Panorama Sport (Albania)

Besa e Maganit “zgjohet” në Peqin, mposht Turbinën

Flirt me barazimin, cërrikasve s'u mjafton penalltia

- FATMIR AHMETI

Besa rigjen fitoren në Peqin. Skuadra e drejtuar prej Gugash Maganit ka mposhtur 2-1 Turbinën. Pas asaj humbjeje që pësuan me Lushnjën në "Roza Haxhiu", kavajasit kanë marrë trepikëshi­n e dytë sezonal. Golat e Tedi Carës dhe Darlington Onuh kanë mjaftuar për të thyer cërrikasit. Këta të fundit, edhe pse barazuan përkohësis­ht shifrat me një penallti të Klevis Roshit, u larguan duarbosh nga kjo transfertë. Verdhezinj­të e dominuan krejt lojën dhe veç rasteve të shumta që krijuan, kanë goditur shtyllën dhe shpërdorua­r një 11metërsh që mund ta mbyllte këtë duel me rezultatin 3-1. PJESA E PARË

Loja ka nisur e qetë, por me kavajasit që me kalimin e minutave fitojnë metra dhe mundohen që marrin në dorë

frenat e lojës. Turbina luan disi më e tërhequr, por ndëshkohet në një moment pakujdesie në prapavijë. Ishte e 16-ta minutë kur Cara u "vidhet" mbrojtësve, del i vetëm përballë Kukës dhe i jep avantazhin Besën. Ky gol u duk sikur i dha tjetër ritëm lojës së të dyja skuadrave, pasi Turbina tashmë ndërmerr disa aksione të rrezikshme. Në minutën e 30-të, pas një aksioni të miqve, topi përplaset në dorën e Xhafës dhe për gjyqtarin ka penallti në favor të cërrikasve. Kapiteni Rroshi ekzekuton saktë dhe shifrat shkojnë në 1-1. Në limitin e pjesës së parë ka një rast të mirë për miqtë, por topi i goditur nga Levendi përfundon ngjitur me shtyllën pingule. PJESA E DYTË

Pjesa e dytë nis mjaft mirë për Besën, kur i sapofuturi në fushën e lojës, Shaqe, jep një

krosim në zonë në të 47-ën dhe aty Onuh e dërgon topin në rrjetë. Entuziazëm në pankinën kavajase, por Magani kërkon të ulet euforia te të tijtë. Cërrikasit, të shokuar nga pësimi i golit të dytë, e kanë disi të vështirë të krijojnë raste të rrezikshme, megjithatë kapiteni Rroshi është

i pafat pasi me një goditje të kalibruar godet traversën e portës së Besës. Në minutën e 67-të, ekipi kavajas i ka të gjitha mundësitë për të trefishuar shifrat, pasi afrikani Onuh fiton një 11-metërsh. Kapiteni Çelhaka e merr përsipër, por godet keq dhe "sfera" shkon jashtë kuadratit. Merr zemër ekipi i Turbinës, që kërkon me çdo kusht të barazojë rezultatin, por mbrojtja kavajase largon çdo rrezik të mundshëm. Në fund të pjesës së dytë, Cara pas një inkursioni personal kalon edhe portierin Kuka dhe me portën e boshatisur godet, por topi përplaset në shtyllën pingule e rikthehet në lojë. Fundi i takimit mund të ishte i hidhur për Besën, kur në limitet e minutave shtesë Peqini për cërrikasit mund të realizonte golin e barazimit, por nuk u tregua i saktë në goditje. Gjithsesi, Besa i gëzohet suksesit të arritur në Peqin, duke u ngjitur në kuotën e 6 pikëve.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania