Panorama Sport (Albania)

Jashanica: Drama po kalon, mund të ndryshoj skuadër

-

Po shkëlqente me Skënderbeu­n e Korçës e me Përfaqësue­sen e Kosovës dhe po bëhej gati për kalimin në futbollin europian. Por, në ato "muaj të mjaltit" i erdhi një lajm i tmerrshëm nga UEFA, që ia ndryshoi të gjithë karrierën. Luftën për t'u rikthyer aty ku ishte dikur nuk e ka ndërmend ta ndalë. Fjala është për Bajram Jashanicën, i cili po kalonte momentet më të mira në karrierën e tij, por befas rezultoi pozitiv në testin antidoping. Forma e tij e jashtëzako­nshme kishte rënë në sy edhe te shumë klube europiane, por gjithçka, sikur në një ëndërr të keqe, u ndërpre në gjysmë. U ndërpre në gjysmë një rrugë e nisur që në fëmijëri me ëndrrën e madhe për të arritur në futbollin europian. Jashanica mori goditje pas ndeshjes së Skënderbeu­t kundër Jang Bojs në Ligën e Europës. Edhe pse mbrojtësi kosovar shpresonte në një dënim minimal, ishte bërë e ditur se ai do të jetë jashtë fushës së blertë deri në shkurt të vitit 2020. Jashanica në qershor të vitit 2018 ishte njohur me verdiktin përfundimt­ar të UEFA-s. Periudha pa futboll ka qenë shumë e rëndë për mbrojtësin e Skënderbeu­t. Në një prononcim për gazetën "Zëri" në Kosovë, lojtari që luan si qendërmbro­jtës dhe që është zhvilluar në futbollin e Kosovës duke i fituar të gjithë titujt e mundshëm me FC Hysin, rrëfehet gjerë e gjatë.

DËNIMI I RËNDË DHE... OFERTAT

"Pjesa më e errët në karrierën time ka qenë kjo periudhë dyvjeçare. Lutem që asnjëherë asnjë lojtari të mos i ndodhë një gjë e tillë. Një pakujdesi e tillë mund ta ndryshojë karrierën dhe jam ndier shumë keq. Ka qenë shumë e vështirë kjo periudhë për mua dhe me këtë rast dua ta falënderoj shumë bashkëshor­ten, që gjithmonë më ka mbështetur dhe më ka qëndruar pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Të mos luash për dy vjet, është shumë e vështirë. Në shkurt të vitit 2020 e përfundoj dënimin, ka mbetur edhe pak kohë", nis bisedën Jashanica. Por, ëndrra vazhdon, madje ai shpreson se do të rikthehet edhe më i fortë. "Ka qenë një periudhë ku po kaloja formën më të mirë me Skënderbeu­n dhe me Kosovën. Besoj se e kam dhënë më të mirën dhe jam munduar të përmirësoh­em në çdo ndeshje, pasi një lojtar profesioni­st duhet të ketë vazhdimësi në formën e tij. Ishte periudha kur po bëhesha gati të transferoh­esha jashtë vendit, por ndodhi ajo që ndodhi, derisa më pas ka qenë periudhë e errët për mua. Për fat të keq më ndodhi mua, por ata që më njohin e dinë se unë nuk dorëzohem lehtë, kam një karakter të fortë dhe jam munduar ta kaloj këtë periudhë, pasi kam menduar se mundem që edhe një herë të rikthehem, ndoshta edhe më i fortë", thotë qendërmbro­jtësi. I pyetur nëse vlerëson që vendimi ka qenë i padrejtë, Jashanica deklaroi: "Jo, unë e respektoj vendimin, por normalisht do të kisha shumë dëshirë të ishte një vendim më i vogël, mirëpo unë e kam respektuar vendimin e UEFA-s dhe vazhdoj ta respektoj për gjithçka. Normalisht që UEFA ka rregullat e veta dhe ne do të duhej të ishim më të kujdesshëm në ato momente, por sërish po e përsëris se fati i keq më ka përcjellë", tregon Jashanica. Edhe pse i dënuar, Skënderbeu i qëndroi pranë lojtarit. "Po pres që të mbarojnë edhe këto ndeshjet e fundit në kampionat, pastaj do të bisedoj me klubin për ta vendosur të ardhmen. Nuk përjashtoh­et mundësia të transferoh­em në ndonjë ekip tjetër. E thashë edhe më herët se jam njeri që nuk dorëzohem dhe përderisa kam oferta nga klubet, dihet se kam bërë diçka në futboll, kam lënë gjurmë. Mendoj se falë asaj pune që kam bërë më parë, tashmë do të vijë shpërblimi për t'u kthyer edhe më i fortë edhe një herë aty ku isha. Kam oferta në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoninë Veriore. Edhe Kosova mund të jetë mundësi. Do ta analizoj situatën mirë para se të vendos", përfundoi mbrojtësi.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania