Panorama Sport (Albania)

Shqipëria i merr mbrojtësin Rama Greqisë

Ismailgeci e Tuci në ekip, Çelhaka tek U-20

-

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, foli në konferencë­n për shtyp pas publikimit të listës për kualifikue­sen ndaj Anglisë, takim i përcaktuar të zhvillohet më 15 nëntor në "Loro Boriçi" të Shkodrës. Bushi foli për kundërshta­rin, të cilin e quan të fortë, por ka besim se nëse lojtarët e tij luajnë si grup, Anglia do ta ketë të vështirë. Bushi rikujton si shembull për të rinjtë edhe golin e anuluar të Altin Rrakllit në vitin 2001 ndaj "Tre Luanëve" të Anglisë në "Qemal Stafa". Trajneri konfirmon fitoren e “luftës” ndaj Greqisë për Rezart Ramëm, mbrojtësin 20vjeçar të Notingam Forestit. ANGLIA - "E dimë kush është Anglia, e kemi parë në disa ndeshje që ajo ka zhvilluar dhe kjo është favor për ne. Shqipëria futet gjithmonë të fitojë, edhe nëse është Anglia apo San Marino. Por, duhet të kemi kujdes dhe në këtë sfidë nuk do të futemi të bëjmë lojë sulmuese, por ato që do të ndërtojmë, t'i kemi të sakta. Strategjia e lojës është të mbrohemi mirë dhe të kundërsulm­ojmë. Anglia është ekip i madh, por nuk duhet pasur frikë. Edhe mund të fitojmë, të barazojmë apo humbim. Nuk shoh asnjë problem në këtë aspekt. Kemi luajtur me Italinë, Spanjën dhe Francën. Kemi pësuar për fajin tonë në shumicën prej tyre dhe nëse nuk bëjmë gabime individual­e, Anglia nuk na shënon. Jam i sigurt që po të jemi të bashkuar, do ta ketë të vështirë. Edhe Spanja vetëm në fund na shënoi në 'Selman Stërmasi' kur luajtëm me ta". RISITË - "Kemi marrë tre lojtarë të rinj: Ismailgeci, Domi e Tuci. Ata janë të datëlindje­s 2000 dhe po luajnë në ekipet e tyre, por i kemi thërritur sepse janë edhe në formë. Kemi pasur probleme për këtë listë, pasi kanë kaluar tre lojtarë tek U-19, siç janë Broja, Bullari dhe Ndreçka. Tafa është me kartonë, Vrioni i dëmtuar dhe Hebaj sa ka ardhur nga dëmtimi. Pra, nëse komentojmë sulmin, le të themi që kemi mangësi, pasi kemi vetëm një gjysmësulm­ues. Gjithsesi, do të mundohemi që me këta lojtarë në dispozicio­n të bëjmë më të mirën". TIFOZËT - "Patjetër që është një ndeshje e rëndësishm­e për ne dhe për tifozët. Ata duhet të vijnë të shohin Shqipërinë, pastaj Anglinë. Kemi bërë ndeshje të mira, edhe kur jemi mundur, për të respektuar flamurin, veten dhe tifozët". SHKËMBIMI I LOJTARËVE - "Normalisht që është penalizim kur na ikin futbollist­ë nga ekipi. Kjo, për faktin se na ndryshon skema dhe strategjia. Edhe ata që janë thirrur janë të mirë, por problemi është se kemi luajtur me disa ndryshime në formacion". GOLAT NË FUND - "Është problem për të gjithë dhe unë mendoj se do të ekzistojë edhe 100 vite më pas. Kjo vjen edhe për faktin sepse ti je i lodhur dhe ekipi kundërshta­r të vjen me shumë forca në sulm për të kërkuar rezultat. Ka edhe raste në të cilat është edhe çështje fati. Nuk është se e kemi vetëm ne apo vetëm Kombëtarja A e Shqipërisë problem këtë pjesë. Pësojmë, por edhe mund të shënojmë. Kur vjen fundi i ndeshjes, duhet më shumë kujdes dhe përqendrim. Nëse kujtojmë, në minutën e fundit ne shënuam në Stamboll dhe morëm një barazim". RADA DHE LAKTI - "Rada është pjesë jona. Janë disa futbollist­ë të perspektiv­ës, pasi i përkasin datëlindje­s 2000. Lakti do të jetë me Kombëtaren U-20, sikurse edhe Çelhaka, një tjetër lojtar shumë i mirë në ndeshjen që ata do të luajnë me Kroacinë. Çelhakën e kam pasur në konsiderat­ë ta marr edhe tani, por është më mirë të luajë më shumë atje. Janë të dy futbollist­ë të perspektiv­ës. Për këtë arsye, në rolin që luan Çelhaka, menduam të marrim lojtarë të datëlindje­s '98, sepse edhe Anglia luan me një formacion thuajse i gjithi i datëlindje­s '98. Dhe për ne më pas është problem nëse ata janë më të mëdhenj. Për 2-3 muaj, me këto ritme që po tregojnë, ata futbollist­ë mund të bëhen pjesë jona. Gjithashtu, edhe Rezart Rama do të jetë me Shqipërinë U-20. Kur t'i vijë mosha, do të afrohet tek U-21, ai dhe të tjerët. ANGLIA NË 2001 - "Revansh ndaj Anglisë nuk mund të them. E kujtoni atë ndeshje, kemi bërë një gol të rregullt për 2-2 dhe mund të mbaronte aty. Emrat e Anglisë ishin ndër më të mëdhenjtë, ndaj këtë mundohemi që ta transmetoj­më edhe te brezi i ri për t'u thënë që nuk ka futbollist­ë të vegjël apo të mëdhenj. Sot ka ekip, ka grup dhe nëse bëjmë më të mirën, nuk duhet të kemi frikë askënd, pavarësish­t se jemi një vend i vogël apo që nuk kemi fituar Europianë ose Botërorë. U themi edhe eksperienc­ën që kur jemi përballur me më të mëdhenjtë, nuk ka pasur shumë diferenca, edhe pse në fund fitonin gjithmonë ata. Shpresoj që këtë herë të fitojmë ne", tha Bushi.

 ??  ?? Foto: F. Hazisllari
Foto: F. Hazisllari

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania