Panorama Sport (Albania)

‘Tripleta’, Murinjo: Inter, sa e bukur zhurma e armiqve

“Vendosa të iki pas Barçës, e dija që fitonim Champions-in”

- Përgatiti: LEDIO NASE

Kaloi aventurën tek In teri duke qeshur dhe bërë të tjerët të qeshin (“Nuk jam idiot”), u largua duke qarë dhe duke bërë të tjerët të qajnë, i përqafuar me Materacin. “Më të mirën gjatë karrierës e kam dhënë atje ku jam ndier në shtëpi, ku kam qenë dyqind për qind me zemrën: më shumë person se trajner, - është rrëfyer Zhoze Murinjo, “komandanti” i skuadrës që dhjetë vite më përpara fitoi “Tripletën”, gjatë një interviste për “La Gazzetta dello Sport”. - Për këtë arsye në Madrid isha më i lumtur të përjetoja gëzimin e të tjerëve (nga Morati deri te magazinier­i i fundit). Më ka ndodhur të mendoj fillimisht për veten përpara të tjerëve: tek Interi, kurrë. Kjo ndodh në një familje. Kur bëhesh baba, kupton që dikush është më i rëndësishë­m për ty dhe kalon në radhë të dytë”.

Sa shkruan “baba” Murinjo në “chat”-in e grupit në “Whatsapp”?

Dhjetë vite më pas kemi qëndruar në kontakt. Pikërisht një ditë më përpara fola me Alesion, në kohët e mia ishte shoferi i klubit. Ku dhe kur ndodh që një trajner që largohet, dhjetë vite më pas flet akoma me shoferin? Kurrë. Ky është Interi për mua: këta janë njerëzit e mi.

Ju ka ndodhur në skuadra të tjera?

Ekzistojnë tipa të ndryshëm raporti: unë trajner, ti futbollist. Empatia varet nga aftësia për të më pranuar ashtu si jam, është si një “formuese”. Tek Interi kishte njerëz që prisnin një si unë për të kompletuar atë “formuese”. Nuk jam kurrë një kopje, por gjithmonë origjinal: jam unë dhe pikë. Kam qenë edhe një kokë b..., por mbetesha unë.

Kur?

Mbi të gjitha pas humbjes në Bergamo (3-1, janarin e 2009ës). U tregova shumë i dhunshëm me lojtarët, vetëm pasi u thashë që kishin fituar tituj m... dhe aq kuptova që i kisha prekur, sepse vetëm atëherë kuptova ato që kishin ndodhur më përpara. Dhe kërkova ndjesë.

Bërtitët më shumë në Bergamo, gjatë pushimit në Kiev apo pas Katanias?

Në Katania isha i skualifiku­ar, i prita në furgon dhe kisha mendjen disi më të freskët, thashë gjithçka ditën pasardhëse... Ndërsa në Kiev koka ishte më e nxehtë: “Mund të eliminohem­i, por jo kështu”. Dhe pas “kështu” pati pesë minuta të dhunshme. Por, në atë moment ndryshuam faqe dhe shkuam deri në fund. E megjithatë, dita më e vështirë e sezonit ishte pas barazimit në Firence.

Kthesën e bëtë në Kiev apo Londër?

Për Champions-in, Kiev: në të 85-tën ishim jashtë, nëse ndryshon fatin tënd brenda 4 minutash është gjithmonë një moment kyç. Por, ishte thelbësore edhe Roma, 5 maji. Ëndrra ishte Champions-i, titulli konsideroh­ej detyrim, triumfi në Kupën e Italisë ishte sikur të thoshim: “Ja një, kalojmë tek e radhës”. Më pëlqen të rishikoj atë ndeshje me njërin nga asistentët e mi, Xhovani Çerra, i sëmurë pas Romës. Akoma qan…

Po në cilën nga “finalet” vuajtët më shumë?

Atë të Kupës së Italisë nuk doja ta luaja. Kur dëgjova himnin e Romës përpara ndeshjes arrita të mendoja: “Ndaloni muzikën ose ikëm”. Në Siena kisha frikë: gjashtë ditë më pas luanim finalen e madhe, kisha frikë se atë ndeshje nuk e luanin si finale. Zero me zero në të 45-tën, Roma fitonte 2-0, në dhomat e zhveshjes ishte një i nxehtë i tmerrshëm, nuk po kuptoja si duhet ta ndihmoja skuadrën për të ndryshuar taktikisht. Ishte shumë e vështirë e nuk përfundont­e. Kisha thënë më përpara: “Një ditë do të më pëlqente të fitoja kampionati­n në javën e fundit”. Atë ditë reflektova: “Jo më”.

Kthehemi nga fillimi: kontakti juaj i parë me Moratin...

Në Paris: në shtëpinë e tij, jo një hotel të fshehur. Donte që të ndihesha i dashur, por edhe si në shtëpi. Dhe unë ndjeva pasionin e një të dashuruari, kuptova që kishte jo një fiksim, fjala nuk më pëlqen, por një ëndërr të madhe: Champions-in.

Është e saktë të thuhet që Champions-i Interit lindi në Mançester, marsin e 2009-ës?

Po, sepse atë ditë i thamë njëri-tjetrit me qartësi që cilësia e Interit mjaftonte për të fituar titullin, jo Champions-in, që duhet të ndryshonim taktikisht. Futbollist­ët brenda dhomave të zhveshjes ishin të trishtuar, jashtë asnjëri nga ne nuk qante: unë, Morati, Branka dhe Oriali po diskutonim për një linjë mbrojtëse më të avancuar, për lojtarë të përshtatsh­ëm për së paku dy sisteme loje, për profilet që na nevojitesh­in, për ata që mund të qëndronin.

Dhe në fund të korrikut, në Boston, i thatë lamtumirë Ibrahimovi­çit...

Megjithatë, kaosi ndodhi më përpara, në Pasadena, ditën e miqësores kundër Çelsit. Prej ditësh qarkulloni­n zërat: “Ibra shkon te Barcelona, nuk shkon te Barcelona”. Ai si profesioni­st që është luajti 45 minuta, por në dhomat e zhveshjes tha: “Po largohem, duhet të fitoj Champions-in”. Asistentët e mi italianë humbën shpresat: “Pa të do të jetë e pamundur të fitojmë”. Shokët nuk donin ta humbisnin. Isha i shqetësuar edhe unë, por më doli kjo fjali: “Ndoshta ti largohesh dhe e fitojmë ne”. U tregova disi i çmendur, por në dhomat e zhveshjes ndryshoi atmosfera. Më pas i thashë Brankës: “Nëse ai do të shkojë te Barcelona, përpiqemi të marrim Etonë”. Ai dhe Milito së bashku taktikisht mund t’i jepnin një tjetër dimension skuadrës.

Plus një dimensioni­n tjetër e shtoi Shnajder?

Po, një ndryshim taktik. Nevojitej dikush që të lidhte mesfushën me dy sulmuesit dhe me lëvizshmër­i të lartë, ai ishte perfekt. Në njëfarë pike nuk po shpresoja më, por ishte opsioni i parë dhe Branka më tha: “Mos u dorëzo, bëjmë së bashku presion mbi Moratin”. Nga ajo ditë telefonoja Moratin çdo ditë: “Duhet Uez, Uez, Uez”.

U “trondit bota” kur menduat ta aktivizoni­t menjëherë në derbi, pa asnjë stërvitje skuadre.

Sfilita menaxherin e skuadrës, Andre Buti, personin që bën të ndodhë e pamundura: “Duhet të luajë”. Më pas shkova vetë tek Uez: “Do të luaje?”, e pyeta. Në sytë e tij nuk pashë befasi apo frikë: “Luaj, e kur të lodhem dal”. “Ky ka b..., është njëri prej nesh”, mendova. Të dielën e derbit përfundoi 4-0, po kjo është histori.

Nëse duhet të thoshit se cili ishte Interi juaj perfekt?

Ai ishte pranë perfeksion­it: gola spektakola­rë, kontroll total, Milani, ai Milan, i shkatërrua­r edhe psikologji­kisht. Megjithatë, ndeshja simbol e Interit tim është e fundit: sepse e fituam përpara se ta luanim dhe nuk është normale që në një finale Champions-i të gjithë, jo vetëm trajneri, të ndiejnë një diçka kaq të fortë se

kanë gjithçka nën kontroll.

Tre hapa prapa, “Stamford Bridge”: lind sakrifica e Etosë dhe “veshja” e re taktike e Interit tuaj.

E vetmja gjë që nevojitet me Etonë është të hysh në mendjen e tij: nga ai moment është një karakter dhe futbollist i thjeshtë. Samuel ka një krenari të madhe, duhet ta bind vetëm në mënyrën më të mirë për të luajtur Champions-in. Blutë i njihja përmendësh dhe fola me sulmuesit: “Idealja është t’i përballim me skemën 4-2-3-1, por për të luajtur të gjithë duhet të ndryshoj këtë e këtë, e këtë”.

Ai Inter rezultoi, së bashku me Realin, skuadra më larg etiketës së “Murinjos mbrojtës”?

Ndeshja ikonike e Murinjos mbrojtës ishte ajo në “Camp Nou”, por ajo Barcelonë kishte humbur 3-1 në “San Siro” dhe ne kishim fituar të drejtën për të shkuar në fushën e tyre si të dëshironim. E nëse Pandev nuk do të ishte dëmtuar në nxehmje, do të kisha luajtur me Goranin, Shnajderin, Etonë dhe Milton”.

Morati ka thënë: “Barcelona është ndeshja më dramatike e jetës sime”. Mund të thoni të njëjtën gjë?

Jo, sepse në tribunë ke kohë ta përjetosh dramën, e shumta mund të lutesh, ndërsa në fushë duhet të gjesh zgjidhje. Kam thënë se është humbja më e mrekullues­hme e karrierës sime: nuk humbëm 1-0, por fituam 3-2 në kushte epike.

Gjetët edhe kohën për të shkuar te Guardiola për t’i thënë diçka.

Kur Buskets u rrëzua si i perënduar, unë ndodhesha në diagonale mes stolit tonë, të tyre dhe pikës ku Tiago Mota u përjashtua me karton të kuq. Me bishtin e syrit shoh pankinën e Barcelonës që festonte sikur në atë moment të kishin fituar, Guardiolën që thërret Ibrën për të diskutuar taktikat: taktikë në 11 kundër 10... I thashë vetëm: “Mos festo, kjo ndeshje nuk ka përfunduar”.

Në Madrid zgjodhët për të folur, përpara finales, me Zanetin, Etonë dhe Figon: përse?

Zanetin sepse ishte kapiteni dhe simboli i asaj gjenerate futbollist­ësh të Interit që kishin një ëndërr. Etosë i thashë: “Nga ti dua ndjesinë, duhet të shpjegosh se çfarë është një finale Champions-i dhe si fitohet”. Luisin sepse është optimist, mund të krijonte idenë e gëzimit që do të përcillte ajo ndeshje: ai do të kishte paguar për të luajtur.

Festuat me djalin tuaj në shpatulla, duke përzier publikisht ndjenjat e Murinjos si trajner e si person: diçka e padëgjuar.

Zuka, djali im, kur fitova Champions-in me Porton, ishte katër vjeç: ishte atje, por nuk kujtonte asgjë. Përpara se të përballesh­im me Barcelonën, më tha: “Dua një Champions që ta kujtoj për gjithë jetën”. Mbi shpatullat e mia do ta kujtonte më mirë.

Përse nuk u rikthyet në Milano me skuadrën?

Sepse nëse do të kthehesha, me skuadrën përreth dhe tifozët që do të më këndonin “Zhoze qëndro me ne”, ndoshta nuk do të isha larguar më. Nuk kisha firmosur me Realin përpara finales: kushdo që tha se Reali erdhi në hotelin tonë përpara finales, thotë gjepura. Përpara finales ndodhi vetëm që zbulova kutinë me fanellat e festës dhe u arratisa për të mos i parë. Unë doja të shkoja te Reali: më kishin kërkuar edhe një vit më parë, shkova në shtëpinë e Moratit për t’ia thënë dhe ai më ndali: “Mos u largo”. Realit i kisha thënë “jo” më përpara kur isha te Çelsi, Realit nuk mund t’i thuash “jo” tri herë. Sot ndoshta mund të qëndroj 4-5-6 vite në të njëjtin klub, por në atë kohë dëshiroja të isha i pari (dhe jam ende mes trajnerëve) që fitonte titullin kombëtar në Angli, Itali dhe Spanjë. Ndaj i thashë vetes: “Qëndroj këtu dy ditë, firmos kontratën dhe shkoj në Milano kur nuk mund të kthehem më prapa”.

Dhe dy mbrëmje më pas po darkonit me Moratin dhe me Champions-in në tavolinë. Por, kur vërtet vendosët të largoheni? Dhe kur ia thatë Moratit?

Vendosa pas gjysmëfina­les së dytë me Barcelonën, sepse e dija që në atë moment se Champions-in do ta fitonim. Moratin e kisha përgatitur: pa pasur nevojë për fjalë, temperatur­a e përqafimit tonë në fushë i la të kuptohej se çfarë dëshiroja. Më tha: “Pas kësaj, ke të drejtën të largohesh”. Ishte e drejta për të bërë atë që doja, jo për të qenë i lumtur: e në fakt kam qenë më i lumtur në Milano se në Madrid.

Pra, ishte vetëm për të fituar, jo prej zhurmës së armiqve...

Njëqind për qind ambicie. Zhurma e armiqve, që më pas qanin, ishte shumë e bukur.

Fotografia e fundit si interist: përse zbritët nga makina dhe shkuat të përqafonit Materacin?

Sepse Marko ishte simboli i trishtimit të të gjithëve dhe i atij që duhet të jetë një lojtar skuadre. Kur skuadra kishte nevojë për të, me Çelsin, Romën apo Sienën, ai ishte atje. Jam katolik dhe këtyre gjërave u besoj: ndoshta ishte Zoti që e vendosi atje kundër atij muri, si lojtar të fundit që duhet të shikoja: kur e përqafova atë ishte sikur përqafova të gjithë lojtarët. Dhe ju them diçka: Duket shumë e çuditshme që sot një person si ai nuk ndodhet tek Interi, si trajner, drejtor, magazinier apo shofer, nuk e di.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania