Panorama Sport (Albania)

Sherri luan i dëmtuar, trajneri e udhëzon nga tribuna e gazetarëve

-

Çlirim Basha shkelmoi topin e parë për sezonin e ri. Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, pjesëtar i dinastisë "Basha" në futbollin shkodran, duket se kishte këmbën e mbarë. Ai jeton prej vitesh në Gjermani, por dje ishte në "Loro Boriçi" për të gjuajtur të parin top për këtë kampionat. "Dua t'i falënderoj që të gjithë për këtë mundësi dhe për këtë privilegj që më kanë dhënë. Emocionet ishin të mëdha si atëherë kur isha pjesë e ekipit të Vllaznisë kampione në vitin e largët 1991. I uroj ekipit që të ketë sa më shumë suksese në këtë sezon të ri dhe shpresoj që shumë shpejt të kthehet ashtu siç i takon ndër skuadrat elitare të këtij vendi. I uroj shumë fat këtij ekipi në këtë sezon", thotë ish-lojtari i linjës së djathtë.

- Nuk është se shkëlqeu në lojë, por mjaftoi ai gol që ta kthente në hero dhe të fitonte duartrokit­jet e tifozëve. Festa nën ritmet e "Sambas" ishte e ligjshme për mesfushori­n, e djathta e të cilit ishte vrastare.

- Shkodranët nuk e kanë humbur rastin që ta ndjekin Vllazninë në "premierën" e këtij kampionati. ishin afro 3500 të pranishëm në stadium për të parë dhe mbështetur ekipin e zemrës. Pavarësish­t se në të shkuarën numri i tyre ka qenë dyfish më i lartë, u shfaqën të zjarrtë dhe i dhanë atmosferë "Loro Boriçit". Në anë tjetër, një grup prej 20 tifozësh kishin shoqëruar kurbinasit.

- Alen Sherri ka luajtur i dëmtuar, aq sa pak minuta nga nisja e ndeshjes ka kërkuar ndërrim. Ndërsa trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, e ndjek takimin nga tribuna e medias, duke orientuar nga distanca gardianin. Vetë Lekiqi nuk ka qenë në pankinë, pasi ditë më parë ishte aksidentua­r dhe me këmbën e dëmtuar, e ka parë të udhës që të qëndrojë në tribunë. Hera-herës mundohej që të karikonte Sherrin, duke i kërkuar atij që të mos ketë sforco edhe në rënien e topave nga vija fundore. Portieri mori zemër dhe në minutën e 55të dhe i kërkoi trajnerit që mund ta përballojë vijimin e ndeshjes. Në kësi kushtesh, Ted Laço ndali nxemjen.

- Tifozët kuqeblu ngacmojnë Sulejman Starovën. Ato i kanë kujtuar sërish atij personazhi­n e Sulos te filmi "Lulëkuqet mbi mure". "Sulo, Sulo" dëgjoheshi­n, teksa thërrisnin trajnerin e Laçit.

- Në të 79-ën minutë, tifozët e Laçit hedhin një shishe në drejtim të gjyqtarit anësor në shenjë pakënaqësi­e për gjykimin e tij, por pa e prekur. Ndërsa në anën tjetër janë irrituar tifozët kuqeblu.

- Alen Sherri ka dalë nga dhomat e zhveshjes pas ndeshjes me dy fanella në duar, të cilat ishin dhuratë për dy tifozë personalë. - Nëse Hygor shënoi, Emerson ishte në stol, Uenderson e shijoi fitoren nga tribuna. Braziliani i tretë ka mbetur jashtë, pasi trajneri e ka gjykuar që nuk është ende gati. Por fakti që nuk ishte i grumbullua­r, s'e ka penguar që të festojë fitoren dhe golin e patriotit të tij.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania