Panorama Sport (Albania)

FSHF nuk toleron, “fik” dritat e katër impianteve

-

Nga kjo fundjavë, nuk do të ketë më ndeshje me drita në 4 stadiume të Superiores, konkretish­t në "Selman Stërmasi", në "Niko Dovana" të Durrësit, në stadiumin "Flamurtari" të Vlorës dhe "Skënderbeu" të Korçës. Ky është vendimi i fundit i FSHF-së. Nuk janë vetëm fushat e blerta problem për stadiumet tona, por edhe shumë elemente të tjera të tyre, që sjellin në fund licencimin ose jo për aktivitete­t zyrtare. Një prej tyre është ndriçimi. Fikja e dritave për gati një orë në stadiumin "Selman Stërmasi" pak kohë më parë gjatë ndeshjes Tirana-Teuta, me sa duket kishte vënë në lëvizje sektorin përkatës në FSHF për të bërë një kontroll të imtësishëm në të gjitha stadiumet me drita të Shqipërisë, ku zhvillohen ndeshje gjatë mbrëmjes. Dhe, pas këtij kontrolli, ka rezultuar se ka probleme në shumicën e tyre. Madje, bëhet fjalë edhe për probleme shumë serioze, siç është për shembull rreziku për shembjen e mundshme të kullave të projektorë­ve, çka vë në rrezik edhe jetën e tifozëve. Kanë shpëtuar vetëm stadiumet "Loro Boriçi" i Shkodrës dhe "Elbasan Arena" i Elbasanit, që janë stadiume të reja dhe ku investimi ka qenë më serioz. Stadiumi "Selman Stërmasi" në kryeqytet është më problemati­k, pastaj vijnë me radhë stadiumet e Durrësit, Vlorës dhe Korçës. FSHF-ja ka kërkuar ndërhyrje nga klubet, por edhe një certifikat­ë nga firmat ndërtuese se kullat e prozhektor­ëve janë të sigurta dhe nuk rrezikojnë jetën e tifozëve. Pra, problem nuk është vetëm ndriçimi i pamjaftues­hëm i kuadratit të fushës. Këtë herë FSHF-ja e ka marrë gjithçka me shumë seriozitet dhe nuk ka toleruar, por ka marrë vendimin që në katër stadiumet problemati­kë të mos zhvillohen ndeshje me drita. Gjatë periudhës së dimrit i bie që ndeshjet të zhvillohen në mes ditës. Kushtet për licencimin e stadiumeve bëhen gjithmonë e më të rrepta dhe klubet duhet të ndërgjegjë­sohen për të bërë gjithçka ashtu si duhet dhe në kohën e duhur, duke garantuar sigurinë fizike dhe të gjitha elementet e tjera.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania