Panorama Sport (Albania)

Useini: Nuk jam paguar, Flamurtari rrezikon rënien

"Kanë cilësi, por do të bien nëse nuk zgjidhen financat"

- ERMAL SIKA

Muhamed Useini u bë kohë që është larguar nga Vlora, e megjithatë nuk është totalisht i shkëputur prej Flamurtari­t. Dhe këtu nuk po flasim vetëm për detyrimet financiare që ka për të marrë nga klubi. Në një intervistë për "Panorama Sport", shqiptari nga Maqedonia skanon ecurinë e vlonjatëve, por zbulon se gjatë verës ka marrë edhe dy oferta nga Shqipëria. Ai i sheh kuqezinjtë të rrezikuar për të dalë nga kategoria nëse vijojnë në këtë situatë.

A po e ndjek Useini Flamurtari­n?

Gati-gati, i kam ndjekur të gjitha ndeshjet. Duke parë që janë mbledhur dy javë para kampionati­t, mendoj se kanë bërë maksimumin, edhe pse në disa ndeshje morën gol vetëm në fund. Nëse kjo nuk do të

ndodhte, do të kishin disa pikë më shumë.

Janë në vendin e fundit në klasifikim. Si e shikoni këtë situatë?

Është situatë e rënduar. Duhet t'i jepet një zgjidhje sa më shpejt, sepse ndeshjet po ikin dhe ekipet e tjera po mbledhin pikë. Nëse nuk ndryshon gjë, do të jenë pretendent­ët kryesorë për të dalë nga kategoria.

Dhe çfarë duhet që të ndryshojë...?

Ekipi mendoj se nga ndeshja në ndeshje po e merr veten. Duhet që djemtë e rinj që janë aty, të kenë më shumë vetëbesim. Unë i njoh, kanë kualitet dhe mund të japin shumë më shumë se ç'kanë dhënë.

Ju vjen keq kur e shihni Flamurtari­n në këtë gjendje?

Normale, sepse kam kaluar kohë mjaft të mira në Vlorë. Flamurtari është një emër i madh dhe nuk e meriton të jetë në këto pozita, sepse gjithmonë duhet të luftojë për kreun e jo për ekzistencë. E para duhet të zgjidhet ngërçi financiar, qoftë me bashkinë apo me ligjin e sportit, siç ka thënë presidenti Idrizi shpeshherë, sepse në të kundërt do të jenë pretendent­ë kryesorë për të dalë nga kategoria.

Ju keni hapur proces gjyqësor. A jeni paguar apo...?

Faktikisht nuk dua të flas për këtë temë, sepse këto gjëra i ka në dorë avokati im. Kurse për pagesën, normale që nuk ka vend për të mbajtur gjë të fshehtë... sepse të gjithë e dinë që nuk jemi paguar.

Si po ecën aventura te Gjilani i Kosovës, aty ku trajner është vlonjati Mezani?

Deri tani po ecim mirë në Kosovë. Jemi brenda objektivit. Mezani është një profesioni­st i vërtetë. Gjithmonë tenton të marrë më të mirën nga futbollist­ët. Është i ri në moshë dhe kuptohemi. Deri tani kemi marrëdhëni­e shumë të mira. Normale, kërkon shumë punë, kurse ne jemi të detyruar t'i përgjigjem­i, sepse vetëm ashtu mund të arrijmë gjëra të mëdha.

Te Gjilani ka disa lojtarë që kanë luajtur në Shqipëri. Me kë shoqërohen­i më shumë?

Unë shoqërohem me të gjithë lojtarët. Kemi krijuar një familje këtu, normale do veçoja Bushiçin, sepse të gjithë e dinë kemi qenë edhe te Flamurtari bashkë afro 2 vite dhe tani vazhdojmë këtu bashkë përsëri.

E mendoni një rikthimin në Kategorinë Superiore?

Realisht kisha kontakte në verë me dy ekipe të Superiores, mirëpo nuk kishin projekte që të më bindin. Prandaj zgjodha Gjilanin dhe të them të vërtetën jam mjaft i lumtur, sepse kam bërë zgjedhjen e duhur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania