Panorama Sport (Albania)

Sasuolo, “mace e zezë” për Interin

Statistika­t janë të hidhura, në pesë duelet e fundit interistët nuk njohin fitore

- Përgatiti: LEDIO NASE

Do jetë sfida e parë mes Sasuolos dhe Interit pa Xhorxho Skuincin, presidenti­n e klubit jeshilzi, i cili kundër zikaltërve ka pasur mjaft kënaqësi. Mjafton të mendohet që në gjashtë precedentë­t në "Mapei Stadium", Sasuolo ka fituar plot katër herë, kundrejt dy sukseseve interiste. Skuadra nga Rexho Emilia, pra, i ka ndalur shpesh rrugën Interit, i mposhtur në disa raste edhe në "San Siro". Kureshtar fakti që në Rexho Emilia plot tri herë (të dielën do jetë e katërta), sfida do zhvillohet në orarin e drekës, në 12:30. Në rastet paraardhës­e kujtohen disa polemika... Dhe në pesë duelet e fundit, zikaltrit nuk njohin fitore. PËRLESHJA ME IKARDIN

- Përballja e parë në absolut ka rezultuar një disfatë historike për vendësit, që porsa kishin zbarkuar në Serinë A: një humbje 0-7 e turpshme, e 22 shtatorit 2013, me Masimo Moratin që festonte mbi të gjitha rikthimin (me dopietë) të Diego Militos, pasi sulmuesi vinte nga një dëmtim pas shtatë muajsh. Më 1 shkurt 2015 regjistroh­et hakmarrja e parë: në ditën e debutimit të Marselo Brozoviç, Zaza, Sansone dhe Berardi firmosën fitoren 3-1. Ikardi gjeti golin e vetëm në fund, përpara se të përleshej me ultrasit, të inatosur deri në atë pikë sa i rikthyen prapa fanellën.

VITI ME DY FYTYRA - Interit nuk i ecën më mirë në 2016ën. I njëjti rezultat, i vulosur nga një dopietë e Politanos (sot zikaltër dhe me shanse për të luajtur nga minuta e parë pas dëmtimit të Sançezit) dhe golat e Pelegrinit dhe Palasios. Tjetër figurë e shëmtuar e zikaltërve kundër një skuadre nën mesataren. Në dhjetorin e po të njëjtit

vit, Interi arrin të dalë fitues falë realizimit të Kandrevës në fillim të pjesës së dytë. Në pankinë ndodhej Stefano Pioli, milanisti i freskët.

SPALETI - I takon Luçiano Spaletit të asistojë në pankinën e "harakirit" të 2017-ës në Krishtlind­je. Ikardi rikthehet në vendin

e krimit dhe Konsilji, i cili shpesh ekzaltohet kur shikon zikaltër, i pret Mauros penalltinë e barazimit të mundshëm 1-1 pas golit të Falçinelit. Akti i gjashtë dhe i fundit është ai i kampionati­t të kaluar: vendos Berardi me penallti. Tani sfida i kalon Kontes.

 ??  ?? Momenti i tensionit mes Ikardit dhe ultrasve në Sasuolo-Inter 3-1 (2015)
Momenti i tensionit mes Ikardit dhe ultrasve në Sasuolo-Inter 3-1 (2015)

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania