Panorama Sport (Albania)

Lëklerk, fitore dhe lot: Ia dedikoj shokut që vdiq

21-vjeçari merr triumfin e parë: Ia dedikoj Hybert

- ARTIN LLESHAJ

Sharl Lëklerk triumfon në Çmimin e Madh të Belgjikës dhe merr fitoren e tij të parë në karrierë në Formula 1. Piloti nga Montekarlo realizoi dje një garë vërtet perfekte. Ndonëse në fund vuajti me gomat, ai ia doli të mbajë pas vetes dy pilotët e Mercedes, Luis Hamilton dhe Valteri Botas, të cilët plotësuan podiumin. Ndërkohë, Sebastian Fetel nuk mundi të shkojë më shumë se vendi i katërt, pavarësish­t se u nis nga vija e parë. Kështu, Lëklerk futet në historinë e Ferrarit, duke u bërë piloti më i ri që fiton një garë në Formula 1 me këtë skuderi, ku thyen rekordin që mbahej nga Xheki Icks (1968). Pas problemit teknik në Bahrein dhe pas krizës me gomat në Austri, që i hoqën nga duart dy fitore të sigurta, 21vjeçari më në fund ia del të marrë suksesin e parë në karrierë, falë një gare fantastike. Ai realizon një start perfekt dhe regjistron xhiro të shpejta në mënyrë konstante. Përfundon i dyti pas futjes në bokse, duke kaluar nga kolegu Fetel, por menjëherë e parakalon atë edhe falë një urdhri të paevituesh­ëm nga skuadra që kishte në favor. Në xhirot finale, Lëklerk vuajti për shkak të gomave, por gjithsesi ia doli me sukses duke e realizuar objektivin: T'ia dedikonte këtë triumf mikut të tij Antuan Hybert, që u nda nga jeta të shtunën pas aksidentit fatal në Formula 2. Ndryshe nga Lëklerk, Fetel me gomat e tij

medium u fut në krizë shumë shpejt dhe u detyrua të bënte punë skuadre për të mbrojtur kolegun nga dyshja e pilotëve të Mercedes. Më pas gjermani u fut për herë të dytë në bokse për të vendosur gomat e buta, të cilat i dhanë mundësinë për të realizuar edhe xhiron më të shpejtë të garës. Fetel përfundon kështu jashtë podiumit, por gjithsesi arrin të marrë një pikë shtesë për kohën e tij më të shpejtë. Nga ana tjetër, Hamilton bëri gjithçka për t'ia shkatërrua­r festën Ferrarit, por në fund duhet të kënaqët me vendin e dytë. Gjithsesi, titulli i gjashtë kampion është në kasafortë për britanikun, pasi fiton edhe 3 pikë të tjera nga vendi i dytë, Botas (-65 pikë).

Një garë për t'u harruar ishte për Maks Vershtapen, ku piloti i Red Bull rezultoi viktimë i një kontakti në start me Alfa Romeon e Kimi Raikonen dhe tërhiqet pas vetëm dy kthesash duke përfunduar jashtë piste. Dje ishte një ditë hidhërimi për botën e automobili­zmit për ndarjen nga jeta të Antuan Hybert dhe suksesin e tij Lëklerk ia dedikoi 22-vjeçarit. "Nga njëra anë, mund të them që ishte realizim i një ëndrre që kam pasur që fëmijë, por nga ana tjetër jam shumë i trishtuar për Antuanin pasi jemi rritur bashkë. Kjo fitore shkon për të", deklaron Lëklerk.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania