Panorama Sport (Albania)

Cara shpall objektivin: Dua 20 gola këtë sezon

- Feriz Ferizaj

Është ende 19 vjeç, por me golat e tij është ai që po e udhëheq Besën drejt kateve të sipërme të tabelës së renditjes, pas asaj nisjeje shumë të dobët të kampionati­t. Sulmuesi Tedi Cara, autor i 8 golave për Besën në këto 11 javë kampionat, zhbllokoi rezultatin në "Elbasan Arena". Për "Panorama Sport" ai ka theksuar se Besa mund të fitonte edhe më thellë me Elbasanin, por pas rezultatit 0-3 e uli ritmin, duke u kursyer ndoshta për ndeshjen e radhës me Besën, e fundit për këtë vit kalendarik. "Jam mjaft i kënaqur për fitoren dhe për golin. Në fakt, sot (dje) shënova dy gola, por njëri m'u anulua. Nuk e kuptova, sepse e kisha mbrojtësin kundërshta­r përballë dhe e driblova, ndërkohë që u sinjalizua pozicion jashtë loje. Gjithsesi, kemi marrë një fitore të rëndësishm­e në këtë ndeshje, ku rezultati mund të ishte më i thellë. Kishim raste të tjera, por ndoshta në momentin që e siguruam fitoren me golin e tretë, sikur u kursyem pak në lojë. Kjo vjen edhe nga fakti se përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë me Lushnjën, ku duam të vazhdojmë serinë e fitoreve", ka theksuar fillimisht sulmuesi i Besës dhe Kombëtares U-19 të Shqipërisë.

OBJEKTIVI - Më tej, i pyetur për objektivin personal, sulmuesi kavajas është përgjigjur: "Po kaloj një moment shumë të mirë dhe dua ta ndihmoj sa më shumë Besën me gola për të arritur objektivin e kthimit në Superiore. Objektivi im? Dua të arrij në kuotën e 20 golave këtë sezon dhe me ndihmën e skuadrës shpresoj shumë se do t'ia dal. Besa ka një skuadër me cilësi dhe nga ndeshja në ndeshje do të rritet edhe më shumë. Sulmi ka shpërdorua­r shumë në javët e para të kampionati­t, por tani e kemi kaluar atë ngërç. Kam shumë besim se do të jemi mirë si skuadër dhe individual­isht në vazhdim të kampionati­t", ka përfunduar sulmuesi kavajas, një nga më të talentuari­t që Besa ka në radhët e saj këtë sezon. Ndoshta menaxherët e kanë mbajtur shënim që tani emrin e Tedi Carës, liderit të ri të Besës.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania