Panorama Sport (Albania)

Kapitenia kuqezi: Të rifillojë futbolli

"Më mungon fusha, asnjëherë s'kam qëndruar kaq gjatë larg saj"

- ARTIN LLESHAJ

Ishte data 11 mars kur Shqipëria në futboll për femra zbriste për herë të fundit në fushë, teksa triumfonte në transfertë ndaj Qipros me rezultatin e pastër 0-2, në kualifikue­set e Kampionati­t Europian. Më tej do të niste periudha e izolimit për shkak të pandemisë së Koronaviru­sit, e cila po i mban larg futbollit të gjitha vajzat. Albina Rrahmani, kapitenia dhe një prej lojtareve me më shumë eksperienc­ë në Kombëtaren kuqezi, në një intervistë për "Panorama Sport" tregon ditët e saj në karantinë. Mbrojtësja e Vllaznisë po pret me padurim që të hapet drita jeshile nga autoritete­t, në mënyrë që të rifillojnë normalisht aktivitete­t e futbollit.

Sa i vështirë është për ju qëndrimi larg fushës?

Është shume e vështirë, pasi nuk e prisja që do të zgjaste kaq shumë. Përveç vështirësi­së për të mbajtur formën fizike, shumë e rëndë dhe nga ana psikologji­ke.

Keni qëndruar ndonjëherë kaq gjatë pa futboll?

Që kur kam filluar futbollin, që në moshë të vogël, asnjëherë nuk kam qëndruar kaq gjatë pa futboll. Kam patur një periudhë kur pësova një lëndim të rëndë të gjurit, por sërish gjithë kohën kam qenë pranë ekipit, duke bërë fizioterap­i, kështu që as ajo periudhë nuk ishte kaq e vështirë, pasi nuk ishim kaq të izoluar. Tani nuk takoj as shoqet dhe askënd.

Si e kaloni Karantinën?

Këtë kohë karantine po e kaloj duke u munduar ta shfrytëzoj në mënyrë sa më kualitativ­e. Ka kohë që nuk kam qëndruar me familjen kaq gjatë, që është një anë e mirë e kësaj situate. Vazhdoj stërvitjet gjithmonë, me kaq mundësi sa kam, por ndihem me fat që jetoj në periferi të qytetit, ndërsa po e shfrytëzoj dhe oborrin, ndryshe prej shumicës së shoqeve të mia, të cilat duhet të stërviten në dhomë. Leximi, filmat dhe lojërat e ndryshme janë një pjesë tjetër e kalimit të kohës në shtëpi gjatë karantinës. Cila do të jetë gjëja e parë që do të bëni, pasi të marrë fund kjo situatë?

Ka aq shume gjëra, saqë nuk do të di nga t'ia nis (qesh). Shpresoj që të lirohet sa më shpejt dhe të dalim. Besoj se menjëherë më duhet t'i bashkohem ekipit.

Jeni në kontakt me trajnerin? Çfarë këshillash ju jep?

Gjatë gjithë kohës kemi qenë në kontakt me trajnerët tanë, të cilët po na qëndrojnë pranë si gjithmonë. Ndonëse në distancë, ata po mundohen të na ndihmojnë në çdo mënyrë, duke na nisur programet e stërvitjev­e.

Janë kohë të vështira, por po bëjnë maksimumin të gjithë, duke filluar nga stafi i Vllaznisë, stafi i Kombëtares dhe gjithashtu federata, të cilët duhet t'i falënderoj­më.

Keni ndonjë apel apo mesazh që dëshironi ta jepni në këtë situatë?

Është shumë e vështirë për ne si sportistë të qëndrojmë mbyllur, duke ditur që aktiviteti është ai që na mban. Futbolli është sport kolektiv, përveçse na duhet fusha për stërvitjen, na duhen dhe bashkëlojt­aret. Po më mungojnë të gjitha! Ishte shumë e pranueshme kur ishte rrezik, e kuptojmë dhe nuk duam të rrezikojmë veten e as të tjerët, por tani që specialist­ët e shëndetësi­së kanë dhënë OK-in për fillimin e aktiviteti­t, nuk e di pse nuk mund të fillojmë? Shpresoj që shumë shpejt do kemi edhe miratimin nga organet përkatëse që marrin vendimin.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania