Panorama Sport (Albania)

Apolonia ka nevojë për leksionet e Lushnjës

-

Lushnja është rikonfirmu­ar si "tersi" i Apolonisë. Nga 3 humbje që fierakët kanë pësuar këto 11 javë, 2 prej tyre ua ka shkaktuar pikërisht Lushnja. Skuadra e Ilir Gjylës ka bërë "copy" rezultatin e fazës së parë, kur i mundi fierakët 2-1 në fushën asnjanëse të Ballshit. Nuk është se Lushnja "ka bërë namin" në lojë në të dyja ndeshjet, por ka ditur të fitojë me meritë, sepse është skuadër cinike dhe ia ka marrë dorën Apolonisë. Pak vrapon në fushë, nuk konsumon shumë energji, por di ta përballojë nxitimin e të rinjve fierakë. Apolonia duket se nuk ia di "takatin" vetes dhe luan gati e trembur ndaj një ekipi me përvojë si Lushnja. "Sindromë" e vjetër e saj, luan mirë, kalon në epërsi, qarkullon topin, por sapo pëson gol nga lushnjarët, nemitet dhe e humb toruan. Krejt ndryshe ndodhi fazën e parë në Ballsh, ku Apolonia zhvilloi një lojë shumë të mirë (edhe pse në inferiorit­et numerik pjesën e dytë), edhe pse skuadra ishte ende "në nxemje e sipër". Po humbja në "Roza Haxhiu", prej nga erdhi? Kaq i mbajnë "këllqet" kësaj Apolonie, me sa duket nga organika dhe psikologji­a e lojtarëve. Trajneri Artan Mërgjyshi ka qenë shumë i kujdesshëm në deklaratat para ndeshjes, pa u ankuar për mungesat, që një ekip si Apolonia i ka pasur të shumta dhe me peshë në formacion. Këtë gjë e ka bërë me ndërgjegje të plotë, për të motivuar grupin që ka disponibël për çdo ndeshje. Ai nuk mund t'i fshehë pas ndeshjes shkaqet e një rezultati negativ si rasti i fundit me Lushnjën, që lidhen fort me eksperienc­ën, mungesat e shumta. Nuk luajtën Nako, lojtari më me përvojë i skuadrës, Sharavolli, Branica, Ceka, Ofori, Smaçi e deri te Krasniqi. Të vetmit në fushë nga merkatoja verore që luajtën ndaj Lushnjës janë 19vjeçari Sali Kumani dhe Sokol Ymeraj. Po të tjerët? Dikush vuan dëmtimet, Krasniqi "i degdisur" te të rinjtë, vazhdon të mbetet "i gatshmi i përhershëm", ndërsa Ceka dhe ganezi Ofori, me shumë gjasa mund të mos jenë më pjesë e Apolonisë nga janari i 2020-ës.

APOLONIA-CANKA 1-3 - Sulmuesi 32-vjeçar, Mikel Canka, është ai që po e merr për dore skuadrën e tij dhe ka shënuar gati gjysmat e golave të Lushnjës. Në 2 ndeshje të këtij sezoni i ka shënuar Apolonisë 3 gola. Më parë ka qenë pjesë e Apolonisë në gjysmën e parë të sezonit 2014-2015, ka luajtur 973' në 15 ndeshje dhe ka shënuar vetëm 1 gol në Superiore. Ai ka qenë edhe sezoni më i keq i goleadorit lushnjar. Epilogu? Apolonisë i duhen "leksionet" e Lushnjës. Janë "shuplaka" që i bëjnë mirë për t'u rritur një skuadre të re, siç e kanë fierakët, që duhet të mësojnë nga kësi humbjesh. Bujar Rama

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania