Panorama Sport (Albania)

Udhëtim në kulisat e Milanit, zbardhet plani i fondit “Elliott”

“Financial Times” parashikon të ardhmen e “Djallit”

-

“Financial Times”, në numrin e saj të djeshëm, i ka kushtuar një editorial të zgjeruar situatës së Milanit që kur klubi ka kaluar nën menaxhimin e fondit “Elliott”. “Për “Elliott”, investimi në futbollin italian ka qenë një ndër më të guximshmit në historinë e këtij fondi”, shkruan gazeta kryesore ekonomike në Britaninë e Bashkuar. Për të ilustruar këtë përshkrim merret si shembull blerja e Lukas Paketas, sforco e parë e madhe për amerikanët në krye të Milanit. Braziliani kushtonte 35 milionë euro, çikërrimë për fondin, por financimi i tejkalonte kufijtë e buxhetit të vënë në dispozicio­n. Ishte Paolo Maldini që mbështeti idenë e të guxuarit në transferim­in e Paketas, i cili shihej si një lojtar që mund të ndryshonte pozitivish­t fatet e kuqezinjve. Ishte Pol Singer, pronar i “Elliott”, që iu bashkua në çast mendimit të legjendës kuqezi. “Ai vendim na dha shumë energji, sepse pamë te pronarët pasionin për të arritur diçka të bukur e jo vetëm për të mirën e Milanit si shoqëri aksionere. Megjithatë, e dimë se asnjë skuadër e tejmbushur me djem të rinj nuk ka fituar ndonjë Champions apo kampionat”. Konfirmimi i Maldinit si drejtor, - vijon “Financial Times”, - ishte një urë mes fondit amerikan dhe tifozëve, në mënyrë që këta të fundit të besonin në qëllimet e ‘Elliott’”.

MISIONI AMERIKAN – Në shkrimin e saj “Financial Times” ngre disa pikëpyetje mbi planin e “Ellliott”, por amerikanët synojnë që të ndërtojnë një ekip në gjendje të gjenerojë rezultatet dhe fitim ekonomik. Duke rritur vlerën e lojtarëve, Milani mund të rimëkëmbë financat dhe t’i shitet ofruesit

më të mirë. Aktualisht kuqezinjtë arkëtojnë 200 milionë euro në vit, teksa klube si Reali apo Barça thuajse 3-fishin. Teksa Ivan Gazidhis vijon të gjejë sponsorë, nga brenda Milanit, një burim që kërkon të mbetet anonim, deklaron për gazetën britanike: “Më duket shumë e vështirë që ‘Elliott’ ta rimëkëmbë klubin e më pas ta shesë për një miliard dollarë”. Përveç sponsorëve, gjithçka kalon nga Liga e Kampioneve, jo më kot një objekt i deklaruar i “Djallit”, me Maldinin që sqaron: “Vitin e kaluar, 14 nga 16 ekipet e kualifikua­ra në Champions i rritën fitimet. I dimë objektivat, por e dimë edhe se nuk jemi magjistarë”. MENDIMI I BOBANIT - Krah Paolo Maldinit këtë sezon po punon edhe Zvonimir Boban, i cili mendimin e bordit drejtues e shpreh në këtë mënyrë: “Ëndrra jonë është që rezultatet të vijnë që nesër, por ‘Elliott’ e mendon ndryshe, ndaj besoj në gjetjen e një rruge që të na bëjë të lumtur të gjithëve”. Amerikanët kërkojnë ndërtimin e një ekipi, që si investim, me kalimin e kohës, të pësojë rritje në vlerë. Paralelish­t “Elliott” po punon për ndërtimin e një stadiumi në bashkëpron­ësi me Interin, ndaj edhe Xhorxho Furlani, menaxher i portofolit te “Elliott”, premton: “Rezultatet e punës së fondit do t’i shihni në fund, cilido qoftë fundi”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania