Panorama Sport (Albania)

Debuton Minamino, i mbijetuari i tërmetit në Kobe

-

Liverpuli fiton dhe forcohet me Takumi Minaminon për të garantuar një të ardhme të suksesshme edhe për shumë kohë. "Reds" transferua­n talentin japonez, i cili i ra në sy në dy ndeshjet e Champions-it kundër Salcburgut. Sulmuesi i lindur në Osaka ka vuajtur në lëkurën e tij dramën e tërmetit të Kobes më 17 janar 1995, ekzaktësis­ht një ditë pas lindjes së tij në Izumisano, 80 km larg epiqendrës.

I MBIJETUAR - Talenti i ri i kampionëve të botës i mbijetoi tërmetit të tmerrshëm që shkaktoi më shumë se 6 mijë viktima dhe shkatërroi 70 mijë shtëpi në të gjithë rajonin. Qyteti i Izumisanos praktikish­t u shkatërrua. Pas djaloshit japonez, i cili dje debutoi me fanellën e kuqe në derbin kundër Evertonit në Kupën FA, fshihet një histori plot dhimbje dhe ëndrra të realizuara falë edhe fatit. Minamino luante futboll kur ishte fëmijë në parkingun e shtëpisë së tij dhe është stërvitur me sakrifica për t'u bërë futbollist­i që shumëkush njeh dhe që pritet të bëhet edhe më i famshëm në "Anfield".

NEJMARI JAPONEZ - "The Sun" zbulon se kur Minamino ishte 7 vjeç heroi i tij ishte Ronaldo (Fenomeni), i cili fitoi me Brazilin Kupën e Botës në 2002-shin organizuar në Japoni dhe Korenë e Jugut. I frymëzuar nga ajo që shikonin në TV, Minamino dhe vëllai i tij Kenta vraponin mes koneve që babai kishte sistemuar për ta në parking dhe ata imitonin lëvizjet e ish-sulmuesit brazilian. Kenta nuk ia doli të bëhej futbollist, Takumi u rrit dhe ra në sy të Cerezo Osakas, ku fitoi edhe nofkën "Nejmari japonez". Kur Minamino firmosi për Salcburgun në 2015-ën, i lëshoi sfidën braziliani­t: "Nëse do të bëhesha aq i zoti sa ai, atëherë do ta pranoj me kënaqësi këtë nofkë".

DEBUTIMI - 24-vjeçari u stërvit për pak ditë së bashku me skuadrën e re, por pavarësish­t kësaj, Jyrgen Klop vendosi ta hedhë në fushë titullar në ndeshjen e djeshme. Minamino u rikthye në "Anfield" atje ku luajti dhe shënoi këtë sezon, në humbjen 4-3 të Salcburgut të tij kundër Liverpulit në fazën e grupeve të Champions-it. Nuk është hera e parë që anglezët peshkojnë nga klubi austriak: edhe Sadio Mane dhe Nabi Keita vijnë me një të shkuar nga kampionët e Austrisë, edhe pse nga stacione të ndryshme. Minamino nuk duket nga ata që ka frikë. Ai është nga ata që u ka mbijetuar sfidave më të vështira se kjo.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania