Panorama Sport (Albania)

Halili: Egbo është i duhuri, duam titullin

“Nuk kemi borxhe sportive, ja si do zgjidhet gjyqi me Seferin”

- OLSI TUJANI

Viti 2019 ishte i vështirë për Ti ranën. Sigurimi i mbijetesës në javën e fundit, mungesa e licencimit si dhe një sërë problemesh të tjera në vazhdimësi. Megjithatë, entuziazmi te presidenti Refik Halili nuk ka munguar në asnjë moment. Tani ndoshta më shumë se kurrë, sepse skuadra i bëri një mbyllje fantastike vitit me tri fitore radhazi. Por cili është plani për vitin 2020? Pse zgjodhi Egbonë trajner dhe çfarë ndodh me borxhet e prapambetu­ra të klubit? Për të gjitha këto Halili rrëfehet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, duke konfirmuar se bardheblut­ë nuk do ta diskutojnë licencimin për pjesëmarrj­e në Kupat e Europës.

Z.Halili e fillojmë nga trajneri... Përse vendosët të konfirmoni­t Emanuel Egbonë në drejtimin e Tiranës?

Sepse Egbo e fitoi atë detyrë. Siç e kam përmendur edhe në raste të tjera, janë rezultatet që e mbajnë apo e largojnë një trajner nga detyra. Dhe rezultatet, lojërat dhe mbi të gjitha harmonia që ka mbizotërua­r në këto javë janë ato që më bindën për t’i besuar Egbosë. Po ju them se është një profesioni­st nga dita e parë që ka ardhur te Tirana dhe në çdo detyrë që ka pasur në të kaluarën.

Por Egbo ka bërë gjatë gjithë kohës trajnerin e portierëve...

Egbo ka të gjitha kualifikim­et për të qenë trajner i parë i çdo klubi. Ka bërë edhe trajnerin e portierëve për shkak të kaluarës së tij në këtë pozicion, por jam i bindur se do të vazhdojë të bëjë mirë edhe si trajner i parë. Në këtë përfundim më kanë sjellë edhe shumë nga opinionet e futbollist­ëve të skuadrës.

A do të plotësohet më tej stafi i tij, duke qenë se gjatë kësaj periudhe ka pasur mangësi?

Kemi qenë të detyruar nga koha e paktë në dispozicio­n. Jam në pritje të propozimev­e të trajnerit për stafin e tij.

A u zhgënjyet nga Daja, që nuk pranoi ofertën tuaj?

Jua them me sinqeritet­in më të madh, që nuk kam pasur asnjë bisedë me Dajën për ta marrë në drejtimin e Tiranës. Njerëzit e afërt mes nesh kanë tentuar të vendosin një kontakt për këtë çështje, por Daja ia ka mbyllur qysh në fillim këto diskutime për të vijuar punën e tij.

Me mbylljen e vitit kalendarik nisin përgatitje­t për pjesën e dytë të sezonit. Si do të jenë ato për Tiranën?

Prej disa javësh kemi rezervuar një minifazë përgatitor­e në Antalia mes datave 5 dhe 18 janar, ku ekipi do të ketë mundësinë të stërvitet në kushte shumë të mira dhe kemi programuar gjithashtu edhe tri ndeshje miqësore.

Cilat janë planet e Tiranës për merkaton e janarit?

Do të konfirmojm­ë pothuajse të gjithë grupin e futbollist­ëve dhe synojmë të përforcohe­mi në ndonjë pozicion, veçanërish­t në repartin e mbrojtjes. Dihen vështirësi­të në këtë periudhë për të gjetur futbollist­ë të lirë nga detyrimet kontraktua­le, por do të bëjmë çdo përpjekje për të përforcuar skuadrën në këtë periudhë.

Por ndërkohë Kërçiku ka lajmëruar largimin nga skuadra. Pse?

Kërçiku erdhi disa ditë më parë dhe më kërkoi lejekalimi­n, pasi nuk po gjente hapësira në formacion. Provuam ta mbajmë, por synonte të gjente formacioni­n diku tjetër dhe jemi ndarë me një shtrëngim duarsh.

Cilët janë objektivat e Tiranës në pjesën e dytë të sezonit?

Do të gënjeja po të thosha diçka tjetër përveçse maksimumit, pra trofeve sezonalë. Trajneri Egbo më përsërit vazhdimish­t se duhet të fokusohemi vetëm te ndeshja e radhës, por në bindjen time dhe të shumicës së opinionit, nga kjo skuadër pritet maksimumi.

Por ndërsa në pjesën sportive një gjë e tillë mund të arrihet sepse skuadrat janë shumë pranë në renditje, një pengesë për ju është edhe licencimi. Klubi juaj nuk ia arriti një vit më parë. Përse duhet të besojmë se do t’ia arrini këtë vit?

Sepse licencimi është një prioritet i punës sonë dhe që punojmë në mënyrë konstante. Sepse nuk kemi asnjë borxh sportiv dhe po bëjmë gjithçka për të zgjidhur disa çështje të së kaluarës.

A është zgjidhur çështja e tatimeve?

Me Tatimet kemi bërë një marrëveshj­e që po e respektojm­ë dhe mund të konsideroh­et e arkivuar edhe nëse nuk do të miratohen ndryshimet ligjore nga qeveria për sportin.

Po çështja me “Internatio­nal Trade”, apo çështja “Seferi” siç njihet në opinionin sportiv, çfarë po ndodh?

Këtë çështje e kam merak dhe do të zgjatem pak. Pata premtuar se do ta zgjidhja për “5 minuta” me shpresën se do të gjeja mirëkuptim nga Metushi (ish-presidenti i klubit Metush Seferi), por të gjitha ofertat e mia janë refuzuar nga ana e tij. Në këto kushte mund t’ju bëj me dije se prej pak ditësh çështjen “Seferi” tanimë konsideroj­eni “Seferi-Halili”.

Pse?

Sepse tanimë jam në zotërim të 50% të aksioneve të “Internatio­nal Trade”.

Çfarë nënkupton kjo?

Kjo nënkupton që 50% e aksioneve që u përkisnin ortakëve italianë, tanimë siç mund ta konfirmoni edhe nga ekstrakti në QKB, janë në pronësinë time. Në cilësinë e aksionerit do të kërkojmë të zbardhim të gjitha praktikat që janë bërë ndër vite me këtë kompani, ku më kryesorja është se detyrimi ndaj kësaj kompanie, ndonëse me vendim të Këshillit Bashkiak duhet të paguhej nga bashkia, ka zgjedhur rrugën e gabuar duke ia kërkuar klubit KF Tirana. Në këto kushte do të kërkoj edhe si aksioner heqjen e detyrimit nga ana e klubit për kompaninë “Internatio­nal Trade”. Shpresoj të gjej mirëkuptim­in edhe të aksionerit tjetër, në mënyrë që për të mirën e Tiranës, të mos përfundojm­ë dyerve të gjykatave.

Ndërkohë, ka edhe një sërë çështjesh të tjera që janë bërë pengesë për licencimin e klubit?

Të jeni të sigurt se deri në afatin final për dorëzimin e dokumentac­ionit, çdo çështje tjetër do të marrë zgjidhje.

Po përsa i takon infrastruk­turës, a do të ketë të reja në të ardhmen?

Kërkoj ndjesë për mungesën e modestisë, por nuk ka një president klubi që të këtë investuar më shumë për infrastruk­turën. E megjithatë, nuk jam i kënaqur, sepse kemi ende shumë për të bërë dhe shumë shpejt do të zbardhim plane të tjera shumë më madhore. Më e prekshmja në kompleksin stërvitor, ku skuadra me t’u kthyer nga Antalia do të stërvitet në fushën e ripërtërir­ë, ashtu siç po përfundojm­ë edhe dy minifusha të tjera. Ndërkohë jemi në pritje për të gjetur zgjidhje për fushën stërvitore para stadiumit si dhe plani ynë më madhor është ndërtimi i stadiumit të ri, mbi atë aktual me synimin për Tiranën e shekullit të ri. Mund t’ju bëj me dije se kemi përfunduar të gjitha punët parapërgat­itore dhe kemi në dorë një projekt fantastik për stadiumin që do ta zbardhim në ditët e para të vitit të ri.

Cila është dhurata që keni marrë për festa gjatë këtyre ditëve?

(qesh...). Për momentin vetëm kam bërë dhurata. Ndoshta në orët që kanë mbetur mund të më sjellin edhe mua ndonjë dhuratë.

Cila është arritja më e madhe e Tiranës për vitin 2019?

Ndonëse dëshirat kanë qenë krejt të tjera, më besoni se arritja më e madhe është përmirësim­i i të gjitha elementëve për sa i takon mbarëvajtj­es së punëve në klub. Tanimë jemi shumë më pranë ose dimë çdo hap që do të hedhim për t’u kthyer në një klub profesioni­st. Ndërsa diçka më e prekshme është promovimi i disa futbollist­ëve të rinj në skuadrën e parë falë punës së mirë tek Akademia, që na garanton një të ardhme të sigurt. Edhe fitorja në derbi, që të tregohem i sinqertë.

Po pengu më i madh?

Që nuk shkuam në Kupat e Europës. Për të gjitha arsyet që i përmenda edhe më lart.

E fundit, çfarë prisni nga 2020?

E para dëshiroj vetëm të mira për të gjithë shqiptarët dhe veçanërish­t komuniteti­n e sportit. Ndërkohë që dëshira më e madhe, nuk kam pse ta fsheh është titulli kampion, që do të ishte dhurata më e mirë për festimet për 100-vjetorin e klubit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania