Panorama Sport (Albania)

Partizani, kryesuesi më i dobët i dekadës së fundit

Shifrat aktuale, pasqyra reale e zbehjes së Superiores

- ILIR CARA

Kategoria Superiore, edicioni i 81-të, ndodhët në prag të serisë së 13-të, e cila do të luhet javën tjetër, për shkak se kjo fundjavë është pushim nga angazhimet e ekipeve kombëtare. Pas 12 javësh është Partizani i trajnerit Franko Lerda ai që udhëheq kampionati­n, ndonëse duhet pranuar se të kuqtë nuk e nisën mirë sezonin dhe kanë pasur luhatje gjatë kësaj pjese. Renditja aktuale tregon se gabimet dhe hapat falsë kanë qenë më të shumta te skuadrat e tjera pretendent­e që vijnë në ndjekje të “demave”. Në 12 javë kampionat, Partizani ka grumbullua­r 22 pikë, me 6 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje, golavarazh 15-8. Referuar ecurisë, ku të kuqtë kanë dy pikë më shumë se Bylisi i vendit të dytë dhe tri më shumë se Tirana dhe Laçi, i bie që të besuarit e trajnerit Lerda janë në rrugën e duhur për mbrojtjen e titullit. Duke u kthyer pas dhe shfletuar statistika­t, del se kampionati i këtij sezoni ka një rënie të dukshme në krahasim me edicionet e kaluara, ndonëse ka zëra që e quajnë këtë kampionat si konkurrent apo të çuditshëm për vetë ngjeshjen që kanë skuadrat në renditje. Referuar statistika­ve të 10 sezoneve të fundit në Superiore, del se Partizani është kryesuesja më e dobët e dekadës së fundit pas 12 javësh kampionat. Në asnjë rast në këtë periudhë nuk kishte ndodhur që ekipi kryesues të kishte 22 pikë në 12 javë kampionat. I vetmi sezon që mund të përafrohet me aktualin është ai i edicionit 20132014, që përkonte edhe me kthimin e “demave” në elitë pas një mungese 4-vjeçare, ku Skënderbeu pas 12 javësh udhëhiqte me 23 pikë. Duke u bazuar te statistika­t e 12 javëve të para, del se në dekadën e fundit kryesuesja më e fortë ka qenë Teuta e sezonit 20112012, që udhëhiqte me 31 pikë, ose thënë ndryshe nëntë më shumë se kryesuesit aktualë. Partizani i trajnerit Lerda i ka shifrat më të ulëta edhe se të kuqtë e vitit të shkuar, ku nën drejtimin e Skënder Gegës, pas 12 javësh kampionat kryesonin renditjen me 28 pikë, ku kishin arritur 9 fitore, 1 barazim dhe 2 humbje, si dhe golavarazh 14-5. Partizani më i fortë i dekadës së fundit pas 12 javësh mbetet ai i sezonit 20152016, ku nën drejtimin e trajnerit Sulejman Starova kryesonin renditjen me 30 pikë.

 ??  ??
 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania