Panorama Sport (Albania)

Ujka: Bylisi më motivon, në Superiore lëmë gjurmë

- Erjon Saliu

Bylisi po e shfrytëzon në maksimum ndërprerje­n e kampionati­t. Në mesjavë ballshiotë­t luajtën testin e parë për këtë javë, ku në “Roza Haxhiu” barazuan 1-1 me Lushnjën. Mallakastr­iotët kanë në plan që të luajnë edhe një ndeshje miqësore me Apoloninë dhe me shumë gjasa, ndeshja do të luhet të shtunën në qytetin e Fierit, duke qenë se në stadiumin e Ballshit po kryhen disa punime rehabilitu­ese. Drejtuesit e klubit kanë afruar shumë lojtarë të rinj, të cilët shikohen si futbollist­ë të perspektiv­ës. Serxhio Ujka kërkonte më shumë hapësira dhe u largua nga Laçi i Superiores një vit më parë dhe iu bashkua Bylisit. Sezonin e shkuar me ballshiotë­t, ai ra në sy sidomos me eurogolin që shënoi në finalen e Kategorisë së Parë ndaj Vllaznisë në “Niko Dovana”, duke realizuar golin e tretë në triumfin 3-1 të skuadrës së teknikut Dovedan. Lezhjani 19-vjeçar hyri si zëvendësue­s dhe iu deshën vetëm 3 minuta për të gjetur rrugën e rrjetës. Ndërkohë, që ai po luan edhe në Superiore, ndonëse si zëvendësue­s, por klubi i ka dhënë hapësira si titullar edhe në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë duke qenë se e shikon si një mesfushor me të ardhme të garantuar. Ujka, për “Panorama Sport” ka pohuar: “E falënderoj trajnerin që edhe në Superiore po më aktivizon, ndonëse konkurrenc­a në skuadër është e madhe. Te Bylisi ka shumë lojtarë me kualitete dhe me eksperienc­ë, nga të cilët mund të përfitoj dhe të perfeksion­ohem më shumë duke u bërë një futbollist cilësor. Kam luajtur në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, por edhe në Superiore, madje luajta edhe në takimin e fundit në Laç. Unë bëj pjesë te lojtarët me perspektiv­ë të klubit, e sigurisht që kam synimet e mia për karrierën. Shkallët ngjiten gradualish­t. Vjet isha në Kategorinë e Parë, firmosa në Ballsh dhe u ngjitëm në elitë si kampionë. Tashmë dua që të luaj sa më shumë këtë sezon me Bylisin dhe pse jo, të kem më shumë premisa për të ardhmen. Bylisi më motivon sa herë që futem në fushën e lojës. Këtu do qëndroj për më shumë suksese. Paraqitja ime shpresoj që t’i shërbejë skuadrës në Superiore në realizimin e synimeve. Kam besim se Bylisi do të lërë gjurmë këtë vit në Superiore”.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania