Panorama Sport (Albania)

Sherri: Neglizhuam te 2 golat, në Ballsh shkojmë për fitore

- Admir Uruçi

Gardiani i portës shkodrane, Alen Sherri, ka besim se Vllaznia pavarësish­t rezultatit të takimit të parë, do të jetë një nga 8 ekipet që do të vazhdojë në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. Sipas tij, ekipi u ndëshkua nga dy neglizhime. Ndërsa portieri kuqeblu tani së bashku me ekipin e ka vëmendjen te përballja e fundjavës në Ballsh. Sipas tij, objektivi i vetëm mbetet marrja e pikëve, pse jo edhe maksimale, në këtë takim.

Një barazim që mund të ndërlikojë kualifikim­in për në turin tjetër?

Jo, unë mendoj se ishte një barazim që më shumë ia dhuruam ne me neglizhenc­ën që shfaqëm në dy momente që skuadra e Flamurtari­t erdhi në portën tonë. Gjithsesi, ky është futbolli dhe duhet që të pranosh çdo rezultat. Por unë them se pavarësish­t këtij barazimi 2-2, për ne gjithçka është e hapur në sfidën tjetër dhe sërish e shikoj Vllazninë në turin tjetër.

Do të jetë e vështirë për ta rikuperuar rezultatin?

Mendoj se do të na duhet që të jemi të plotë për të arritur kualifikim­in. Asnjëherë nuk është e lehtë, por unë kam besim se do të jemi ne në turin tjetër.

Të hënën ju pret një tjetër ndeshje e vështirë, përballë Bylisit. Cili është synimi i Vllaznisë në këtë takim?

Do të jetë një sfidë e vështirë për ne, por mendoj se do të vijojmë të marrim rezultate të mira në transferta. Kam besim se do të vazhdojmë ecurinë pozitive të dy takimeve të para të këtij viti, pavarësish­t se me Laçin duhet të kishim marrë më tepër. Si në çdo përballje, ne do të shkojmë që të kërkojmë vetëm maksimumin e pikëve. Ne kemi zhvilluar një miqësore, kur erdhëm nga Ohri, ndaj Bylisit dhe për mendimin tim nuk është ajo skuadra e dy fazave të para. Gjithsesi, mbetet një ekip i fortë dhe jo pa meritë ka qenë përherë në majë të tabelës së klasifikim­it.

Vllaznia pritet që të jetë e plotë në këtë ndeshje, do të ketë ndikim shumë pozitiv për sfidën e radhës?

Kjo është shumë pozitive. Të gjithë lojtarët priten që të jenë të gatshëm dhe kjo do të bëjë që gjërat të shkojnë më mirë. Vllaznia ka një grup të mirë lojtarësh dhe kur të gjithë janë në më të mirën e tyre dhe japin maksimumin, edhe gjërat do të shkojnë për mirë. Kjo të rrit besimin edhe për një rezultat pozitiv në Ballsh. Kemi disa takime që skuadra nuk është e plotë, ndaj besoj se do jetë më mirë për ekipin.

Si e vlerësoni nisjen e këtij viti, teksa në dy ndeshje keni marrë katër pikë?

Besoj se kemi merituar 6 pikë këto 2 ndeshjet e para të 2020-ës. Paraqitja ka qenë shumë e mirë e të gjithë pa përjashtim kanë dhënë maksimumin. Nisja mund të ishte edhe më pozitive, gjithsesi ky kampionat ka treguar se po bëhet përherë edhe më i fortë. Tani e rëndësishm­e është që të vazhdojmë të jemi në ritmet e këtij fillimi dhe të kërkojmë maksimumin në çdo fushë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania