Panorama Sport (Albania)

“Zonja”, specialist­e përmbysjes­h

Viktima e preferuar ka qenë Reali i Madridit, por ndaj Lionit duhet një Juve perfekte

- Përgatiti: JETON STAMOLLA

Të flasësh për Juven tusin dhe përmbysje të një rezultati 0-1 në transfertë, në duele me eliminim direkt, të bën të qeshësh, nëse nuk do të ishte për versionin e skuadrës 2019-2020, e cila nuk garanton aq siguri sa në të kaluarën. Sepse realisht, ajo që vunë në skenë kundër Lionit, nuk mund të katalogohe­t thjesht si një aksident rrugor, i cili mund të korrigjohe­t në "Allianz Stadium". Prandaj, për të avancuar në çerekfinal­e, pas një shorti të 1/8-ave që në letër dukej një lojë fëmijësh sivjet, do të nevojitet një Juventus totalisht i ndryshëm me atë që u pa mbrëmjen e së mërkurës. Nevojitet Juventusi më i mirë i sezonit, për të bërë të mundur një përmbysje, siç ka dhuruar shpesh historia bardhezi. Siç thonë numrat, në plot 13 raste, "Zonja e Vjetër" ka ditur sesi të thyejë rezultatin humbës të ndeshjeve të vajtjes.

Atletiko - Pa pasur nevojë që të gërmojmë shumë në histori që në fillim, kujtimi dhe shembulli më i freskët sesi Juventusi di të përmbysë humbjet dhe çfarë humbjeje si ajo 20 në "Vanda Metropolit­ano", mjafton të kujtojmë duelin e sezonit të kaluar në 1/8-at. Dhe kundërshta­ri ishte Atletiko e Diego Pablo Simeones, një skuadre me mbrojtjen e hekurt, por në ndeshjen e kthimit në Torino, Kristiano Ronaldo diti sesi me një tripletë personale të çmontojë shpresat e spanjollëv­e dhe të dërgojë Juventusin në çerekfinal­et e Ligës së Kampioneve.

Real Madrid - Qëndrojmë sërish te spanjollët, por këtë herë në duelet me Realin e Madridit. Jemi në vitin 2005:

në Madrid Helguera i kishte dhënë fitoren 1-0 Realit në ndeshjen e vajtjes, ndërsa në kthim, në Torino, fillimisht Trezege shënon në të 75-ën dhe e çon ndeshjen në kohët shtesë, në të cilat, Zalajeta, katër minuta nga lotaria e penalltive gjen golin që kualifikon për në çerekfinal­et e Ligës së Kampioneve Juven. Edhe në vitin 2003, Reali ishte viktimë e Juventusit, sërish me përmbysje. Në Madrid përfundoi 2-1 për të zotët e shtëpisë, pas golave të Ronaldo da Limas dhe Roberto Karlosit, ndërsa Trezege shkurtoi diferencën. Por në kthim, sërish francezi, më pas Del Piero e Nedved ofruan përmbysjen e madhe dhe bënë nul golin e Zidanit në minutën e 89-të. Bëjmë disa hapa të tjerë mbrapa në kalendar dhe sërish Reali. Në vitin 1996, në çerekfinal­e, madrilenët kishin fituar takimin e vajtjes me gol të Raulit (1-0), por në Torino, në ish-stadiumin "Delle Alpi", Del Piero dhe Padovano përmbysën gjithçka dhe i dhanë kurajë Juventusit që të shkonin deri në finale dhe ta fitonin atë ndaj Ajaksit, në "Olimpikon" e Romës, trofeu i fundit Champions i historisë bardhezi.

Kupa e Kampionëve Duke mbetur në të njëjtën kompeticio­n, zbresim në vitin 1981. Në Gllazgou vendoste një gol i MekLiod, por në kthim në Torino ishte Virdis dhe Betega që mbajtën në këmbë "barakën" e Xhovani Trapatonit. Shumë i vuajtur ishte edhe kalimi i turit të parë eliminator në vitin 1975. Pas humbjes 2-1 në Sofje, në Torino menduan Anastazi dhe Furino për të sigluar fitoren 2-0 që do të eliminonte CSKA-në. Në vitin 1972 kishte qenë Marseja që fitonte në shtëpi 1-0 të parën, ndërsa në kthim, dopieta e Pena Biankas dhe Hallerit i dhuronin Juves suksesin e pastër 3-0 dhe kualifikim­in. Në 1968-ën ishte Frankfurti që nuk ruajti dot suksesin 3-2 në vajtje, teksa në Torino një penallti e Barcelinos, vetëm 2 minuta nga vërshëllim­a finale, dërgoi në festë juventinët.

Në kupat e tjera - Në Kupën e Kupave të sezonit 1979-1980, "Zonja e Vjetër" merrte një shuplakë të turpshme në Bullgari nga Beroe (1-0), por edhe në kthim nuk ishte shumë e lehtë. Nëse Shirea në minutën e 8-të barazoi diferencën e golave, takimi përfundoi te kohët shtesë, kur Kauzio dhe Verza në minutat 104' dhe 111' bënë tifozët e tyre që të marrin frymë lirisht. Në Kupën UEFA, në 1976-1977-ën vjen përmbysja e radhës. Këtë herë, Mançester Siti pasi triumfoi 1-0 në shtëpi, u shtyp nga golat e Shireas dhe Boninsenja­s në Torino. Në të njëjtën sezon, të njëjtën fat me përmbysje pati edhe skuadra tjetër e Mançesteri­t, Junajtid, ku avantazhi 1-0 i ndeshjes së vajtjes u përmbys 3-0 në Itali, pas dopietës së Bonimbas dhe qershisë mbi tortë të Benetit. Sërish në Kupën UEFA, por në 1988-1989, humbja në turin e parë ndaj rumunëve të Otelul Galatit rezultoi një shqetësim i kotë, pasi në Torino erdhi suksesi 5-0, pas "gërvishtje­ve" të firmosura De Agositini, Barros (dopietë), Altobeli dhe autogoli i Agiu. Në çerekfinal­et e vitit 1993, një tjetër "remontada": 2-1 në Lisbonë kundër Benfikës, por në kthim Kohler, Baxho dhe Ravaneli larguan të gjitha frikërat e popullit torinez dhe me Juven që ngrinte në fund trofeun, pasi asfaltonte 3-0 dhe 3-1 Dortmundin në finalen dopio. Shkurt, Juvja di sesi të përmbysë...

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania