Panorama Sport (Albania)

Jonuz: Morëm gola amatorë, arbitrja gaboi

-

Mirsad Jonuz “shfryn” pas barazimit me Flamurtari­n. Më shumë se rezultati, trajnerin e shqetëson forma se si u morën golat. Ai i quan gabimet amatore, ndaj pret reflektim dhe revansh në ndeshjen e kthimit. Gjatë intervistë­s së dhënë për mediat, maqedonasi shfaqi rezerva edhe për gjykimin.

I papritur ky barazim ndaj Flamurtari­t?

Edhe para ndeshjes e kam thënë, që kjo ndeshje Kupe është shumë e rrezikshme. Në kampionat me Flamurtari­n kur ishim 1-0, bëmë mirë në mbrojtje. Ndërsa sot (dje) pas dy kroseve, morëm dy gola. Duhet të jemi të përqendrua­r gjatë gjithë kohës, pasi këta janë gola tërësisht amatorë për t’u pësuar. Hoqa disa nga titullarët që i planifikoj për ndeshjen e radhës dhe u dhashë shans të tjerëve që të luanin. Pata problem me mesfushën sot, pasi Ramadani është i dëmtuar e Hygor i lodhur, ndaj futa Lekajn dhe Krujën. Ata nuk janë në rolin e vet, por nuk kisha të tjerë. Ruajta disa lojtarë bazë për takimin me Bylisin, por vazhdoj të mendoj që morëm gola amatorë.

Çfarë prisni nga ndeshja e kthimit?

Ua thashë lojtarëve që futbolli nuk është vetëm stërvitje. Duhet profesiona­lizëm dhe punë 24-orëshe. Ky barazim ndoshta është mirë për skuadrën, pasi të paktën i bëmë tani këto gabime dhe kemi mundësi që të rikuperojm­ë. Besoj te revanshi në ndeshjen tjetër. Rëndësi ka që ndërtuan shumë aksione, ndonëse finalizimi është problem. E nis me Sidorenkon në sulm. U përpoq, dha maksimumin, por nuk kishte fat. Në pjesën e dytë ishim shumë më mirë, rastet dhe kroset u shtuan, por rezultati final mbeti 2-2.

Ka shanse kjo Vllaznia që të shkojë drejt finales së Kupës dhe pse jo ta marrë atë?

Çdo ndeshje duam që ta fitojmë. Barazimi nuk është humbje, kemi mundësi për revansh. Deri në kohën që do të vijë ndeshja e kthimit, do të jemi më të plotë dhe do të luajmë më të mirën.

Pse jo Malota në qendër të mbrojtjes?

Malotën e lashë sot (dje) të pushonte dhe i dhashë rastin që të luanin për të parën herë bashkë Adilit dhe Shehit.

Ndonjë koment për gjykimin?

E thashë që janë ndeshje të rrezikshme këto, por çfarë duhet të themi për gabimet e arbitres. Na u mohuan dy penallti dhe bëri shumë gabime. Dhe pastaj thonë njerëzit që Jonuz është nervoz e Jonuz bën presion... por kjo nuk është e drejtë. Pasi u panë në fushë gabimet që u bënë.

Kur do vijë Zhunior në Shkodër?

Është pyetje për drejtorin Lici kjo.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania