Panorama Sport (Albania)

Vëllai i Insinjes: Nëse Ançeloti ka b***, të tregojë të vërtetën

-

Te Napoli nuk është një gjendje e qetë kohët e fundit, teksa ditën e mërkurë italianët kanë dështuar të fitojnë në ndeshjen kundër Genk, pasi u larguan nga Belgjika me një pikë e pa asnjë gol të shënuar. Milik dhe Lozan titullarë nuk bënë shumë bujë, pasi vëmendja ishte e gjitha për kapitenin e skuadrës. Në fakt, për sfidën e Championsi­t, Karlo Ançeloti nuk aktivizoi një nga lojtarët më të mirë të ekipit siç është Lorenco Insinje, duke u shprehur se ai nuk ka treguar një formë të mirë në stërvitje. Por pas Breshas, ajo e Champions-it ishte ndeshja e dytë për sulmuesin jashtë skuadrës dhe më shumë se sa aspekti fizik, në zgjedhjet e Karlo Ançelotit duket sikur peshon ndonjë faktor tjetër. Teksa kapiteni napolitan nuk ka folur për situatën, në ndihmë i ka ardhur i vëllai. Antonio Insinje ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale teksa në postimin e tij shkruante: “Nëse keni b***, atëherë tregoni të vërtetën. Një gol ose asist në çdo 63 minuta. Atëherë me të vërtetë nuk është në formë”. Megjithatë, sipas “Sport Italia”, ky postim nuk ka qëndruar për shumë kohë, pasi është fshirë pak minuta më vonë nga personi. Pavarësish­t se vëllai i Insinjes e ka fshirë, ndjekësit në rrjete sociale e kanë ruajtur duke e shndërruar në një lajm viral që më pas u pasqyrua në shumë media në vendin fqinj. Sfida e radhës do të tregojë më shumë për raportin mes Insinjes dhe trajnerit Ançeloti, por mënyra se si po menaxhohet kjo situatë, tregon edhe njëherë se te Napoli asgjë nuk po shkon në rrugën e duhur, teksa edhe pas humbjes me Kaljarin një javë më parë kishte shumë kritika në drejtim të Ançelotit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania