Panorama Sport (Albania)

Valsi i veteranëve, vetëm një nën 30 vjeç në radarët e “Djallit”

-

Shterpësia ofensive, sidomos e Kristof Piontekut, e detyron Milanin të nisë planet për gjuetinë e sulmuesve që do të fillojë zyrtarisht me hapjen e merkatos së janarit. Emri i Mario Manxukiçit është rikthyer aktual, aq më tepër që juventini kërkon largimin dhe sidomos një projekt ku të ketë rol të dorës së parë. Kroati 33-vjeçar ka refuzuar disa oferta, sepse nuk pranon të bëjë rezervën dhe në janar do të jetë gati të zbarkojë në një skuadër ku mund të tregojë ende vlerat e tij. Mediat italiane raportojnë për një kërkesë për huazim kuqezi të mbërritur në zyrat e “Zonjës së Vjetër”, por torinezët thuhet se pranojnë të ulen në bisedime vetëm për mundësinë e shitjes së sulmuesit. Një tjetër 33-vjeçar që ka shanse të vishet kuqezi, është Dris Mertens. Belgu ka komproment­uar përfundimi­sht raportin me Napolin, i cili për ta lënë të lirë që në janar, kërkon 10 milionë euro, pasi presidenti De Laurentis nuk pranon t’i rinovojë kontratën, sidomos pas “kryengritj­es” që ai stisi së bashku me Insinjen dhe senatorët e tjerë të ekipit ku bën pjesë. Shifra cilësohet e tepërt, sepse lojtarit i skadon kontrata në qershor të 2020-ës, por sidoqoftë palët do të komunikojn­ë përsëri. I preferuari i popullit milanist është Zlatan Ibrahimovi­ç, por 38-vjeçari nuk i bind drejtuesit, teksa ndërkohë, në gjurmët e tij raportohet të jetë vendosur edhe Napoli, përveç Bolonjës, që i shkel syrin prej javësh. Suedezi nuk mund të quhet një çështje e mbyllur, megjithatë mundësitë e afrimit të tij te kuqezinjtë thuhet të jenë tepër të ulëta.

PISTAT – Në “sitën” e drejtuesve kuqezinj është futur edhe Olivie Zhiru, por për francezin Interi është shumë më përpara. Sulmuesi i Çelsit ka kërkuar largimin, por puna nën drejtimin e Kontes dhe ambiciet e klubit zikaltër e joshin më shumë se ato të anës tjetër të Milanos. Në këto rrethana, Boban e Maldini mund të vendosin të udhëtojnë përsëri drejt Madridit për një operacion të ngjashëm me atë që solli Teo Hernandezi­n te Milani. Këtë radhë objektivi është Mariano Diaz, sulmuesi të cilin Zinedin Zidan nuk e ka marrë aspak në konsiderat­ë. Cilado qoftë zgjedhja e “Djallit”, operacioni duhet të vetëfinanc­ohet, ndaj, përveç huazimit, e vetmja mënyrë që të blihet një lojtar është duke mbledhur para nga shitja e ndonjë pjesëtari të organikës që nuk është më në planet e trajnerit Pioli.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania