Panorama Sport (Albania)

“Treni i fundit”, Bejl luan shansin e karrierës

-

I njëjti refren çdo verë, por thjesht me ndryshimin që këtë herë këndohet në fundin e pranverës: Të shohim nëse rikthehet Bejl. Kjo është ajo që shpresohet dhe ëndërrohet te Reali i Madridit, të cilit nuk i mbetet gjë tjetër, vetëm që të lutet që uellsiani të rikuperojë versionin e tij më të mirë. Këtë herë nuk i kërkojnë vazhdimësi­në e një sezoni, por thjesht një shpërthim nga ata të tijtë. Duhen 11 ndeshje të mira, me të cilat duhet të ndihmojë ekipin e tij që të luftojë për La Ligën dhe të përmirësoj­ë imazhin e tij, të ndryshojë mendimin e Zidanit dhe të bindë tifozët. Duhet të shkëlqejë dhe të shpresojë që të qëndrojë edhe një vit tjetër në kampin madrilen. Sepse sot për sot, Garet Bejl nuk ka oferta për të braktisur ekipin "Galaktik". Nuk ka as dëshirë që të largohet, por as nuk e mohon një telefonatë që do ta joshte për të lënë jetën në Madrid. Këtë vit, merkatoja aziatike nuk ka shumë opsione, ndërsa Njukasëlli e ka në axhendë. Pritet kalimi i klubit në duart e grupit arab për të bërë lëvizje konkrete. Klubi madrilen kurrë nuk ka ndaluar së shprehuri dashurinë për Bejlin duke i kujtuar golat në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpulit. Por nga ai moment kanë kaluar 2 vite dhe që atëherë Bejli ka qenë një fantazmë. Ai i ka zhgënjyer të gjithë me kalimin e kohës, të gjithë trajnerët si Benitez, Lopetegui dhe Zidan. Ky i fundit donte ta largonte në verën e kaluar, por Bejl nguli këmbë për të qëndruar dhe bisedimet me Kinën dështuan. Këtë sezon, për Bejlin është folur më shumë për atë që ka bërë jashtë fushës së lojës, sesa për atë brenda. Dëmtimet e shumta dhe aktivizime­t me Uellsin, pastaj flamuri i famshëm "Uells, Gol, Madrid" krijoi një krisje të madhe mes tij dhe tifozëve madrilenë. Zidan humbi durimin dhe e shndërroi në një rezervë luksi. Numrat nuk gënjejnë dhe konfirmojn­ë krizën e sulmuesit. Ai ka shënuar vetëm 3 gola këtë vit në 18 ndeshje të luajtura. Goli i tij i fundit në kampionat ka qenë më 1 shtator dhe në kampionat nuk luajti asnjë minutë në 3 ndeshjet e fundit. Tani ka shansin e artë që të rikthehet Bejli i vërtetë. Për të bindur trajnerin, tifozët, drejtuesit dhe mbi të gjitha për veten. Vetëm kështu mund të qëndrojë edhe vitin e ardhshëm te Reali i Madridit. Në të kundërt, do ta mbyllë aventurën këtë sezon dhe nuk do të jetë më pjesë e "Galaktikëv­e". Florentino Perez e vlerëson shumë dhe e do si lojtar, por Zidan gjithmonë ia ka bërë të qartë presidenti­t se te Reali i Madridit do të luajnë vetëm ata që e meritojnë dhe nuk ka vend për të përkëdhelu­rit. Garet Bejl mund të largohet dhe mund të vazhdojë të luajë golf... i qetë.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania