Panorama Sport (Albania)

Kosto mbi 3 milionë euro në sezon, ja çfarë nuk shkon

-

FSHF njoftoi dje zyrtarisht se sistemi VAR është projekti i radhës që synon të implemento­jë në Kategorinë Superiore. Për realizimin e këtij projekti është ngritur një grup pune, teksa ka filluar me seminaret dhe takimet me ekspertët e FIFA-s dhe bordit ndërkombët­ar për ligjet e lojës (IFAB). Seminari i parë është zhvilluar të martën dhe të mërkurën, me praninë e presidenti­t Armand Duka dhe Thibaud Nijsen, i cili është menaxher i shërbimeve të futbollit në IFAB. Bhaveshan Morghen vjen nga Departamen­ti i Teknologji­së dhe Inovacioni­t në FIFA, ndërsa Majk Bosler nga Sektori i Arbitrimit. Sipas asaj që bën të ditur zyra për shtyp e FSHF-së, projekti për implementi­min e sistemit VAR parashikoh­et të shtrihet në disa faza. Në fillim synohet të ngrihet një grup pune me ekspert gjykimi, pra me arbitra që janë në sistem aktualisht, ekspertë teknologji­e, ekspertë ligjorë dhe nga sektori garave për të ndjekur të gjithë trajnimet dhe kualifikim­et e nevojshme nga programi për asistencë, aprovim dhe implementi­m që jepet nga IFAB dhe FIFA. Kjo bëhet me qëllim për të zhvilluar në mënyrën më të mirë sistemin VAR. Në fazën e dytë parashikoh­et përcaktimi i sistemit që do të implemento­het. Ekspertiza nga IFAB dhe FIFA, përveç rritjes së kapacitete­ve njerëzore, do të jetë edhe në përzgjedhj­en e sistemit më të mirë, duke parë se sot aplikohen tri sisteme VAR. Pra, një sistem me regji qendrore, një sistem me regji në çdo stadium dhe një tjetër me mini-VAR të lëvizshëm për çdo stadium ku luhen ndeshjet. Ekspertët e ardhur në Tiranë u shprehën dje se kërkohet cilësi maksimale në momentin e implementi­mit për të qenë të gjithë të kujdesshëm në afatet kohore. Ata sugjeruan që të merret e gjitha koha e nevojshme, në mënyrë që të mos nxitohet për të arritur më të mirën.

PRAPASKENA­T - “Panorama Sport” zbulon se në bisedat që drejtuesit e FSHF-së kanë bërë me zyrtarët e FIFA-s, është diskutuar se kostoja më minimale për një ndeshje duke praktikuar sistemin VAR është 10 mijë euro. Me një llogari të përgjithsh­me, FSHF parashikon se kostoja për të përballuar një sezon në Superiore me VAR shkon mbi 3 milionë euro. Por cila do të mbajë barrën e këtij investimi për kampionati­n shqiptar? Në bisedat që janë bërë, FIFA i ka sugjeruar FSHF-së që të gjejë një mundësi bashkëpuni­mi me klubet për të minimizuar kostot. Mirëpo, në situatën ku jemi, teksa si kurrë më parë kriza financiare është ulur këmbëkryq në futbollin shqiptar, duket praktikish­t e pamundur që klubet të japin një dorë për institucio­nin e futbollit për të mbuluar shpenzimet për sistemin VAR. Në këto kushte, FSHF duhet t’i përballojë vetë të gjitha kostot. Në diskutimet teknike që kanë bërë ekspertët e VAR me FSHF-në, është rakorduar se edhe me minimumi me 6 kamera HD në stadiumet tona, mund të implemento­het sistemi. Mirëpo, ka edhe detaje, të cilat në vendin tonë nuk është e lehtë për t’u bërë në perfeksion, ashtu siç dhe kërkon ky sistem. Së pari, interneti në furgonat e transmetim­it duhet të jetë i pajisur me fibra të cilësisë më të lartë të mundshme. Çdo fugon duhet të ketë linjë të dytë ose gjenerator në rast se ndërpritet energjia elektrike në stadium. Këto janë dy detaje që në parim duken të zbatueshme, por shumë të rëndësishm­e për vënien në zbatim të sistemit. Jo pak herë ka ndodhur që në stadiumet tona të ndërpritet energjia, duke detyruar platformën që ka blerë të drejtën TV të mos e transmetoj­ë dot direkt ndeshjen. Për të mos folur për precedentë kur skuadrat kanë qëndruar për minuta të tëra në fushë duke pritur ardhjen e dritave. Kësisoj, vendosja e sistemit VAR në kampionati­n shqiptar është një mision shumë i vështirë. Çdo gjë mbetet për t’u parë nëse ky projekt do të realizohet sezonin e ardhshëm.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania