Panorama Sport (Albania)

Trajneri i Tiranës: Më shihnin si të zbritur nga qielli

Nga tifozët tek objektivat: Ja si kthehet ekipi i frikshëm

- OLSI TUJANI

Shumë shqiptarë, sido mos edhe së fundmi, kanë lënë vendin tonë për t’iu drejtuar kurbetit për një jetë më të mirë. Po për të huajt si është Shqipëria? Ka prej tyre, që në thuajse dy dekada, e pranojnë me krenari që kanë zgjedhur të jetojnë këtu. Një prej tyre është Emanuel Egbo. Trajneri i konfirmuar në detyrë te Tirana deri në fund të sezonit. Në një rrëfim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-portieri i ardhur nga Nigeria në vitin 2001 te 24 herë kampionët, tregon se si kanë qenë dy dekada të tij në vendin tonë, sa ka ndryshuar Tirana por edhe futbolli shqiptar. Egbo mundohet të flasë pastër, edhe pse “dorashkat” janë pjesë edhe e përgjigjev­e të tij, teksa asnjëherë nuk del nga kornizat e një zyrtari shumë diplomat. “Kur erdha në fillim dhe pashë Rinasin nga lart, thashë “ku po shkoj”?! Rrugëve më shihnin me habi prej ngjyrës...”, rrëfen Emanuel Egbo për gazetën. Ai tregon edhe planin që ka për t’i kthyer identiteti­n klubit me të cilin ka fituar çdo trofe si portier, titullin, Kupën dhe Superkupën. 3 fitore i dhanë stolin dhe ai premton vazhdimësi­në...

Egbo në krye të Tiranës deri në fund të sezonit. Cili është objektivi?

Ju gazetarët, mbase mendoni se tani ndryshojnë gjërat dhe do them të tjera nga ato që kam folur para se klubi të vendoste për mua deri në fund. Unë mbetem i njëjti dhe për mua objektiv do të jetë që të fitoj sa më shumë ndeshje. T’i bëjmë gjërat sa më mirë, sa më thjesht dhe të japim maksimumin të gjithë bashkë që ta fitojmë ndeshjen e radhës. Nëse këtë e bëjmë deri në fund, besoj se mund të arrijmë shumë.

Cili është plani juaj për merkaton?

Do vendosim me klubin. Megjithatë, unë mendoj që ekipi ka dublime në çdo pozicion. Klubi ka vendosur që nuk ka nevojë të lëvizë asnjëri. Nëse do ketë mundësi, do ndërhyjmë. Duhet nënvizuar se në këtë periudhë nuk krijohen shumë mundësi. Mendoj se organika është e plotësuar.

A ka Tirana nevojë për mbrojtës?

Kemi Muçën, Osmanin, Imamin dhe kemi përdorur edhe Vangjelin e Hoxhallari­n. Pra, ka shumë mundësi.

Si ishte ky vendim për të vazhduar?

Gjithmonë kur merret një vendim, unë konsultohe­m me familjarët dhe me perëndinë.

Është Zoti që më jep gjithmonë frymëzimin për çfarë unë bëj. Asnjëherë nuk e ndërmarr një vend hajt se po e bëj, po them “PO”.

Lojtarët gjatë këtyre ditëve, përmendin: Sakrificë për njëri-tjetrin dhe respektin ndaj jush. Si e ka fituar Egbo respektin në kaq ditë?

Shikoni, nuk u krijua në këto ditë respekti për mua, pasi mendoj se është e pamundur. Respekti i lojtarëve për mua ka ekzistuar edhe kur unë kam qenë trajneri i portierëve. Respekti fitohet që nga mënyra se si vjen në punë, si prezantohe­sh me të tjerët, sillesh si profesioni­st apo jo. Fitohet nga mënyra se si sillesh me lojtarët. Dhe mbi të gjitha, respekti fitohet edhe kur fokusohesh në punën tënde dhe nuk merresh me llafe apo gjëra të tjera që nuk të takojnë.

Pra ky qenka sekreti i Egbosë?

(qesh..) I kam bërë gjithmonë gjërat thjesht. I përqendrua­r te puna ime.

Viti 2001. E kujtoni telefonatë­n që ju solli në Tiranë?

Po. Kam qenë në Egjipt dhe presidenti atje u bë edhe i Tiranës, El Sajed. Mbarova kontratën dhe presidenti më kërkoi të vija në Shqipëri.

Kishit informacio­ne për këtë vend dhe si vendosët të vinit?

Nuk dija asgjë! Më thanë vetëm që është vend në Europë. Fola me presidenti­n dhe ai më shpjegoi si është qyteti. Vendosa të vij, edhe pse në të njëjtën kohë kisha ofertë në Afrikën e Jugut.

Gati dy dekada në Shqipëri, çfarë ju ka bërë përshtypje?

Shqipëria ka pësuar shumë ndryshime. E kujtoj vitin 2001 kur erdha, në momentin kur isha në avion dhe e pashë aeroportin e Rinasit nga sipër. Kam thënë me vete: “Ku po shkoj”?!. Ka pasur shumë zhvillime.

Çfarë vështirësi­sh keni hasur në Shqipëri si i huaj?

Sot nuk mund ta quaj më veten të huaj në Shqipëri (qesh...). Unë nuk jam shqiptar 100% vetëm në gjak, pasi me pasaportiz­im dhe dokumente po. Ka ndryshime, ajo periudhë me këtë të sotmen edhe në këtë aspekt.

Në ç’kuptim?

Atëherë ka qenë një kohë totalisht tjetër. Në qendër të Tiranës shihje vetëm një njeri me ngjyrë. Ndërsa tani, qindra të racave të ndryshme. Atëherë isha vetëm unë dhe njerëzit më shihnin sikur kisha zbritur nga qielli, kthenin kokën. Tani, kur ecën në rrugë, nuk kanë më habi.

Po në ekip e kishin këtë habi për një futbollist me ngjyrë?

Hmmm. Ishte pak. Ama më shumë në qytetet e tjera në transferta, habiteshin. Brenda ekipit kam pasur lojtarë që kishin luajtur jashtë si Indrit Fortuzi, Eldorado Merkoçi. Edhe Ardian Mema, të cilët më ndihmuan shumë të ambientohe­m sa më shpejt. Merkoçi fliste anglisht. Me Memën isha në dhomë dhe më mësoi shqip. Unë i mësoja anglishten.

Çfarë ju mungon nga ajo skuadër?

Tirana kishte një si Indrit Fortuzi, i cili është vështirë për t’u gjetur edhe në ditët e sotme në kampionati­n shqiptar. Nuk ka më sulmues që të bëjnë 34 apo 35 gola në sezon. Sot, lojtari më i mirë shpallet me 15 apo 17 gola të shënuar.

Mos ndoshta kampionati atëherë nuk ka qenë kaq i fortë sa sot?

Jo, ka qenë i fortë. Sot ndoshta është më i shpejtë dhe nuk ka më ekipe të vogla. Asokohe, ishin Tirana, Partizani, Dinamo, Vllaznia e Flamurtari që konsideroh­eshin të mëdhatë, ndërsa të tjerat ishin ekipe rrethesh që përgjithës­isht nuk kishin të huaj. Në atë kohë, fusha e Shkumbinit në Peqin ishte e vështirë, si të thuash Laçi në vitet e fundit. Ose edhe Berati. Megjithatë, kishte skuadra që konsideroh­eshin të vogla, ndërsa sot nuk ka më diferenca kaq të mëdha.

Çfarë ndikimi kanë pasur të huajt te Tirana?

Shumë. Krahas forcës së lojtarëve vendës si Fortuzi apo të tjerët, kur ne shkonim në transferta, ishte sikur ta nisnim lojën 0-1, apo 0-2.

Pse kaq diferencë?

Sepse ekipet e tjera e shihnin Tiranën me frikë. Skuadra kishte një identitet që të gjithë flisnin si të ishte e pamundur për të fituar ndaj Tiranës. Mirëpo, sot kjo nuk i mungon vetëm Tiranës, si karakteris­tikë, por i gjithë futbolli nuk është më në atë kontekst, pasi të gjitha ekipet janë aty-aty.

Egbo, si mund të kthehet sërish Tirana e frikshme me këtë reputacion?

Nëse lojtarët do të vazhdojnë si kanë bërë në këto 3 ndeshjet e fundit. Siç nisën me Partizanin, me atë luftë, grintë të shfaqur nga të gjithë nëse do të vazhdojë akoma, besoj se janë cilësitë që njëherësh kthejnë atë identitet që ka pasur Tirana më përpara.

Pra, e keni një recetë për t’i kthyer identiteti­n?

Pra, janë shumë pak gjëra që duhen për ta kthyer: ka nevojë për pozitivite­t pranë ekipit dhe pranë këtij klubi. Së dyti, tifozët të cilët gjej rastin edhe t’i falënderoj sepse i gjenden pranë ekipit në çdo ndeshje, në çdo moment. Megjithatë, e kam edhe si thirrje për ta që duhet të bashkohen edhe me lojtarët, me ekipin dhe me presidenti­n. Pavarësish­t se unë nuk e di çfarë kanë pasur me presidenti­n, por nuk është gjë e mirë që vijnë në stadium dhe e shajnë atë. Duket sikur klubi nuk është i bashkuar. Duke luftuar me njëri-tjetrin, është shumë e vështirë që Tirana të arrijë objektivat sezonalë.

E kishit menduar të jeni trajner i Tiranës në 100-vjetor?

Gjërat janë të shkruara që të ndodhin. Është si profeci e shkruar nga Zoti, e prandaj unë nuk mund të marr lavditë që i takojnë Zotit, pavarësish­t se ai na ka përdorur mua dhe lojtarët në këtë klub për të arritur këto gjëra që po ndodhin. Njerëzit nuk e kuptojnë se si fitoi Tirana ndaj Partizanit, se të gjithë thoshin është pa trajner, në një situatë të keqe dhe do mundet me rezultat të thellë. Pra, nuk mund të marr unë lavditë për këto suksese, 3 fitore radhazi, nëntë pikë që askush nuk e di si kanë ndodhur.

Ronaldo apo Mesi?

Gjithmonë kam qenë në anën e Ronaldos. Sepse Mesi është talent, është jashtëtokë­sor. Kurse Ronaldo e ka arritur gjithçka me punë.

Kush është portieri më i mirë, sot ose i të gjitha kohërave për ju?

Për momentin mendoj se Ter Shtegen është më i miri. Më parë kam pëlqyer Van Der Sar, sepse është i pari që ka treguar se si mund të luajë një portier me këmbë. Ai e aplikonte mjaft mirë me Ajaksin.

Si janë portierët e kampionati­t shqiptar?

Në Shqipëri ka pasur shumë portierë të mirë, tani nuk ka më. Përveç Selmanit që ka ikur në Turqi, ose Alan Sherrit që është te Vllaznia, nuk shoh shumë të rinj. Në kohën time ka pasur shumë të tillë: unë, Ilioni, Orges Shehi, Blendi Nallbani e shumë të tjerë.

Kush është trajneri me disiplinën më të rreptë?

Ka qenë Shkëlqim Muça. Ai është trajner që nuk i hap rrugë asnjë shkeljeje. Ai e mban disiplinën e ekipit, i mban lojtarët dhe nuk i hap rrugë njeriut. Kërkon disiplinë brenda dhe jashtë fushe.

Si është të stërvisësh djalin e presidenti­t?

Për mua, brenda një ekipi nuk ka djalë presidenti, por lojtarë. Grenti është një djalë shumë inteligjen­t dhe shumë i pjekur për mënyrën si vepron, flet dhe si i bën gjërat. As ai nuk e sheh veten si djali i presidenti­t, por si pjesë të ekipit. Punon për të qenë në formacion.

Urimi juaj në këtë periudhë festash?

Urimi im është për të gjithë lojtarët, tifozët, presidenti­n, administra­tën, punonjësit, klubin dhe të gjithë njerëzit që e duan Tiranën që ekipi të fitojë sa më shumë ndeshje në vitin 2020, për të arritur objektivin që i takon.

Çdo tifoz i Tiranës dëshiron titullin në 100-vjetor. Po dëshira juaj?

Unë mendoj se nuk fillohet kampionati me detyrimin për ta fituar një titull. Sepse nuk fitohet me fjalë, por do punë. Duket e bezdisshme për ju nga jashtë, por ne në ekip duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, një nga një, që të marrim pikët që duhet. Është traditë e klubit të Tiranës, skuadrës 24 herë kampione, që ka mentalitet­in se duhet ta fitojë kampionati­n patjetër, por duhet të mendojmë me qetësi. Edhe vjet, asnjë nuk besonte në fillim se do shpallej Partizani. Por, ndeshje pas ndeshjeje, rriti besimin, edhe cilësinë që i jep besimi, dhe në fund ia doli që të fitojnë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania