Panorama Sport (Albania)

Junajtid vetëvritet me Palasin, "baby" Çelsi bën festën e parë

-

Mallkimi i penalltive të gabuara këtë herë nuk i sjell asnjë pikë të vetme Mançester Junajtidit. Pas gabimit të hënën e shkuar të Pogbasë, i cili u kushtoi fitoren "djajve" ndaj Uolverhemp­tonit, këtë herë nga 11 metrat gaboi ai që trajneri Solskjaer e gradoi goditësin e parë të penalltive pas debatit me francezin për penalltinë në "Molineux". Rashford shpërdoroi mundësinë për të barazuar golin e Ajevit në pjesën e parë, por pavarësish­t se në minutën e 70-të, 21-vjeçari e dërgoi Guaitan në krahun e kundërt, topi i tij u përplas në shtyllë. Kur Daniel Xhejms gjeti golin e barazimit një minutë përpara fundit, u duk se Junajtid do të kënaqej vetëm me një pikë, ashtu si ndaj Uolvesit. Por në shtesë, Van Anholt shokoi "Old Trafford"-in, pasi goditja e tij e fortë brenda zone, pas aksionit të Zahas, e ndihmuar edhe një nga gabim i De Geas, vulosi fitoren e londinezëv­e për herë të parë kundër tyre në historinë e Premier Ligës.

- Dhe vjen dita e fitores së parë të Frenk Lampardit në stolin e Çelsit: 3-2 ndaj Noruiçit largon disi presionin nga trajneri anglez. Suksesi ndaj skuadrës së gjermanit Daniel Farke nuk i fshin dyshimet mbi skuadrën e tij, mbi të gjitha në mbrojtje, por në krahasim me barazimin ndaj Lestërit, përmirësim­i atletik është më i madh dhe skema 4-3-3 prodhoi më shumë ekuilibër. Protagonis­t i madh në "Carrow Road" është numri 9, Temi Abraham, që mori mbi vete një lumë fyerjesh raciste pas penalltisë së humbur kundër Liverpulit në Stamboll në finalen e Sukerpupës së Europës dhe la Stambollin i përlotur, por që doli me një duartrokit­je të fortë nga fusha mesditën e djeshme. Sulmuesi 21vjeçar shënoi golin e parë (në minutën e 3-të me një kthesë në zonë pas krosimit të Azpilikuet­ës) dhe të fundit (nga jashtë zone në 68') që firmosi fitoren, duke festuar edhe golat e parë me fanellën e klubit. Shënoi edhe Puki, i cili ekuilibroi për momentin shifrat në 2-2 pas gjysmë ore dhe për finlandezi­n ishte goli i pestë këtë sezon, duke u konfirmuar një vrasës brenda zone. Një gabim i Noruiçit i lejoi edhe Mauntit të shënonte në minutën e 17-të. Lampard vendosi edhe një rekord: 41-vjeçari aktivizoi skuadrën më të re të Çelsit në 25 vitet e fundit, vetëm 24 vjeç e 208 ditë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania