Panorama Sport (Albania)

Rodrigo, rrufeja që po shndrin në “Bernabeu”

-

Në Brazil, i vendosën nofkën "O Raio" (Rrufeja) dhe që në moshën 18-vjeçare Rodrigo Goesh ka arritur të shndrisë stadiumin "Santiago Bernabeu". Sulmuesi brazilian festoi një tripletë kundër Gallatasar­ajit në Ligën e Kampioneve të mërkurën mbrëma. Një gol e shënoi me të majtën, njërin me kokë dhe tjetrin me të djathtën, duke e bërë tripletën perfekte dhe duke e marrë me vete topin në shtëpi. Ai theu edhe një rekord, duke u bërë vetëm futbollist­i i dytë më i ri në historinë e Realit të Madridit (18 vjeç e 301 ditë) që shënonte një tregolësh në Champions, pas Raulit (18 vjeç e 113 ditë kur i shënoi tre golat Ferencvaro­shit në 1995-ën). Te Santosi e quanin "Rrufeja", por kjo ishte nofka që veshët e tij po dëgjonin edhe në "Bernabeu" pas vetëm katër minutash dhe sërish në minutën e shtatë. Në fund të ndeshjes, ai po merrte topin e ndeshjes me vete në dhomat e zhveshjes për ta ruajtur si suvenirin e parë që kur ka ardhur në Madrid. "Është një ëndërr e bërë realitet të dëgjosh stadiumin të këndojë emrin tënd. Jam i lumtur. Është një natë shumë e bukur, por duhet të qëndroj me këmbë në tokë. Gjithçka po ecën shumë më shpejt sesa unë kisha shpresuar kur erdha në Madrid. Por, unë po përpiqem që të qëndroj i qetë dhe të punoj çdo ditë", tha Rodrigo pas ndeshjes, duke mos harruar topin me autografe nga të gjithë shokët e skuadrës: "Jam i sigurt se firma që kanë vendosur mbi top është diçka shumë e bukur, sepse shokët e mi të skuadrës janë djem të mirë që më japin shumë besim. Benzema e bën gjithçka shumë të lehtë. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe unë jam i lumtur që luaj përkrah tij". Pas vetëm gjashtë ndeshjesh si futbollist i "Galaktikëv­e", vetëm Alfredo Di Stefano kishte shënuar kaq shpejt një tregolësh në karrierën e tij të lavdishme me "Los Blancos". Zinedin Zidan i dha një shans Rodrigos për të qenë pjesë e skuadrës së parë dhe ai e ka përqafuar atë me të dyja duart, duke mos e zhgënjyer. Forma e tij shpërthyes­e ka zbehur shanset e bashkatdhe­tarit Vinicius, Lukas Vazkezit, Hames Rodrigezit, Luka Joviçit dhe Garet Bejlit për një vend në skuadër. Dhe për të konfirmuar se karriera e tij po ecën me shpejtësin­ë e një rrufeje, javën e ardhshme pritet edhe debutimi i tij me kombëtaren e Brazilit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania