Panorama Sport (Albania)

Dosti: Trajner arrogant, si minë me sahat

Kritikat e ish-sulmuesit për italianin: Me këtë sjellje ai më shumë e dëmton klubin

-

Ish-sulmuesi i të kuqve, Edmond Dosti, në intervistë­n e dhënë për "Panorama Sport" dy ditë më parë, theksoi se aktualisht te Partizani problem mbetet sjellja arrogante e trajnerit Franko Lerda, kryesisht me mediat. Sipas tij, futbolli shqiptar nuk ka nevojë për një Panuç të dytë (i referohet ish-trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçi). "Problemet janë disa te skuadra, por për mua trajneri mbetet një 'minë me sahat' për Partizanin. Nuk më pëlqen fare arroganca e tij. U bë e dyta herë që ai braktis intervista­t. Kush është ai? Si i duket vetja? Apo kujton se është Trapatoni? Më duket se këta italianët fillestarë duan të spikatin me arrogancën e tyre, jo me punë. Futbolli shqiptar nuk ka nevojë për një Panuç të dytë. Lerda duhet ta dijë mirë se është trajner i një ekipi legjendar në Shqipëri dhe nuk është në krye të ndonjë ekipi të ligave të ulëta në Itali, ku ka drejtuar më së shumti. Nga se vjen kjo sjellje e tij? Me sa duket, ai do të mbulojë defektet e tij, duke mos u përgjigjur. Gjatë këtyre ndeshjeve që është në drejtim të Partizanit, kam parë se ai e lexon me vonesë lojën ose nuk di ta bëjë fare. Ai e ka për detyrë t'i përgjigjet çdo lloj pyetjeje që i bëjnë gazetarët e jo të tregohet arrogant. Nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, një askush si ai në krye të stolit të Partizanit. Nuk ka pyetje të këqija, por përgjigje të këqija. Pyetjet e gazetarëve janë në interes të publikut dhe tifozëve që duan të mësojnë më shumë. Nuk mund t'i bëhet vetëm pyetje sipas interesit të tij. Arroganca e tij me mediat nuk më pëlqen fare dhe këtë gjë duhet t'ia sqarojnë edhe drejtuesit, pasi nuk kanë gjë në terezi. Me këtë sjellje ai më shumë e dëmton klubin sesa veten, pasi të gjithë individët mbeten kalimtarë. Dedikimi që i bëri drejtorit Rama? Ore... t'i lërë furçat ai! Se, po të kishte bërë Kukësi golin e tretë, nuk e di kujt do t'ia kishte dedikuar. Lerdës duhet t'ia kujtojnë se është trajner i Partizanit dhe si i tillë ka për detyrë të punojë vetëm për trofe, të formojë një familje harmonike, siç e bëri Skënder Gega në sezonin e fundit, se përndryshe nuk mund të shkojë larg".

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania