Panorama Sport (Albania)

Pioli rivlerëson kuqezinjtë

-

Për Milanin vendi i katërt është i largët, por në javët e fundit është shtuar bindja se nuk është i vetmi parametër që ka rëndësi për të mbajtur në punë Stefano Piolin. Liga e Europës mund të mjaftojë për trajnerin i cili ka udhëhequr skuadrën në pesë humbje, tetë fitore e po aq barazime. 31 pikë në 21 ndeshje të luajtura me një mesatare prej 1.52 pikësh çdo 90 minuta. Nëse ruan këtë ecuri, Milani do të mbyllte sezonin me 56 pikë që nuk dihet nëse do të mjaftojnë për një vend në Europë. Skuadra pas largimit të Marko Xhampaolos është rritur në lojë, në shpirt dhe bazat për një sezon cilësor janë. Sigurisht që në verë duhet vënë përsëri dorë për përforcimi­n e ekipit, por telajo aktuale ka nisur të bindë drejtuesit të cilët përveç teknikut vlerësojnë edhe faktin që ekipi është kaq pranë finales së Kupës së Italisë. Sigurisht që ndaj Juves do të duhet një paraqitje e madhe, por në “Casa Milan” ka optimizëm. Përveç punës së mirë në nivel taktik dhe mendor, trajneri ka ndihmuar në rivlerësim­in e Ante Rebiçit dhe Samu Kastijehos, dy lojtarë që kishin përfunduar thuajse jashtë projektit kuqezi. Kuraja për të provuar apo edhe gjetja e një sistemi ku shumica e individëve të Milanit përshtatet është një tjetër meritë, aq më tepër që grupi është përgjigjur mirë si me skemën 4-4-2 e po ashtu me 42-3-1 që po përdoret në javët e fundit. Nga ana tjetër janë humbjet që ka pësuar Pioli. Roma, Lacio, Juventus, Atalanta e Inter, praktikish­t pesë të parat në kampionat. Napoli është i gjashti dhe Milani nuk ka shkuar dot përtej barazimit. Humbjet me të mëdhatë e sidomos frika në momente të caktuara të ndeshjeve janë aspekte që duhen rregulluar dhe deri në fund të sezonit kuqezinjtë do të kenë 13 ndeshje për të treguar gjendjen e tyre.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania