërsa Sukaj 6 muaj dhe kjo më lë një shije të hidhur. Është punë shijesh. Mua nuk më pëlqente. Çuditem shumë që si nuk i pëlqyen presidenti­t idetë e mia, ditën e fundit, pasi kishim dy muaj bashkë që diskutonim. I kisha thënë që po ke 0.5% dyshim që unë nuk e bëj dot këtë punë, unë tërhiqem,

është shumë e thjeshtë kjo gjë. Plani im u prish brenda një dite, nuk e kuptova çfarë ndodhi, u prish çdo gjë. I kam thënë shpeshherë presidenti­t Idrizi se nëse ke një fije dyshimi te kjo që po bëj, të lutem më thuaj dhe tërhiqem direkt.

Ishin vetëm çështjet e ideve apo edhe problemet financiare që ju ndanë?

Ana financiare në Shqipëri dihet. Dikush më pak e dikush më shumë kanë vonesa. Mua më habit një gjë, pasi çuditërish­t në fund të kësaj historie unë dal që nuk bëj unë.

Pas jush u largua edhe trajneri Gerd Haxhiu, keni komunikuar

me të?

Unë me profesor Haxhiun kemi qenë në unison dhe në një mendje për çdo futbollist që do të merrnim. Edhe ai nuk i pëlqeu disa lojtarë që po sillnin, pasi në fund përgjegjës­ia bie mbi trajnerin dhe drejtorin që bënë merkaton. Nëse ne nuk kemi firmën te përzgjedhj­a e futbollist­ëve, është e kotë që të rrimë. Unë i thashë Haxhiut që t’i mendohu dhe vlerësoje, është e drejta jote. Por, Haxhiu pasi u mendua një natë mori edhe ai vendimin e tij për t’u larguar.

Së fundmi, Idrizi ka dashur që t’ju japë një mesazh teksa është shprehur se ju i jeni futur një profesioni që i ka nervat e tendosura. Si e “lexoni” këtë?

Nuk e di ku e ka pasur Idrizi me çështjen e nervave. Unë po e bëra një punë, do bëj si di unë. Nuk i kanë pëlqyer, apo me nerva para apo pas, pak rëndësi ka. Nuk është çështje nervash, por është çështje principi dhe karakteri në punë. Por të hedhësh poshtë gjithë atë sakrificë brenda 5 minutash, pasi dikush thotë që nuk bën, unë këtë gjë nuk e di. Kam qejf që të flas me fakte dhe të më thotë dikush në sy, diçka që unë gaboj.

Menjëherë pas largimit tuaj klubi ka zyrtarizua­r disa afrime. Janë lojtarët tuaj ata?

Me sa kam ndjekur, vetëm dy janë lojtarët që unë me Haxhiun i donim dhe ishin preferenca­t tona. Një prej tyre është Jurgen Vatnikaj, me të cilin e kam mbyllur marrëveshj­en personalis­ht. Tjetri është kosovari Lirim Mema,

por nuk jam i qartë nëse e kanë bërë zyrtare dhe e kanë mbyllur apo jo. Për të tjerët nuk di gjë dhe nuk janë ata që ne donim.

Si ish-lojtar, nuk jeni paguar për sezonin e shkuar ende. Do ta hidhni në gjyq Flamurtari­n?

Këto janë histori të tjera për të cilat unë nuk dua të flas. Ju e dini shumë mirë që edhe kur kam qenë kapiten dhe më kanë pyetur gazetarët për këtë çështje, nuk jam përgjigjur, pasi janë gjëra që nuk më përkasin mua. Klubi nuk duhet t’i bëjë publike çështjet financiare. Por dua të theksoj edhe njëherë se mua më ka ardhur si rrufe në qiell të hapur zhvillimi më i fundit. Ditën e fundit idetë e mia nuk vlenin.

Si e shikoni të ardhmen e Flamurtari­t në këtë situatë kaq delikate?

E ardhmja nuk mund të parashikoh­et. Unë i uroj suksese, sepse është një klub me traditë dhe histori të madhe. Asnjë nuk e di të ardhmen se çfarë rezervon. Atij klubi dhe asaj tifozërie i uroj vetëm suksese pa fund. Nuk bëj dhe nuk kam ndërmend të bëj kurrë debat me asnjë, ky prononcim që ju dhashë ishte thjesht që të dihet se çfarë ndodhi.

Ku do ta vazhdoni karrierën, në Maqedoni, Kosovë apo...?

Pse po më thoni Maqedoni e Kosovë dhe jo në Shqipëri? Do ta mësoni shumë shpejt se ku do të jem.

Domethënë në Shqipëri, nga cili klub jeni kontaktuar së fundmi?

Prisni, duroni dhe shikoni.

 ??  ??
 ??  ?? Artim Pollozhani, ish-lojtar dhe ish-drejtor i Flamurtari­t
Artim Pollozhani, ish-lojtar dhe ish-drejtor i Flamurtari­t

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania