Panorama Sport (Albania)

Vllaznia feston në Gjirokastë­r

Bluzinjtë drejt greminës, shpërdoroj­në disa raste për shënim dhe dorëzohen pa kushte në fund

- TOMOR SHEHU

Vllaznia feston në Gjirokastë­r, aty ku kishte 12 vite që nuk merrte dot tri pikë dhe që si për ironi të fatit, e nderonte një gol i administra­torit aktual të klubit, Suad Lici, më 17 mars 2007. Gjithçka është vulosur në fundin e takimit, kur Renato Malota dhe Gilman Lika kanë bërë diferencën me golat e tyre. Në përgjithës­i ka qenë një ndeshje e ekuilibrua­r, me Luftëtarin që kishte raste më të pastra për të shënuar, por lojtarët vendës nuk ditën të shtynin topin në rrjetë. Kjo humbje vret gjithnjë e më tepër shpresat e skuadrës bluzi për të qëndruar në Kategorinë Superiore, pasi vendi i tetë që mbahej nga Vllaznia, nga 9 pikë diferencë shkoi në 12. Triumfi i djeshëm në transfertë i katapultoi kuqeblutë në vendin e katërt, prandaj dhe të besuarit e Mirsad Jonuz kanë shumë arsye për t'i gëzuar këto tri pikë të arta. As rikthimi i sulmuesit fierak, Realdo Fili, që luajti në 45 minutat e dyta, nuk e ndryshoi situatën te Luftëtari.

PJESA E PARË

Luftëtari dhe Vllaznia e nisin praktikish­t pa pika referimi në sulm. Gjirokastr­itët kishin improvizua­r Gresild Likën dhe Erald Hysenin, dy lojtarë që nuk janë sulmues të mirëfilltë, ndërkohë që në stol ishin Vyent, Oshafi, Renja dhe Fili. Nga ana tjetër, Jonuz kishte vendosur në majën e sulmit Shtubinën, duke mos besuar te braziliani Uenderson apo të rinjtë Zogaj e Pusi. Kapiteni Gilman Lika e nisi nga stoli, por u aktivizua në pjesën e dytë dhe vulosi fitoren në fund. Starti është më i mirë për kuqeblutë, që me Gligorovin në krahun e djathtë bëhen të rrezikshëm. Mirëpo, rasti më i pastër për shënim krijohet nga lojtarët e Luftëtarit. Pas asistit të Likës, është Hyseni që del i vetëm me Sherrin, por shpërdoron. Janë minuta të mira për gjirokastr­itët, që shtyjnë përpara me Rapon dhe Dushkajn. Ky i fundit i afrohet golit pas goditjes brenda zone, por është sërish Sherri që nuk lejon prekjen e rrjetës. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me shifrat 0-0.

PJESA E DYTË

Marantas lë në dhomat e zhveshjes Hysenin dhe aktivizon Filin, që rikthehej pas gati një muaji mungese prej pezullimit nga klubi. Fieraku bëhet menjëherë protagonis­t, por nuk ka shënjestrë­n e duhur për t'i bërë dëm Vllaznisë. Loja shpesh bëhet e mërzitshme, me ndalesa të shumta dhe në një terren jo të mirë. Fusha e stadiumit "Gjirokastr­a" e ka humbur shkëlqimin, ashtu si vetë

skuadra dhe nuk ka lidhje me atë pamje të viteve të kaluara. Kjo ua vështirëso­n edhe më tepër qarkullimi­n e topit lojtarëve. Megjithatë, është Fili që ka rastin më të mirë për të kaluar në avantazh Luftëtarin, por gabon përballë Sherrit. Minutat

kalojnë dhe Vllaznia shfrytëzon eksperienc­ën e lojtarëve që ka në përbërje. Pas një goditjeje dënimi pa shumë pretendime, Dragoshi nuk kuptohet me të sapofuturi­n Vyent dhe ky gabim fatal kthehet në gol për kuqeblutë, që shënojnë

me anë të Malotës, i harruar brenda zonës. Luftëtari nuk ka forcë reagimi dhe dyshja Shtubina-Lika prodhon golin e dytë pas një aksioni shumë të bukur. Këtu mbyllet gjithçka, me shkodranët në festë dhe vendësit në gjunjë.

 ??  ?? Çast nga goli i Gilman Likës
Çast nga goli i Gilman Likës

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania